
Për herë të parë, një fletore didaktike për fëmijët me nevoja të veçanta: “Unë dhe mjedisi rreth meje”
Për herë të parë publikohet fletorja didaktike “Unë dhe mjedisi rreth meje”, e dedikuar për fëmijët me nevoja të veçanta. Botim i ALBAS, përgatitur nga Xhensila Kokoshi, synon të zhvillojë aftësitë bazike, gjuhësore dhe njohëse, nga mosha 6 deri 14 vjeç.
Shtëpia Botuese ALBAS sjell një risi të rëndësishme në mbështetje të arsimit gjithëpërfshirës: fletoren e parë didaktike të dedikuar posaçërisht për fëmijët me nevoja të veçanta, me titull “Unë dhe mjedisi rreth meje”.
Kjo fletore pune është përgatitur nga Xhensila Kokoshi, mësuese ndihmëse dhe bashkëkoordinatore e “Rrjetit profesional të mësuesve ndihmës” pranë DRAP Korçë, në bashkëpunim me Natasha Pepivani, redaktore, specialiste didaktike dhe autore e shumë teksteve shkollore, si dhe me konsulencën e Nora Islamit, profesioniste në fushën e mbështetjes së fëmijëve me nevoja të veçanta.
Ajo është konceptuar për t’u përdorur nga fëmijët me nevoja të veçanta, nga mosha 6 deri në 14 vjeç, në përputhje me nivelin e aftësive që ata kanë.
Fletorja synon:
• t’u ofrojë fëmijëve njohuri bazike mbi jetën e përditshme dhe dukuritë që i rrethojnë;
• t’i ndihmojë të ushtrohen në të folur dhe në të shkruar përmes metodave të larmishme e argëtuese;
• të kombinojë njohuritë rreth mjedisit me zhvillimin gjuhësor, duke përforcuar procesin e lexim-shkrimit.
Përmbajtja është e ndarë në disa pjesë: njohja e vetes, dallimet gjinore, veshja dhe higjiena personale, ushqimet, frutat e perimet, stinët dhe orientimi në hapësirë. Fjalët e reja paraqiten në mënyrë të thjeshtë për t’u mësuar, shqiptuar e shkruar, duke nxitur gjithashtu edhe argëtimin gjatë procesit mësimor.
Së shpejti do të publikohet edhe libri i mësuesit për përdorimin e kësaj fletoreje, si dhe një fletore pune për lexim-shkrimin të përshtatur për këtë kategori nxënësish, pra një paketë e plotë.
Ky botim i ri i ALBAS-it shënon një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të mjeteve praktike për arsim gjithëpërfshirës dhe përforcon rolin e mësuesve dhe prindërve në zhvillimin e aftësive bazike të fëmijëve me nevoja të veçanta.
Shënim: Fletoren e punës “Unë dhe mjedisi rreth meje” për fëmijët me nevoja të veçanta mund ta blini online këtu ose në të gjitha pikat fizike të Librari Albas, në Tiranë, Prishtinë dhe në Tetovë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve
Planet mësimore dhe ditarët e teksteve shkollore të Albas Shqipëri
Miushi Magjik