Marjela Nuredinaj dhe Marsela Kala: Gjuha gjithëpërfshirëse në universitet, perceptimi i studentëve dhe sfidat e zbatimit

Studentet Marjela Nuredinaj dhe Marsela Kala trajtojnë gjuhën gjithëpërfshirëse në universitet, duke shqyrtuar perceptimet e studentëve dhe sfidat e zbatimit. Artikulli thekson rëndësinë e institucionalizimit të praktikave gjuhësore për një klimë akademike më të barabartë dhe respektuese.

Gjuha gjithëpërfshirëse në universitet: perceptimi i studentëve dhe sfidat e zbatimit

Marjela Nuredinaj, MarselaKala




Abstrakt

Në mjedisin universitar bashkëkohor, gjuha gjithëpërfshirëse përbën një element thelbësor në ndërtimin e një klime akademike të barabartë dhe respektuese. Ky artikull analizon perceptimet e studentëve mbi përdorimin e saj dhe ndikimin që ajo ushtron në ndjenjën e përfshirjes, bashkëpunimit dhe respektit institucional. Të dhënat tregojnë një qëndrim përgjithësisht pozitiv ndaj gjuhës gjithëpërfshirëse, por njëkohësisht evidentojnë nevojën për një qasje më të strukturuar dhe të institucionalizuar në zbatimin e saj.

Fjalë kyçe: gjuhë gjithëpërfshirëse, komunikim akademik, barazi, përfshirje, kulturë universitare


Gjuha si kulturë institucionale

Universiteti nuk është vetëm hapësirë e prodhimit të dijes, por edhe një mjedis ku formësohen marrëdhënie, identitete dhe kultura komunikimi. Në këtë kontekst, mënyra se si përdoret gjuha ndikon drejtpërdrejt në ndjenjën e përkatësisë së studentëve. Gjuha gjithëpërfshirëse synon të shmangë stereotipet gjinore, përjashtimin dhe formulimet diskriminuese, duke promovuar respektin ndaj diversitetit.


Metodologjia

Studimi është mbështetur në një qasje cilësore, përmes pyetësorëve dhe diskutimeve me studentë të niveleve të ndryshme universitare. Analiza e të dhënave është realizuar përmes kategorizimit tematik, duke identifikuar perceptimet dominante, qëndrimet pozitive dhe sfidat e evidentuara.


Rezultatet dhe diskutimi

Rezultatet tregojnë një nivel të lartë informimi mbi konceptin e gjuhës gjithëpërfshirëse dhe një vlerësim të gjerë për ndikimin e saj në rritjen e ndjenjës së përfshirjes, respektit dhe bashkëpunimit në mjedisin universitar. Megjithatë, një pjesë e studentëve theksojnë se zbatimi i saj nuk është gjithmonë i njëtrajtshëm, çka nënvizon nevojën për politika të qarta institucionale dhe trajnime të strukturuara.


Përfundime

Gjuha gjithëpërfshirëse perceptohet si faktor kyç në ndërtimin e një klime universitare më të barabartë dhe më respektuese. Për të garantuar qëndrueshmëri dhe koherencë, kërkohet institucionalizim i praktikave gjuhësore dhe angazhim i vazhdueshëm nga stafi dhe studentët.


Referenca

Fairclough, N. (2013). Language and poëer (3rd ed.). Routledge.

Mills, S. (2008). Language and sexism. Cambridge University Press.

UNESCO. (2019). Guidelines on inclusive language. UNESCO Publishing.


Bio e autoreve 

Marjela Nuredinaj dhe Marsela Kala janë studente të ciklit të dytë të studimeve (Master i Shkencave) në Gjuhësi në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Interesat e tyre kërkimore përfshijnë sociolinguistikën, analizën kritike të diskursit dhe komunikimin institucional në arsimin e lartë, me fokus në dimensionin gjuhësor të barazisë dhe përfshirjes në kulturën akademike.



Gjuha gjithëpërfshirëse në universitet: më shumë se fjalë, një kulturë respekti 


Në universitet nuk ndërtohet vetëm dija akademike. Aty ndërtohen marrëdhënie, identitete dhe mënyra të të menduarit. Në këtë kuptim, gjuha që përdorim nuk është neutrale. Ajo formëson realitetin tonë social dhe institucional. Siç shprehej filozofi austriak Ludëig Ëittgenstein, “kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës sime”. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë mënyra se si flasim në universitet përcakton edhe kufijtë e përfshirjes dhe barazisë brenda tij. Në këtë kontekst, mënyra se si përdoret gjuha ndikon drejtpërdrejt në ndjenjën e përkatësisë së studentëve. Gjuha gjithëpërfshirëse synon të shmangë stereotipet gjinore, përjashtimin dhe formulimet diskriminuese, duke promovuar respektin ndaj diversitetit. Në mjedisin universitar bashkëkohor, gjuha gjithëpërfshirëse përbën një element thelbësor në ndërtimin e një klime akademike të barabartë dhe respektuese. Koncepti i gjuhës gjithëpërfshirëse është zhvilluar nga disa disiplina, si: gjuhësi, sociologji, studime gjinore dhe politika institucionale. Por pse ka rëndësi për t’u trajtuar gjuha gjithëpërfshirëse?


