Viti akademik 2020-2021

Nis viti i ri akademik, studentët dalin në protestë me disa kërkesa: Jemi të papërgatitur për mësimin online

Ka nisur sot viti i ri akademik 2020-2021, por jo si çdo vit tjetër, pasi për shkak të situatës së COVID-19 është vendosur që pedagogët dhe studentët nuk do t’i kthehen auditorëve. Ndërkohë përpara MASR disa studentë kanë nisur protestën duke shpalosur disa kërkesa.

Sot ka nisur online viti i ri akademik 2020-2021. 


Veçanërisht rreth 21 mijë student që prisnin të hynin për herë të parë në fakultete, do ta ndjekin atë online. Ishte vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve, ai që la studentët e vitit të parë në shtëpi, për të mos u futur si çdo vit në dyert e fakulteteve, në mënyrë që të shmangen grumbullimet dhe përhapja e COVID-19.


Edhe konviktet janë të mbyllura. Ky vendim, është marrë vetëm për muajin e parë, ndërsa më vonë mund të ndryshojë, në varësi të shtimit apo pakësimit të numrit të të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri, të paktën kështu u shpreh në daljen e saj të fundit për këtë çështje Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli. 


“Lëvizja për universitetin” proteston kundër mësimit online 

Gjithsesi, studentët nuk janë dakord me mësimin online. Sot “Lëvizja për universitetin” kanë dalë në protestë para MASR, ku kërkojnë mësim në auditorë ose të paktën të kombinuar, përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.


Disa prej studentëve kanë folur për mediat se mësimi online është i pavlefshëm dhe qesharak. Të tjerë kanë thënë se ky lloj mësimi predikon injorancë. 


Në mbështetje të tyre i janë bashkuar protestës edhe disa pedagogë.


Policia ndërkohë i bën thirrje për tu shpërndarë pasi sipas masave të marra për shkak të pandemisë, grumbullimet nuk lejohen. “Policia do të zbatojë ligjin”, bëjnë thirrje blutë e kryeqytetit me megafon.

Mes studentëve dhe policisë nuk munguan as tensionet, teksa protestuesit vendosën më pas të bllokojnë rrugën.

Teksa janë ende duke zhvilluar protestën disa prej studentëve janë pa maska dhe nuk po respektojnë distancat, pra nuk po respektojnë rregullat kundër COVID-19. 


Studentët pretendojnë se që prej karantinës së parë të muajit mars, kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë dhe se qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta. Për shkak të mungesës së mjeteve teknike, ata shtojnë se mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online dhe mijëra të tjerë mbetën të papunë, duke mos pasur mundësi të paguanin as qiratë.


Ministrja Kushi: Vendimi nuk qe i lehtë, ja se si mund t’ia dalim 

Sakaq, dje në një postim në profilin e saj zyrtar të Facebook, ministrja e Arsimit, Evis Kushi u ka uruar pedagogëve e studentëve një vit akademik të mbarë dhe të suksesshëm, duke theksuar se “jam mëse e vetëdijshme për paqartësitë që krijon situata aktuale, por kjo nuk duhet të na trembë. Përkundrazi, duhet të na japë forcë, shumë qetësi e vendosmëri që edhe përgjatë këtij viti akademik të arrijmë maksimumin”. 

Ky është postimi i plotë i ministres së MASR, Evis Kushi një ditë përpara fillimit të vitit akademik.  



Të dashur studentë dhe pedagogë! 


Nesër nisim një vit akademik sfidues, i cili vjen në vazhdimësinë e vitit të kaluar që u mbyll me mjaft vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19. Ndërkohë që sfidat vazhdojnë të jenë të shumta, duket që edhe ky vit do të jetë i pazakontë dhe aspak i lehtë, jo vetëm këtu por në të gjithë globin. 


Në këtë kuadër, nga thellësia e zemrës dua t’ju uroj të gjithëve pa përjashtim një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm!


Si Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, jam mëse e vetëdijshme për paqartësitë që krijon situata aktuale, por kjo nuk duhet të na trembë. Përkundrazi, duhet të na japë forcë, shumë qetësi e vendosmëri që edhe përgjatë këtij viti akademik të arrijmë maksimumin. 

Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit. Një vendim aspak i lehtë ky, i imponuar nga ecuria dhe dinamika e pandemisë, por që fatmirësisht i ka gjetur universitetet tona të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje.

Nga takimet e realizuara kohët e fundit me drejtuesit e universiteteve, jam informuar që janë marrë të gjitha masat e nevojshme që të kemi një nisje optimale në këtë fillim-viti akademik. Më vjen mirë që çdo universitet ka tashmë gati metodën e tij specifike të “mësimit të kombinuar”, si “online”, ashtu edhe në auditore kur kjo të jetë e mundur, në respekt të plotë të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. 

Në fund, një lutje për të gjithë ju, që në asnjë moment të mos neglizhoni respektimin e masave anti-COVID. Kjo është e vetmja mënyrë që ne ta kapërcejmë sa më lehtë këtë periudhë dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit që të gjithë dëshirojmë. 

Suksese dhe shëndet të mirë për të gjithë!




Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,279 Lexime
3 vjet më parë