Përdorimi i paketës “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli II”, disa strategji mësimdhënieje e të nxëni nga Aurela Konduri
Aurela Konduri, mësuese e gjuhës shqipe dhe e kulturës shqiptare në Diasporë e studiuese për çështje të dygjuhësisë dhe edukimit ndërkulturor jep sugjerimet e saj për përdorimin e paketës “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli II”. Intervista për Portalin Shkollor.
Në Diasporë, prej disa vitesh tashmë, fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë pasur mundësinë që të forcojnë identitetin dhe të mos humbasin lidhjen me gjuhën e origjinës dhe kulturën e pasur të vendit mëmë, nëpërmjetë paketës "Gjuha dhe kultura shqiptare".
Ky botim ka ardhur nga bashkëpunimi i dy shtëpive botuese, ndër më të njohura në trevat shqiptare, ALBAS dhe DUKAGJINI. Teksti është fitues i konkursit të shpallur nga Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës, MASR dhe MASHT, i koordinuar dhe i mbështetur nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
Paketa përmban materiale didaktike të përgatitura posaçërisht për mësimin e gjuhës shqipe dhe njohjen me traditat dhe kulturën shqiptare, e deri më tani në shkollat e gjuhës shqipe në mbarë botën janë në përdorim dy nivelet e kësaj pakete, për fëmijët nga klasa e parë në të gjashtën. Ajo e nivelit II, që përfshin klasat 4-5-6, zhvillohet për herë të parë.
Mësimi në këto shkolla ka nisur suksesshëm edhe për këtë vit. Por çfarë përmban paketa “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli II”dhe si do ta përdorin atë mësuesit shqiptarë në Diasporë? Cilat janë risitë? Për këto dhe shtjellime të tjera, Portali Shkollor Albas ka zhvilluar një intervistë me Aurela Konduri, mësuese e gjuhës shqipe dhe e kulturës shqiptare në Diasporë, studiuese për çështje të dygjuhësisë dhe edukimit ndërkulturor. Konduri jep sugjerimet e saj, gjithashtu edhe pas një eksperience të shfaqur në kanalin e youtube “Albas Media”, ku nëpërmjet një cikli videosh referon orë mësimore nga paketa për nivelin e parë, e për të tjera që janë në proces.
Çfarë do të presin mësuesit dhe nxënësit shqiptarë kudo ndodhen, nga përdorimi i paketës “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli II”. Çfarë përmban kjo paketë?
Këtë vit mësimor, mësuesit shqiptarë në diasporë e në mërgatë, për herë të parë do të punojnë me paketën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli 2” e cila është hartuar në përputhje me kurrikulën e përbashkët të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe e miratuar nga dy ministritë përkatëse të arsimit, të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Paketa përmban librin e nxënësit/es në variantin fizik dhe digjital, fletoren e punës dhe udhëzuesin për mësuesin. Teksti është ndërtuar në tri pjesë që korrespondojnë me klasat IV, V dhe VI ose SHKALLA 4, SHKALLA 4 DHE SHKALLA 6, siç janë emërtuar në tekstin e nxënësit/es. Kjo paketë vjen në vijim të tekstit “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli 1” i cili përkon me klasat I, II dhe III.
Përsa i përket strukturës së tekstit, ashtu si edhe te teksti “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli, 1”, temat mësimore janë të ndara në 9 module: Familja, Shkolla, Atdheu, E shkuara dhe e sotmja, Identitet dhe kulturë, Një botë për të gjithë, Vendlindja, Natyra dhe Veprimtaritë e mia.
Çdo modul përmban dy njësi mësimore. Secila prej njësive mësimore, përfshin mjete didaktike konkretizuese, përforcuese dhe zgjeruese, duke e praktikuar nxënësin/en me teknika të ndryshme të të mësuarit.
Tematikat e rubrikave të tekstit, ruajnë interesin e fëmijëve, reflektojnë përdorimin e gjuhës në kontekste konkrete, nxisin mendimet e tyre për dialog, diskutim e argumentim rreth një fushe të caktuar, ku paralelisht me gjuhën nxënësit zhvillojnë dhe të menduarit kritik. Në këtë mënyrë mësimi i gjuhës shqipe rrjedh natyrshëm dhe bëhet pjesë integrale e jetës së fëmijëve.
Në thelb ky është dhe qëllimi, që nxënësi/ja të arrijë të përdorë gjuhën shqipe si mjet komunikimi me gojë dhe me shkrim për situata të ndryshme, të njihet dhe të thellojë njohuritë për traditat, zakonet, trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore të vendit të origjinës, si pjesë e identitetit të tij/ të saj.