Gjuha gjithëpërfshirëse synon të shmangë stereotipet gjinore, etiketimet përjashtuese dhe formulimet diskriminuese, duke promovuar respektin ndaj diversitetit. Ajo nuk ka të bëjë thjesht me korrektësi formale, por me mënyrën si individët ndihen të njohur, të pranuar dhe të respektuar në një komunitet akademik. Një studim i realizuar me studentë të niveleve të ndryshme universitare, tregon se shumica e tyre kanë një qëndrim pozitiv ndaj përdorimit të gjuhës gjithëpërfshirëse. Studentët e lidhin atë me rritjen e ndjenjës së përkatësisë, me krijimin e një ambienti më bashkëpunues dhe me uljen e perceptimit të paragjykimit institucional. Instrumenti i përdorur ishte pyetësori, i organizuar me pyetje, që kishin për qëllim të matnin nivelin dhe llojin e gjuhës gjithëpërfshirëse të përdorur në mjediset universitare. Gjithashtu u zhvilluan diskutime, ku shumë prej tyre theksuan, se mënyra si adresohen në auditor, në komunikimet zyrtare apo në dokumentet akademike, ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si e përjetojnë universitetin: si një hapësirë të hapur për të gjithë, apo si një strukturë që riprodhon role dhe hierarki tradicionale.


Nga ndërgjegjësimi individual te përgjegjësia institucionale


Megjithëse niveli i informimit mbi konceptin e gjuhës gjithëpërfshirëse rezulton i lartë,sipas përgjigjeve të marra nga pyetësorët, studentët vënë në dukje se zbatimi i saj nuk është gjithmonë i njëtrajtshëm. Në disa raste, përdorimi i duhur varet nga sensibiliteti individual i pedagogëve apo stafit administrativ, ndërsa mungojnë informacionet për studentët lidhur me hartimin e politikave të qarta dhe të institucionalizuara, që shërbejnë si rregullator. Kjo situatë ngre një pyetje thelbësore: a duhet të mbetet gjuha gjithëpërfshirëse një zgjedhje personale, apo duhet të kthehet në standard institucional?


Siç argumenton sociologu Pierre Bourdieu, “gjuha është formë e pushtetit simbolik”. Ajo jo vetëm përshkruan realitetin, por edhe e strukturon atë. Në këtë kuptim, universitetet, si institucione të dijes dhe autoritetit akademik, kanë një përgjegjësi të veçantë në mënyrën se si përdorin gjuhën. Pavarësisht qëndrimit pozitiv në një pjesë të konsiderueshme të përgjigjeve, studentët evidentojnë disa sfida:


• mungesë udhëzimesh të qarta institucionale;

• mungesë trajnimesh të strukturuara për stafin;

• perceptimi se gjuha gjithëpërfshirëse mund të shihet si “formalitet” dhe jo si pjesë e kulturës akademike.



Këto sfida tregojnë se ndërgjegjësimi nuk mjafton. Nevojitet një qasje sistematike që e vendos gjuhën gjithëpërfshirëse në kuadër të politikave universitare, kodeve të etikës dhe praktikave të përditshme komunikative. Në thelb, çështja nuk është thjesht terminologjike. Ajo është kulturore dhe etike. Universiteti, si hapësirë e prodhimit të dijes, duhet të jetë gjithashtu hapësirë e barazisë dhe respektit. Nëse synojmë një arsim të lartë që promovon diversitetin, drejtësinë dhe përfshirjen, atëherë gjuha nuk mund të mbetet jashtë këtij vizioni. Ajo është një nga instrumentet më të fuqishme për të ndërtuar ose për të minuar ndjenjën e përkatësisë. Prandaj, institucionalizimi i praktikave të gjuhës gjithëpërfshirëse nuk duhet të mbetet vetëm në kuadër të rregulloreve institucionale, por duhet të zhvillohet përmes politikave të qarta, trajnimeve dhe angazhimit të përbashkët të stafit dhe studentëve. Trajtimi dhe vlerësimi i gjuhës gjithëpërfshirëse në mjediset universitare nuk duhet të konsiderohet një luks ideologjik, por një hap i domosdoshëm drejt një kulture akademike më të drejtë dhe më përfshirëse.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

100 Lexime
11 orë më parë