EDUKIMI

Partneriteti shkollë-familje, një domosdoshmëri

Ndërtimi dhe zhvillimi i partneritetit shkollë-familje, po shfaqet si një ndër tematikat më aktuale në diskutimet dhe qasjet profesionale të drejtuesve të institucioneve shkollore, mësuesve, specialistëve dhe kërkuesve shkencor të fushës së edukimit.

Ndërtimi dhe zhvillimi i partneritetit shkollë-familje, po shfaqet si një ndër tematikat më aktuale në diskutimet dhe qasjet profesionale të drejtuesve të institucioneve shkollore, mësuesve, specialistëve dhe kërkuesve shkencor të fushës së edukimit. Kjo, jo vetëm për shkak të interesit të shkollës për përmirësimin e cilësisë së shërbimit të saj, por edhe për faktin se familja ka një rol dhe potencial të konsiderueshëm në efektivitetin e edukimit të fëmijëve. Qëllimi është që të përmirësohet cilësia e edukimit të fëmijëve, duke ngritur nivelin e përfshirjes prindërore në jetën e shkollës dhe në çështjet e arsimit në tërësi.


Gjithashtu, duke ju referuar studimeve të autorëve të ndryshëm, të cilët kanë trajtuar karakteristikat dhe aspektet e përfshirjes së prindërve në veprimtarinë e shkollës, mund të bëhen disa klasifikime të qasjeve apo këndvështrimeve të tyre lidhur me aspektet e kësaj tematike. 


Në klasifikimin e parë, mund të konsiderohen ato autorë, kërkimet e të cilëve e trajtojnë partneritetin shkollë-familje në kontekstin institucional, pra të cilësisë së menaxhimit të shkollës. Në këto kërkime, nënvizohet rëndësia e përfshirjes së prindërve në vendimmarrjen dhe administrimin e shkollës. Rastet, përvojat dhe modelet e trajtuara në këto kërkime, evidentojnë filozofinë dhe parimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë që duhet të karakterizojnë institucionet shkollore që referohen si modele të suksesshme të menaxhimit. Menaxhimi/drejtimi i shkollave bëhet më i dobët për shkak të përfshirjes së ulët apo të munguar të prindërve në aspektet financiare dhe të vendimmarrjes së saj.


Përmirësimin e performancës/arritjeve të sjelljes: edhe në këtë aspekt, gjithashtu nënvizohet se pjesëmarrja e prindërve ka ndikim pozitiv edhe në performancën sociale dhe atë të sjelljes së nxënësit. Sa më të përfshirë dhe aktivë të jenë prindërit në mbështetje të fëmijës/nxënësit, aq më pozitive do të demonstrohen karakteristikat dhe arritjet e tyre sociale. Sidomos, përfshirja e prindërve merr një rëndësi të veçantë për shkollën në: 


- Kapërcimin e barrierave të ndryshme dhe rritjen e kohezionit dhe integrimit social-kulturor të nxënësve, por dhe komuniteteve shkollore.

- Menaxhimin e sjelljeve të rrezikshme të nxënësve. 

- Arritjen e potencialit të nxënësve si në aspektin e perceptimit racional të vetes, por edhe të ndërtimit dhe ndërveprimit social të tyre.


Qasjet e kërkimeve, që i referohen këndvështrimit të mësuesve për përfshirjen e prindërve, trajtojnë dhe nënvizojnë rolin dhe rëndësinë e komunikimit të shkollës me prindërit duke e trajtuar këtë si “instrumentin” apo mjetin kyç për ndërtimin e partneritetit të shkollë-prindër. Ndërsa, në të tjera kërkime të kësaj perspektive, evidentohen përvojat dhe modelet e veprimtarisë mësimore të prindërve në mjedisin familjar, si dhe konsideratat që ata kanë për faktorët dhe shkaktarët që mbështesin apo pengojnë realizimin e këtij aspekti. 


Kërkimet e kategorizuara në klasifikimin e mësipërm, fokusohen në trajtimin e pengesave që identifikohen në përfshirjen efektive si për mësuesit ashtu edhe për prindërit. Studimet në këtë drejtim, evidencojnë që natyra e pengesave që karakterizojnë prindërit për një pjesëmarrje të suksesshme janë të tilla; mungesë interesi ndaj fëmijës, pamundësi për t`iu përgjigjur kërkesave të shkollës në këtë drejtim, diferencat kulturore dhe gjuhësore të familjes me shkollën, kompleksi i shfaqjes së nivelit të ulët edukues të prindërve, mungesë njohje dhe informimi mbi bashkëpunimin shkollë-familje, mungesë besimi ndaj shkollës.  Ndërsa, natyra e pengesave që evidencohen tek përfshirja efektive e mësuesve është e tillë: Koha e kufizuar, kultura profesionale e mësuesit, përvoja menaxhuese e shkollës, qëndrimi ndaj kritikave të mundshme, paragjykimi dhe pritshmëritë e ulëta ndaj aftësive të prindërve.



