Reflektim

Miqësi e ngushtë apo shoqëri?

A janë në gjendje këta të rinj t’ua rrëfejnë një të fshehtë shoqërisë bashkëbiseduese? Apo mos vallë kjo shoqëri ngelet thjesht një stuhi ç’orientuese që distancon me kalimin e kohës mendjen nga shpirti?-Një refleksion nga mësuesi Evans Drishti.

Një rrëmujë u dëgjua në çast, vinte si një përplasje mes dy a më shumë vetash. Por s’ishte diçka e papritur, madje reflektonte një epërsi të zakonshme përtej faktit se arrije ta kuptoje menjëherë edhe drejtimin prej nga vinte. Aty nga fundi i korridorit dëgjohej kjo zhurmë, që vinte në formën e një rrëmuje, natyrshëm aspak të dëshiruar, por që shqisat e të dëgjuarit tashmë e kishin tejet të thjeshtë përceptimin e momentit. Nxitoi për të mbërritur në atë klasë, me një gjaknxehtësi përzier disi edhe me një tendencë për ti dhënë një dorë të shpejtë ndryshimi rrethanës së krijuar si dhe, ndoshta për ta vënë në qetësinë e shumëdëshiruar atë ambient. Sapo zuri hapin e parë mu në hyrje mbizotëroi rrufeshëm një qetësi që ishte aq e dëshirueshme në atë moment sa të përpinte dhe të ofronte një mundësi për të kuptuar rrethanën e krijuar.  


Në shumë raste njerëzit kuptohen shumë shpejt nëpërmjet vështrimeve pasi gjuha shpirtërore depërton dukshëm në mendjen dhe shpirtin e atij apo atyre që vërtet duan të të kuptojnë. Një vështrim i shpejtë me sy që depërtoi përreth, si për të kuptuar se ç’po ndodhte… Edhe pse qëndrimet e tyre në distancë, në zbatim të rregullave të Covid-19, bisedat rreth përditshmërive jehonin bujshëm të shoqëruara natyrshëm edhe me një gaz dhe harmoni, që në disa raste të dukej sikur nuk përcillte ndonjë sinqeritet të mirëfilltë. 

Biseda mes tyre u ndërpre për të nisur një tjetër bashkëbisedim, ku në fokus qëndronte pikërisht “shoqëria” dhe “miqësia e ngushtë”, bisedë kjo që në fakt erdhi si rrjedhojë e atyre relatave të vrullshme dhe po aq të zhurmshme mes njëri-tjetrit.


“Sa shumë flasin dhe bashkëbisedojnë brezat e rinj në kohët e sotme!?”. Po për çfarë vallë bisedojnë kaq gjatë dhe plot zell?

Ua drejton pyetjen për nga kureshtja dhe përgjigjet vijnë menjëherë: 

Në të shumtën e rasteve bisedat janë rreth videove apo fenomeneve që përcillen në rrjete sociale. 

Një pjesë janë komente humoristike rreth fotove të ndryshme. 

Një pjesë bëhen rreth përditshmërive në të shumtën e rasteve të rëndomta dhe pa ndonjë sens. 

Një pjesë e bisedave bëhen për debatet apo zhurmat pa asnjë interes që shfaqen në ambiente të ndryshme.

Një pjesë për mesazhet e panumërta të shkëmbyera mes njëri-tjetrit etj.,etj. …


Shpreson për një çast të marrë edhe ndonjë përgjigje domethënëse dhe vlerësuese, sipas së cilës mund të ketë edhe ndonjë bisedë që mund të zhvillohej rreth formimit të tyre apo prespektivave për të ardhmen, por përgjigja është zhgënjyese… 


Marrë shkas nga kjo rrethanë e krijuar u sjell në vëmendje miqësitë e ngushta të viteve të mëparshme,

atëherë kur të rinjtë bashkëbisedonin plot dëshira të zjarrta rreth temave të ditës, 

atëherë kur djali apo vajza ndihmonte me plot dashamirësi shokun apo shoqen e vet si në mbarëvajtjen e mësimeve ashtu edhe në realizimin e detyrave, 

atëherë kur çdonjëri kontribuonte me plot pasion jo vetëm në harmonizimin e ambientit, por edhe mirëmbajtjen e tij ,

atëherë kur libri ishte tema e vazhdueshme dhe aspak e mërzitshme ,

atëherë kur sinqeriteti dhe respekti reflektonin dukshëm në fytyrën e secilit pa asnjë interes personal,

atëherë kur puna në grupe ishte mjaft dobiprurëse pa asnjë xhelozi dashakeqëse, 

atëherë kur egoja dhe ambicia depërtonin thellë në shpirtin dhe mëndjen e secilit për të arritur më të mirën e mundshme, 

atëherë kur modelet dhe shembujt e një miqësie të ngushtë e të sinqertë ishin të shumtë, 

atëherë kur buzëqeshja ishte fisnike dhe kur morali dhe etikja përbënin emëruesin e përbashkët të çdo bashkëbisedimi…



Për pak çaste ra heshtje… Nuk ishte shumë e largët koha për të cilën bëhej fjalë, por pse vallë qëndronin si të huaja këto reflektime, ndërkohë që “rrjetet sociale” s’mund të përbënin “armikun e përbetuar të shpërbërjes së miqësisë së ngushtë”? 


A janë në gjendje këta të rinj t’ua rrëfejnë një të fshehtë shoqërisë bashkëbiseduese? Apo mos vallë kjo shoqëri ngelet thjesht një stuhi ç’orientuese që distancon me kalimin e kohës mendjen nga shpirti? 



Nga mësuesi Evans Drishti

 

Publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

417 Lexime
6 ditë më parë