
Mësuesja Merita Kastrati Bërdica, letër prindërve: Fëmijët provohen nesër, por ne jemi thirrur që dje!
Nesër është provimi i radhës i lirimit për nxënësit e klasave të 9-ta! Mësuesja Merita Kastrati Bërdica u drejtohet prindërve me një letër të ndjerë: një thirrje reflektimi për bashkëpunim të vërtetë mes shkollës dhe familjes. Ende ka kohë për të ndryshuar!
Letër prindërve
Të dashur prindër!
Viti shkollor për fëmijët tuaj sa ka përfunduar.
(Është kohë provimesh)
Fëmijët tanë në shtator kalojnë në një fazë tjetër…fazën e shkollës së mesme. Dhe për këtë arsye po ju drejtohem.
Po ju shkruaj jo nga detyra, por nga shqetësimi. Jo për të gjykuar, por për të reflektuar së bashku mbi një realitet që shpesh e fshehim pas justifikimeve.
Edukimi i fëmijëve nuk është dhe nuk ka qenë kurrë vetëm mision i shkollës. Ai është një bashkëpunim i vazhdueshëm mes jush dhe nesh, një rrugëtim që ka kuptim vetëm kur e ecim bashkë me të gjitha sfidat e jetës së tyre.
Tani e katër vjet jam përpjekur me të gjitha forcat që të jem për fëmijët tuaj ( gjithashtu edhe të mitë ) më shumë se një mësuese.
Kam qenë aty kur kanë qarë.
Kur kanë qeshur.
Kur janë ndjerë të lumtur.
Kur nuk kanë ditur si të përballen me vështirësitë…
Kam punuar me ta jo vetëm për të mësuar të lexuarit e të shkruarit, por për t’i mësuar si të arrijnë të argumentojnë me anë të një logjike të qetë dhe jo nga fryn era.
Të ecin mbi boten reale mbi atë sureale.
Për t’i mësuar të jenë njerëz.
Për t’i mësuar si të respektojnë njëri-tjetrin,
Për t’i mësuar si të përballen me botën që i pret jashtë këtyre mureve.
Por, për fat të keq, shumë herë e kam ndier veten vetëm në këtë përpjekje.
Kam pritur…
Kam pritur e do të pres deri sa ta kryej këtë profesion e mision, që të më shkruani, të vini në takime, të interesoheni për fëmijën tuaj jo vetëm kur merr nota të ulëta, por edhe kur përparon e ka nevojë për mbështetje.
Kam pritur që të mos më shihni si një mësuese që vetëm kritikon, por si një aleate që përpiqet të ndihmojë.
Kam pritur katër vjet që të kuptoni se edhe sjellja, edhe morali, edhe përgjegjësia e fëmijëve nuk mësohen vetëm në klasë, ato fillojnë nga shtëpia.
Kam pritur edhe për celularin…
Kam pritur edhe për fikjen e internetit, mbasi është vënë një orar i caktuar për të fjetur, që fëmija të mos lundrojnë gjatë gjithë natës dhe të nesërmen të mos zgjohet me sytë e skuqur.
Tashmë, pas gjithë këtyre viteve, nuk është se kam humbur shpresën, por koha ka bërë të sajën. Fëmijët janë rritur, kanë krijuar zakone, qëndrime, mënyra të të menduarit që nuk mund të ndryshohen brenda ditës.
Tashmë, kur ndoshta e kuptoni që keni munguar, është vështirë të kthehemi në fillim.
Disa prej tyre, fëmijëve, nuk kanë më durim për të dëgjuar këshilla, nuk kanë vetëdijen për të pranuar përgjegjësi, sepse nuk janë mësuar me to që në fillim. Dhe ky nuk është faj i tyre, është pasojë e mungesës së bashkëpunimit tonë.
Unë nuk ju shkruaj për t’ju fajësuar, sepse e di që jeta është e vështirë, se shumë prej jush punoni gjatë, jeni të lodhur, ndoshta të mbingarkuar me halle të përditshme.
Por edukimi nuk mund të jetë prioritet vetëm kur është shumë vonë. Fëmija ka nevojë për praninë tuaj sot, jo nesër, sepse nesër ndoshta nuk dëgjon më.
Nesër ndoshta nuk ju kërkon më. Dhe kur ta kuptoni këtë, do jetë vonë për të ndryshuar gjithçka.
Kjo letër nuk është falënderim për mua, sepse ajo që kam bërë e do të bëj në të ardhmen është detyra ime sublime.
Është një thirrje, ndoshta e fundit, për të gjithë ata që kanë ende mundësi të ndikojnë në jetën e fëmijës së tyre, sepse edhe pse për disa mund të jetë vonë, për të tjerët ka ende kohë.
Le ta bëjmë të ardhmen më të mirë për ata që vijnë pas tyre.
Le ta ndërtojmë një partneritet të vërtetë mes nesh, që fëmijët tanë të kenë mbështetjen që meritojnë në shtëpi dhe në shkollë.
Me dashuri mësuesja e fëmijëve tuaj!
Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fitorja e Dibrës në Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe – Bisedë me Marsida Vishka, drejtoreshë e “Selim Alliu”
Fiqiri Çifliku: Portali Shkollor Albas, hapësira ku fjalët e lira bëjnë ndryshimin
Fitorja e Dibrës në Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe – Bisedë me Marsida Vishka, drejtoreshë e “Selim Alliu”