Shkaqet kryesore që pengojnë një komunikim dhe bashkëpunim më të mirë të prindërve me shkollën janë:


• Ngarkesa e prindërve me aktivitete, punë dhe angazhime të tjera, problemet e tyre ekonomike dhe sociale (qe përbëjnë arsyen e përmendur më shpesh nga ana e tyre)

• Indiferenca e tyre në kontrollin e fëmijës

• Indiferenca dhe moskomunikimi me mësuesit dhe drejtuesit e shkollës

• Organizimi i një numri të pakët mbledhjesh me prindër si dhe bërja e tyre jo në kohen e duhur

• Mungesa e motivimit dhe kualifikimit të mësuesve

• Mosinformimi për atë që ndodh në shkollë

• Anashkalimi i rolit të prindërve për atë që ndodh në shkollë dhe në partneritetin mes tyre dhe mësuesve

• Mendësia, niveli arsimor dhe kulturor i prindërve,

• Rezultatet e dobëta të fëmijës

• Ngarkesa e mësuesve

Ato çfarë propozojnë mësuesit për të rritur bashkëpunimin me prindërit janë:

• Trajnime për prindër për rolin e prindit si edukues, trajnime për mësues si dhe trajnime të përbashkëta për të dy palët

• Literaturë për këto probleme si për mësuesit edhe për prindërit

• Rekomandim modelesh dhe përvojash të mira të punës me prindërit

• Marrje të nismave nga vetë prindërit, pa pritur nga shkolla

• Bashkëpunim me psikologët dhe punonjësit socialë të shkollave

• Shkëmbim përvojë mes këshillave të prindërve

• Njohjen e prindërve me planin edukativ të shkollës që ata të përfshihen në zbatimin e tij

• Motivim i mësuesve që bashkëpunojnë me sukses me prindërit

• Përfshirja e prindërve në hartimin e planeve dhe strategjive të shkollave

• Shkolla t’i bëje prindërit të ndjehen të mirëseardhur dhe të respektuar

• Hartimi i politikave të tilla që lejojnë një pjesëmarrje më të madhe të prindërve për të siguruar partneritet

• Të sensibilizohen prindërit dhe opinioni publik nëpërmjet ciklesh emisonesh radio dhe televizive

• Hartimi i një marrveshjeje për bashkëpunim

• Krijimi i organizatave trajnuese për problemet e bashkëpunimit shkollë-familje

• Përmirësim legjislacioni që rregullon bashkëpunimin dhe përfshirjen e prindërve


Përfshirja prindërore në Shqipëri ka arritur një nivel të ndjeshëm institucionalizimi, nëpërmjet pranisë së këshillave të prindërve dhe bordeve të shkollave. Mangësitë qëndrojnë ende në çështjet që kanë të bëjnë me efektivitetin dhe vetëorganizimin e këtyre organizmave prindërore. Në shumicën e rasteve vihet re se vetë roli i prindërve është i kufizuar dhe janë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave ata që thonë fjalen kryesore dhe në një farë mënyre i japin tonin veprimtarisë së këtyre strukturave prindërore. 


Nga ana e prindërve nuk ekziston ende ndërgjegjësimi i duhur për rolin që ata mund të luajnë në edukimin e fëmijëve të tyre në shtëpi dhe në shkollë, por ky rol i besohet më shumë shkollës dhe mësuesve. Tek këta të fundit vihet re interesimi dhe prirja për të ndarë me prindërit detyrat e edukimit të fëmijëve. Bashkëpunimi me prindërit mësohet më tepër nëpërmjet përvojës së punës se sa nëpërmjet trajnimeve të organizuara dhe formimit fillestar. Këtu ka shume vend për përmirësim, ashtu siç ka vend për më shumë përfshirje te psikologëve dhe punonjësve socialë të shkollave në komunikimin dhe bashkëpunimin shkollë-prindër. Në tërësi, përfshirja e prindërve në çështjet e edukimit ka arritje por edhe nevojë për hapa të vendosura per te ardhmen e fëmijëve të tyre.




Punoi Brikena Kasmi, mësuese në shkollën "Shaban Çollaku"


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,693 Lexime
3 vjet më parë