Manushaqe Hoxha Laçi: Koha të ringrejmë në lartësinë e duhur dhe të mbajmë të pastër figurën e mësuesit

Në një shkrim frymëzues, Manushaqe Hoxha Laçi i bën thirrje shoqërisë të ringrejë figurën e mësuesit në lartësinë që meriton. Ajo e përshkruan mësuesin si themel të dijes, dritë në mendjet e reja dhe hero të përditshëm që formëson të ardhmen.

Nga: Manushaqe Hoxha Laçi

Mësuese kimie në gjimnazin, "Skënderbeu" Krumë, Has


Në jetën e një kombi, pak janë figurat që mund të krahasohen me peshën dhe dritën që bart mësuesi. Ai është jo thjesht njeriu që shpjegon lëndë shkencore, por ndërgjegjja që frymon brenda klasës, drita që ndizet në mendjet e reja, pena që shkruan në faqe të bardha shpresash. Mësuesi është themele ndërtues i shoqërisë, mjeshtër i heshtur që formëson karaktere, rrit ëndrra dhe frymëzon breza.


Por sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të ringrejmë figurën e tij në piedestalin që meriton dhe ta mbrojmë nga çdo baltëzim i pavend. Sepse, kur figura e mësuesit zbehet, errësohet edhe drita që duhet të ndriçojë rrugën e dijes. Dhe kur errësohet kjo dritë, shoqëria mbetet në mjegull, në humbëtirën e padijes, në kaosin e shpërfilljes.


Mësuesi – prushi që nuk shuhet kurrë


Në thellësi të çdo kujtese fëmijërie rri një mësues. Ai që të mësoi të shkruaje emrin tënd, që duroi gabimet e para, që buzëqeshi për çdo hap të vogël përpara. Ai nuk ishte thjesht një figurë përballë dërrasës së zezë, por ishte dora që të ngjiti shkallët e para drejt jetës. Nuk është e rastësishme që populli ynë ka ditur ta quajë “nënën e dytë” apo “babain e dijes”, sepse ai nuk ushqen vetëm me dije, por edhe me vlera, me frymë, me dashuri njerëzore.


Nëse një komb ka nevojë për heronj, mjafton të shohë nga klasat. Aty janë ata që çdo ditë përballen me sfida të shumta, me mungesa, me lodhje, me sistem të padrejtë, por nuk dorëzohen. Ata vazhdojnë të edukojnë, edhe kur dora u dridhet, edhe kur shpirti u lodhet, sepse për ta, dija është mision, jo thjesht profesion.


Çfarë e njollos figurën e mësuesit?


Sot, në një kohë kur vlerat shpesh relativizohen, kur interneti shpërndan më shumë shpejtësi se thellësi, mësuesi shpesh nuk respektohet siç duhet. Stereotipet, indiferenca e shoqërisë, mungesa e përkrahjes institucionale, ulja e prestigjit profesional dhe financimi i pamjaftueshëm janë plagë që e dëmtojnë këtë figurë. Mësuesi nuk është një robot që jep dije, por është njeri që ka nevojë për motivim, për vlerësim, për mbështetje.

Nëse e trajtojmë mësuesin si të zakonshëm, mos u çudisni nëse brezat që ai edukon bëhen të zakonshëm. Nëse e trajtojmë me përçmim, mos u ankohemi për fëmijë që nuk respektojnë askënd. Sepse vlera e mësuesit nuk qëndron vetëm në atë që ai thotë, por në mënyrën si e trajton shoqëria: si një pasuri apo si një barrë.


Si ta ringrejmë figurën e mësuesit?


Së pari, edukimi i brezave me dashuri për mësuesin duhet të fillojë në familje. Fëmija duhet të mësojë që figura e mësuesit nuk është më pak e rëndësishme se ajo e prindit. Familja dhe shkolla nuk janë dy botë paralele, por duar që duhet të punojnë bashkë për të njëjtin vizion.

Së dyti, duhet një vlerësim real nga shteti dhe institucionet. Mësuesi nuk mund të jetë figurë e lartë në fjalime dhe e harruar në buxhet. Investimi në rritjen profesionale të mësuesve, në kushtet e punës, në motivimin e tyre shpirtëror dhe material është themeli i çdo reforme arsimore që pretendon sukses afatgjatë.

Së treti, media dhe arti duhet të marrin përsipër pasqyrimin e ndershëm të kësaj figure. Mësuesi nuk është klishe e lodhur në ndonjë serial humoristik; ai është heroi që meriton të portretizohet me dinjitet, me respekt, me thellësi.

Së fundi, duhet ta ruajmë pastërtinë morale të figurës së mësuesit. Ai nuk është i paprekshëm, por duhet të jetë i drejtë, i ndershëm, model. Dhe këtë modelim nuk e bëjmë vetëm me ligje, por me ndërgjegje, me formim të qëndrueshëm, me përzgjedhje të kujdesshme dhe me një kulturë pune që e lartëson virtytin.


Një komb që e çmon mësuesin, çmon vetveten


Një pemë jep fryt të mirë vetëm kur rrënjët janë të shëndosha. Mësuesi është rrënja e dijes, themeli i ndërgjegjes së një kombi. Ta ringrejmë lart figurën e tij do të thotë të kujdesemi për të ardhmen tonë. Ta mbajmë të pastër figurën e tij do të thotë të ndërtojmë një shoqëri me vlera, me dinjitet, me dritë.

Sepse mësuesi nuk punon për sot, por për nesër. Dhe nëse duam një të nesërme më të ndritur, duhet të nderojmë sot ata që e bëjnë të mundur: mësuesit. Zërin e tyre nuk duhet ta lëmë të humbasë në zhurmat e botës moderne. Ata janë poetët e padukshëm të shpirtit njerëzor dhe çdo shoqëri që nuk i respekton, shpejt mbetet pa frymë, pa vizion, pa dritë.

Ka ardhur koha të rizgjohemi nga heshtja, të ringrejmë figurën që na mësoi dritën: arsimtarin, shpirtin e dijes, që mbolli në ne shpresën për një botë më të mirë.

Në duart e tij, shpirti u bë udhërrëfyes, në fjalët e tij, fjalori i jetës mori kuptim.

Ai s’e pati as kurorë, as lavdi, por i dha vendit mbretërinë e mendimit.


Sot, më shumë se kurrë, duhet ta ngjisim sërish në piedestal, aty ku meritojnë të jenë ata që bëjnë dritë në errësirën e padijes. Sepse kur nderojmë mësuesin, lulëzon e mira, lulëzon e ardhmja, lulëzojmë ne njerëzit e formuar nga dora e tij.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

10,368 Lexime
1 javë më parë