Intervistë

“Me pune dhe përkushtim ka vetëm produktivitet”

Dilore Nikolli drejton shkollën e mesme të bashkuar në Gjegjan të Pukës, një shkollë që në dekada ka nxjerrë breza nxënësish të suksesshëm.

Me një eksperiencë 8-vjeçare në arsim, e diplomuar për Histori-Gjeografi Dilore Nikolli drejton shkollën e mesme të bashkuar në Gjegjan të Pukës. Kjo shkollë ka rreth 300 nxënës nga tre cikle të studimit. “Me pune dhe përkushtim ka vetëm produktivitet” është motoja e drejtoreshës së kësaj shkolle, e cila punon me shumë përkushtim për të ruajtur traditën sipas të cilës kjo shkollë njihet për përgatitjen e nxënësve të suksesshëm. 


Sa vite keni që punoni në arsim?

Punën në arsim e kam filluar në shtator të vitit 2009 menjëherë pas diplomimit tim për lëndën Histori-Gjeografi. Gjithsej unë kam punuar në arsim afërsisht 8 vite, e emëruar në gjimnaz ku kam dhënë lëndë të profilit tim si: Histori, Gjeografi, Sociologji apo Trashëgimi Kulturore.


Sa nxënës ka në shkollën tuaj?

Shkolla jonë është një shkollë e Mesme e Bashkuar, frekuentohet nga tre cikle ku përafërsisht numri i nxënësve është rreth 300, duhet përmendur fakti që para një ose dy dekadash, ku popullsia e kësaj njësie nuk ishte aq e prekur sa është sot nga migrimi i brendshëm ose emigracioni masiv, vihej re një numër i madh i nxënësve që i kalonte 600 apo 700 ndërsa sot ky numër është përgjysmuar nga faktorë të lartpërmendur.


Si është dita juaj e punës, kur nis e kur përfundon?

Dita e punës fillon me paraqitjen në orar të caktuar dhe përgatitjen e një procesi normal mësimor, kontrollin e e-mail-eve apo detyrave që vijnë nga institucione të ndryshme arsimore. Një vëmendje e veçantë i kushtohet marrëdhënies mësues-prind-fëmijë duke pasur parasysh problematikat që hasim gjatë procesit mësimor duke u përpjekur t’i mbaj shënim nevojat e hasura, gjithashtu përpiqem të mos neglizhoj ngarkesën time mësimore ku dhe pse e angazhuar maksimalisht në drejtim kurrë nuk jam shkëputur nga procesi mësimdhënës.


Si janë kushtet në shkollën tuaj?

Është fat pasi kushtet në shkollën tonë janë optimale. Shkolla jonë në të dy godinat është rikonstruktuar plotësisht, gjithashtu është pajisur me infrastrukturë. Paralelisht me rikonstruksionin shkolla jonë u pajis me banka e mjete tjera për ambientet ku zhvillohet procesi i mësimdhënies dhe mësimnxënies. Duhet theksuar dhe kujdesin e madh të drejtorisë së shkollës, stafit pedagogjik dhe vetë nxënësve për mirëmbajtjen e infrastrukturës shkollore. Problemi i vetëm dhe që mbartet ndër vite mbetet mungesa e një pjese të laboratorëve të Informatikës, Kimisë, Biologjisë etj.


Është e vështirë të komunikosh me gjimnazistët?

Gjimnazistët duke qenë një moshë delikate e cila është përkufizuar si mosha më e vështirë, duke  pasur parasysh edhe ndryshimet e theksuara sociale apo fenomenet negative që lindin në shoqërinë tonë në tranzicion, është e vështirë shpesh herë marrëdhënia e tyre me drejtorinë dhe stafin prandaj shpesh kontakti bëhet i vështirë, por në përgjithësi komunikimin e bëj normalisht duke u munduar të mos thyej në asnjë moment kodin e etikës apo rregulloren e shkollës.


Si është e ndërtuar marrëdhënia juaj me kolegët?

Stafi pedagogjik fatmirësisht ka mësues të kualifikuar të cilët punojnë me zell dhe vlerësohen për punën e palodhur për edukimin e brezit të ri. Një ndër motivimet për ta është motivimi i brendshëm duke i vlerësuar për arritje të ndryshme në prani të stafit pedagogjik, por duke mos neglizhuar edhe vlerësimet e ndryshme të dhëna nga vetë njësia arsimore vendore, bashkia apo institucionet e tjera.


Si janë ndërtuar rregullat në këtë shkollë, a respektohen nga të gjithë?

Nuk e mohoj që duke pasur parasysh numrin e konsiderueshëm të nxënësve ka raste kur në procesin mësimor shfaqen probleme. Problemet mund të jenë të pranishme gjatë procesit mësimor në raportet mësues-nxënës apo vetë grupmoshave. Fatmirësisht duke qenë të afërt dhe në njohje, drejtoria e shkollës, mësuesit kujdestare apo ata të lëndës përpiqen që t’i zgjidhin me marrëveshje këto problematike pa qenë nevoja për të marrë masa disiplinore për raste të tilla.


A ndodh që nxënësit të trokasin në derën e drejtoreshës? Si i prisni?

Duke qenë një natyrë komunikative dhe sensitive ndaj problematikave të ndryshme, përpiqem që të depërtoj sa më thellë në psikikën e nxënësit duke u azhornuar me problemet që mund të lindin. Nxënësit kanë krijuar besimin tek unë dhe shpesh herë nuk hezitojnë që të trokasin në derën time, komunikimet me ta janë frytdhënëse.


Për çfarë krenoheni më shumë si drejtoreshë e kësaj shkolle?

Shkolla jonë me dekada është përmendur për cilësinë pasi dhe produkti që ka nxjerrë ka qenë i kënaqshëm e kjo traditë vazhdon edhe sot, por përpos kësaj dua të theksoj dhe të vlerësoj vendosjen e cilësive dhe standardeve dhe rregullit që mbizotëron në procesin mësimor edukativ.


Cila është motoja e shkollës suaj?

Pune e palodhur = Produktivitet


Po motoja juaj?

E njëjta, “Me pune dhe përkushtim ka vetëm produktivitet”.


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

6,934 Lexime
6 vjet më parë