Ndryshimet në rregulloren e Maturës, administratorët ngarkohen me përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit

Ministria e Arsimit ka publikuar rregulloren e re të Maturës Shtetërore, ku administratorët kanë përgjegjësi për mbarëvajtjen e provimeve. Nxënësit mbetës nuk do të lejohen në testim, ndërsa përdorimi i celularëve gjatë provimit ndëshkohet me përjashtim.

Ministria e Arsimit ka publikuar rregulloren e re të Maturës Shtetërore, e cila parashikon disa ndryshime nga ajo e një viti më parë. Drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, Mirela Cami, sqaron se të gjithë nxënësit që nuk e kanë kaluar vitin shkollor nuk do të mund t’i nënshtrohen provimeve të maturës, edhe nëse do të kërkojnë ta bëjnë këtë, pasi drejtoritë rajonale, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe të gjitha institucionet edukative do të njoftohen në mbyllje të vitit shkollor për listën emërore të këtyre nxënësve.


"Ndryshimet apo shtesat që kemi bërë në rregulloren e maturës së këtij viti, konsistojnë në përmirësimin e komunikimit institucional, që do të thotë në lidhje me nxënësit që nuk do të hyjnë në provimet e maturës sepse janë nxënës mbetës. Para hyrjes në qendrat e provimeve lista  do të kaloj nga administratorët e testimeve në mënyrë që të shmangen nxënësit që nuk plotësojnë kriteret për të hyrë në provimet e maturës", tha Drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, Mirela Cami,


Në rregulloren e këtij viti, administratorët nuk do të kenë vetëm detyra, por edhe përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit.

“Janë përcaktuar më qartë përgjegjësitë e administratorëve të testimit, me qëllim që të garantojmë që ky proces të kryhet në mënyrë të rregullt dhe të garantojë integritetin”, tha Cami.


Masa të ashpra parashikohen për të gjithë maturantët që do të konstatohet se kanë celularë gjatë provimit.


“Në rastet kur maturanti do të kapet me celular apo duke komunikuar me maturantë të tjerë lidhur me tezën, ai do të përjashtohet nga provimi”, tha ajo.


Provimet e maturës do të përmbajnë 30-35 pyetje, duke përfshirë pyetje me alternativa dhe shtjellim. Për të marrë notën 10 absolute, maturanti duhet të grumbullojë 60 pikë të mundshme. 


Shënim: Për më shumë informacione rreth maturës së këtij viti, klikoni këtu 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

439 Lexime
3 orë më parë