Folja e shkruar gabim

Në vend që të ndihet krenare, sipas medieve tona, Dua Lipa kërkon “falje” që është krenare

Një folje e shkruar gabim ndryshon krejtësisht përmbajtjen e duhur. Disa portale dhe gazeta shkruajnë me kapitale se Dua Lipa“ndjehej shumë krenare. Po ndjehej shumë mirë në shtëpinë e saj”. Por “ndiej” e “ndjej” janë dy folje me kuptim krejt të ndryshëm, që ndryshojnë tërësisht edhe përmbajtjen e lajmit...

Duke shfletuar disa portale dhe gazeta, hasa disa tituj me kapitale, që shkruanin për Dua Lipën, këngëtaren tonë me famë botërore, se “ndjehej shumë krenare, po ndjehej shumë mirë në shtëpinë e saj”. 


Edhe pse Dua ka lindur në Londër të Britanisë së Madhe dhe nuk ka bërë gjuhë shqipe në shkollë, ajo e flet aq bukur dhe saktë atë, me atë dialektin e bukur prishtinas. Në atë konferencë ajo thotë saktë:  “Ndihena shumë krenare... Po ndihena mirë që jam në vendin tim, në shtëpinë time...”. Kurse këto portale shqiptare, që duhet të kenë edhe redaktor gjuhësor, i shkruajnë me kaq gabime lajmet e tyre. 


Nxitur nga këta tituj, që nuk e respektojnë gjuhën shqipe, le të risjellim edhe një herë shkrimin për foljen “NDIEJ”, që vazhdon të përdoret gabim nga shumë medie dhe portale tona!


Lexojeni dhe shkruajeni saktë atë!


NDIEJ apo NDJEJ?

Kur ne “falim”, në vend që të “ndiejmë” 


Folja “Ndiej” dhe ajo “Ndjej” janë dy folje me kuptim krejt të ndryshëm nga njëra-tjetra. Këtë dallim në të shkruar e bën shkronja “i” dhe “j”, ku njëra shkruhet me “i” dhe tjetra me “j”, kurse nga ana kuptimore njëra tregon një ndjesi/ndjenjë, kurse tjetra fal një faj ose gabim. 


Ja kuptimi i këtyre dy foljeve, i shkëputur nga fjalori:  

1. NDIEJ kal. – I. Kap me anë të shqisave ngacmimet dhe dukuritë e botës së jashtme; ndijoj. Ndiej zërin (shijen, erën). Ndien të ftohtët...

II. Provoj një ndjenjë a një gjendje shpirtërore. Ndiej kënaqësi (mërzi, bezdi). Ndien gëzim (hidhërim, pezmatim). Ndien një dëshirë. Ndiente frikë. Ndien neveri (krupë). Nuk ndien asgjë për të nuk e do, nuk e dashuron.


2. NDJEJ kal. - I fal me dashamirësi një faj a një gabim dikujt. I ndjej fajin. Më ndjeni! Më falni! E ndjeu Zoti. 


Pra, për të mos i ngatërruar me njëra-tjetrën, në raste të caktuara, duhet të dimë se: 

a) folja “ndjej” ka një përdorim shumë të vogël, krahasuar me foljen “ndiej”;

 b) folja “ndiej” vetëm në të kryerën e thjeshtë të dëftores dhe të tashmen e dëshirores merr “j”: unë ndjeva; unë ndjefsha, kurse në të gjitha mënyrat e tjera dhe kohët e tyre del me i”.



Zgjedhimi i foljes “ndiej’.

Përgatiti: Sevi Lami Agolli

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,985 Lexime
1 vit më parë