Opinion

Për fëmijët e të pasurve, që i quajnë mësuesit “pabuksa”!

Dhe sot, teksa përpiqem të nis punën, nuk më hiqet nga mendja një shprehje që dëgjova dje nga një mësuese. "Ka fëmijë, sidomos nga ata me shumë para me vete, që na quajnë "pabuksa" ne mësuesve"...

Unë jam fëmijë mësuesi. Një mësuesi që kur e pyesja nëse duhet t'i blija ndonjë gjë, më thoshte se mund të shkoja e t'i blija ndonjë libër që sapo kishte dalë ose të shkoja e t'i laja ndonjë borxh të vogël tek një miku i vet që shiste libra.


Na e mbushte shtëpinë me kartona dhe lapsa me ngjyra, me të cilat sajonte mjete demonstruese për klasën e vet dhe për gjithë shkollën me shkrimin e tij të bukur dhe me vizatimet modeste. Një mësuesi historie që më thoshte "Mos u merr me datat dhe me shifrat. Filloje me etimologjinë e fjalës. Nuk më bëhet vonë nëse nuk mban mend fiks datën se kur u vra një mbret, por dua të di nëse kuptove pse-në, etj, etj."


Dhe sot, teksa përpiqem të nis punën, nuk më hiqet nga mendja një shprehje që dëgjova dje nga një mësuese. "Ka fëmijë, sidomos nga ata me shumë para me vete, që na quajnë ‘pabuksa’ ne mësuesve".


Jam pa fjalë. Më dhemb dhe më revolton kjo arrogancë e induktuar ndoshta edhe indirekt nga prindër të pasur, me nga ato pasuritë që me shumë gjasë janë vënë duke vjedhur në kurriz të shumë "pabuksave". 


Një njeri i ndershëm, para se t'i mësojë fëmijës të respektojë mësuesen, e mëson t'i thotë një herë faleminderit edhe pastrueses që i pastron banjën, rojës që i hap dhe i mbyll derën dhe policit që e ruan te dera çdo mëngjes, me diell apo me shi.


Pa këtë lloj respekti për njeriun, dhjetat e ekselencës nuk të bëjnë derman asgjëkund në botë, o fëmija im i dashur!



Nga Etleva Kondakçiu

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,355 Lexime
2 vjet më parë