Aktualitet

Ndryshimet e ligjit se si do të bëhet emërimi, ulja në detyrë dhe shkarkimi i drejtuesve në shkolla

Ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin për arsimin parauniversitar, të cilat tashmë janë zbardhur edhe në Fletoren Zyrtare të Qeverisë, përcaktojnë se si do të emërohen, do të ulen në detyrë ose shkarkohen drejtuesit në shkolla. Detajet jepen në artikullin më poshtë.

Konkurrimi i hapur do të jetë forma se si do të veprohet për përzgjedhjen e drejtuesve të shkollave në arsimin parauniversitar publik. Ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin për arsimin parauniversitar, të cilat tashmë janë zbardhur edhe në Fletoren Zyrtare të Qeverisë përcaktojnë se drejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga titullari i institucionit rajonal arsimor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar, pas propozimit të dy kandidatëve që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Ndërkohë që pjesë e komisionit të vlerësimit janë: një përfaqësues i njësisë bazë të vetëqeverisjes vendore, një përfaqësues i institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues të institucionit arsimor, të zgjedhur nga këshilli i mësuesve. Njëri prej dy mësuesve, me përvojën më të gjatë në atë institucion arsimor, drejton komisionin e vlerësimit. Ndërsa nëndrejtori do të emërohet nga titullari i institucionit publik arsimor parauniveristar përkatës po ashtu pas propozimit të dy kandidatëve, që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit.


Kriteret


Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë fituar të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar”, si dhe të jetë i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar. Certifikimi i kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor kryhet pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në shkollën e drejtorëve për drejtimin e institucionit arsimor.

Në rastet kur asnjë nga kandidatët për drejtor ose nëndrejtor nuk është i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar, komisioni propozon dy kandidatë që vlerësohen sipas procedurave përkatëse. Titullari i institucionit përkatës emëron një nga kandidatët për një periudhë 1-vjeçare, me kushtin që kandidati të jetë pranuar në shkollën e drejtorëve. Pas përfundimit të kësaj periudhe, rishpallet procedura për përzgjedhjen e drejtuesit të institucionit arsimor.

Në asnjë rast, drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike.


Ulja në detyrë


Ulja në detyrë e një drejtori shkolle do të bëhet në rastet kur pas vlerësimit vjetor të performancës nga ana e institucionit vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, rezulton me performancë jo të kënaqshme. Ndaj tij merret masa disiplinore e uljes në detyrë nga titullari i institucionit rajonal përgjegjës për arsimin parauniversitar dhe kalon në pozicionin e punës si mësues në profilin e tij brenda të njëjtit institucion arsimor ose në institucionin arsimor më të afërt, brenda të njëjtit institucion vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar.


Pezullimi


Për drejtorin pezullohet marrëdhënia e punës dhe efektet financiare deri në shpalljen e vendimit të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente në rastet kur: gjykata ka vendosur masat e sigurimit personal ndaj tij ose është në proces hetimi për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 60/1 të ligjit për arsimin parauniversitar në vend.


Shkarkimi


Janë tetë shkeljet e përcaktuara ndaj të cilave do të veprohet me shkarkimin e drejtorit në një shkollë të arsimit parauniversitar në vend. Shkarkimi do të ndodhë kur një vendim të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente për kryerjen e një vepre penale, apo të një vepre penale që dënohet me burgim.

E njëjta masë do të merret pas rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për inspektimin, sigurimin e cilësisë, vlerësimin, menaxhimin, ndjekjen dhe kontrollin e institucioneve të arsimit parauniversitar për pajtueshmërinë e veprimtarisë së tyre me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, për parregullsi ose dobësi të theksuara në menaxhimin e shkollës përkatëse.

Drejtori do të shkarkohet edhe kur ka rast të përsëritur të shkeljeve për të cilat është ende në fuqi masa e vendosur nga Komisioni i Disiplinës “Paralajmërim për largim nga puna”.

Kjo masë do të jepet edhe kur faktohet se drejtori ka kryer shkelje të procedurave të zhvillimit të provimeve kombëtare të arsimit bazë dhe/ose të Maturës Shtetërore, ka organizuar ose ka lejuar gjatë procesit mësimor pjesëmarrjen e mësuesve apo të nxënësve në veprimtari partiake ose ka marrë pjesë në to.


Edhe për rastet kur konstatohet se pas emërimit, drejtori bën pjesë në forumet drejtuese të partive politike do të merret vendimi për shkarkimin e tij. Në këtë rast drejtori i institucionit vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar i kërkon zyrtarisht institucionit rajonal përgjegjës për arsimin parauniveristar shkarkimin e drejtorit nga funksioni që kryen. Ky vendim merret jo më shumë se pesë ditë pas marrjes së kërkesës.

Performanca e dobët e shkollës do të jetë një tjetër kriter shkarkimi. “Kur shkolla që drejton ka dy vlerësime të njëpasnjëshme “Dobët” nga institucioni vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, ndaj drejtorit do të merret masa e shkarkimit nga detyra”, përcaktohet në ndryshimet ligjore të zbardhura për arsimin parauniversitar.

Përfundimi i marrëdhënies së punës së drejtorit bëhet në këto raste: jep dorëheqjen, mbush moshën e pensionit, me vendim të komisionit mjekoligjor provohet paaftësia për kryerjen e detyrave, si dhe kur merret masa disiplinore e largimit nga puna.

Drejtori dhe nëndrejtori kanë të drejtë të dëgjohen nga titullari i institucionit përkatës para se të merret njëra prej masave të sipërcituara. Seanca dëgjimore dokumentohet me procesverbal.

Sipas ndryshimeve të bëra në ligj, emërimi ose shkarkimi i drejtorit dhe nëndrejtorit në institucionin arsimor privat kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga vetë institucioni në rregulloren e tij. Kriteret e kualifikimit të përcaktuara për drejtorin dhe nëndrejtorin e institucionit arsimor publik janë të njëjta edhe për drejtorin dhe nëndrejtorin e institucionit arsimor privat.


Ndalimi për të punuar në sistemin arsimor parauniversitar


Punonjësi arsimor, si dhe çdo punonjës tjetër i sistemit arsimor, që punon me fëmijët, nuk mund të punësohet dhe, kur është i punësuar, përfundon marrëdhënien e punës në rast se: është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale. Ose është dënuar me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, që, për shkak të natyrës së veprës së kryer, diskrediton pozitën dhe figurën e punonjësit arsimor ose dëmton rëndë besimin e publikut në sistemin arsimor, pavarësisht nëse është rehabilituar sipas parashikimeve të Kodit Penal”. Veprat penale përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.



Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

9,043 Lexime
11 muaj më parë