Promovim libri

“MiniGuida, Shkodra” promovohet në Shkodër, autorja Melisa Paci bashkëbisedim me të rinjtë e qytetit

“MiniGuida, Shkodra” u promovua në Universitetin “Luigj Gurakuqi” si pjesë e projektit të ALBAS për guidat e qyteteve shqiptare. Jo thjesht turistik, libri sjell ndjesi, histori, figura e thesare kulturore që bëjnë Shkodrën të paharrueshme.

Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, u zhvillua sot promovimi i librit “MiniGuida, Shkodra”, një botim i shtëpisë botuese ALBAS, si pjesë e projektit të saj të veçantë për hartimin dhe botimin e guidave të qyteteve të trojeve shqiptare. 



Pas botimeve “MiniGuida Tirana” dhe “MiniGuida Elbasani”, kjo është guida e tretë që i kushtohet një qyteti të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare, për të vijuar më pas me guida të tjera së shpejti. 


Aktiviteti u organizua nga Departamenti i Romantikës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, dhe mblodhi rreth vetes studentë, nxënës, pedagogë e dashamirës të librit dhe historisë.

Në panelin e të ftuarve ishin Tea Çuni, Drejtuese e Departamentit të Komunikimit dhe Promovimit në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”; Rudina Uruçi, mësuese e historisë në shkollën 9-vjeçare “Ismail Qemali”, së bashku me nxënës të saj dhe e pranishmja speciale Melisa Paci, autorja e librit, me të cilën u zhvillua një bashkëbisedim i hapur dhe frymëzues.

Tea Çuni vlerësoi qasjen ndryshe që sjell kjo guidë, duke u shprehur se “E veçanta e kësaj guide është mënyra se si e rrëfen qytetin. Është përshkrim ndjesor i qytetit. Është më shumë një përshkrim i ngjarjeve, i emocioneve të qytetit.”



Nga ana e saj, autorja Melisa Paci tregoi se ky projekt i ishte propozuar pak para pandemisë. 


“Me thënë të drejtën, përpara se të thoja po, u mendova dy-tri herë. Më dukej një përgjegjësi e madhe të shkruaja guidën e një qyteti që ka kaq shumë histori, që mbart ngjarje të lashta dhe ka peshë të jashtëzakonshme. Është një qytet që të kalon edhe ty atë peshë.”, tha Paci gjatë fjalës së saj. 



Ajo theksoi se “Mini guida, Shkodra” nuk është thjesht një udhërrëfyes turistik, por një hyrje e ndjerë në shpirtin e qytetit. Përmes faqeve të saj lexuesi udhëton në legjenda dhe histori, njihet me figura të shquara të së shkuarës dhe të sotmes, viziton vende dhe thesare të trashëgimisë kulturore që e bëjnë Shkodrën tërheqëse për çdo vizitor apo qytetar që dëshiron ta njohë më mirë vendin e vet.



Ky promovim ishte një tjetër hap i rëndësishëm për afirmimin e vlerave lokale përmes botimeve të kujdesshme, që jo vetëm informojnë, por edhe edukojnë, frymëzojnë dhe ruajnë kujtesën kulturore të qyteteve shqiptare. ALBAS, përmes këtij projekti të guidave, synon të nxjerrë në dritë pasuritë historike, kulturore dhe shpirtërore që mbartin qytetet tona.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,943 Lexime
2 muaj më parë