Cili do të jetë niveli i vështirësive të kësaj pakete?
Në hartimin e kësaj pakete është marrë parasysh rritja graduale e shkallës së vështirësisë si në përmbajtje, ashtu edhe në sasinë e materialit. Libri është konceptuar për mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë. Teksti synon të jetë i qasshëm dhe i arritshëm për fëmijët në diasporë të cilët rriten me gjuhë të ndryshme në familje ose me gjuhë të ndryshme të shkollë dhe në familje.
Pra, përmbajtja e paketës merr parasysh realitetin gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve, që jetojnë në mjedise të ndryshme gjuhësore dhe kulturore.
Kalimi nga njëra shkallë në tjetrën, përmbajtja e zgjerimi i materialit, bëhet sipas nivelit të njohurive gjuhësore të nxënësve, duke e ndihmuar mësuesin të identifikojë vështirësitë dhe të përshtatë mësimdhënien me nevojat e nxënësve.
Për të përmbushur këto nevoja, paketa përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh e ushtrimesh praktike si: nga dialogë thjeshtë e lojëra gjuhësore te shkrim krijues,analizë teksti, përshkrim pikture etj, në mënyrë që çdo nxënës të përfitojë në përputhje me nivelin e aftësive gjuhësore.
Tekstet për lexim janë të shkurtra, të qarta, me tematika që lidhen me përvojat e fëmijëve si: me familjen, shkollën, festa tradicionale shqiptare, personazhe të njohura historike, në mënyrë që të ndihmojë nxënësin/en të zgjerojë fjalorin me fjalë e shprehje të tematikave të ndryshme, të argumentojë, të njohë më mirë dhe të forcojë kështu lidhjen me gjuhën dhe kulturën shqiptare, por pa e mbingarkuar.
Po risitë ku do të jenë dhe ku konsistojnë ato?
Risitë e kësaj pakete përfshijnë elemente të reja që synojnë për ta bërë mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare më tërheqës dhe të përshtatur me nevojat specifike të mësimit plotësues në diasporë.
Një nga risitë e kësaj pakete është rubrika “Kompteneca”, ku përmes rubrikave: Dëgjojmë, Shkruajmë, Flasim, nxënësit zhvillojnë aftësitë e të dëgjuarit, të shkruarit dhe të folurit në gjuhën shqipe.
Gjithashtu si një risi tjetër e kësaj pakete është dhe tema mësimore PROJEKT,e parashikuar në modulin “Vendlindja”të çdo shkalle, me qëllim që nxënësit, përveçse të njohin më mirë bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore të vendlindjes së tyre apo të prindërve/gjyshërve të tyre, por edhe si një qasje e integruar e mësimdhënies, projekti inkurajon gjithëpërfshirje të nxënësve dhe bashkëpunim me familjen.
Materiali mësimor te teksti fizik dhe i digjitalizuar, është i pasur dhe i ndërthurur me ilustrime, figura, audio, video, ushtrime interaktive, duke krijuar një mjedis mësimor argëtues, që mban gjallë interesin e fëmijëve, i nxit të angazhohen në procesin mësimor. Në këtë mënyrë nxënësi zhvillon aftësitë gjuhësore dhe komunikuese në gjuhën shqipe si të dëgjuarit, të folurit, të kuptuarit dhe të lexuarit.
Përmbajtja e temave, inkurajon mësuesi/en bashkë me nxënësit të ndërmarrë projekte të vogla mbi tema të ndryshme. Teksti i jep hapësirë dhe rëndësi në mësimin e gjuhës shqipe bashkëpunimit me familjen. Shumë aktivitete inkurajojnë përfshirjen e prindërve në procesin mësimor, për të arritur një ndërgjegjësim gjuhësor dhe kulturor të nxënësve edhe të prindërve.
Materiali mësimor i paketës ka qasje multikulturore dhe ndërkulturore. Këto risi synojnë të krijojnë një mjedis mësimor ndërkulturor duke e trajtuar mësimin e gjuhës shqipe në kontekstin e arsimit ndërkulturor.
Çfarë mund të na thoni pak më tepër sa i takon ndërthurjes së pjesës didaktike të paketës me njohuritë për gjuhën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi? Si ndihmon fëmijët kjo paketë që të ruajnë dhe të përforcojnë identitetin e tyre gjuhësor dhe kulturor dhe njëkohësisht të integrohen në shoqërinë ku jetojnë?
Kjo paketë synon të ndihmojë fëmijët shqiptarë në diasporë e në mërgatë të ruajnë identitetin e tyre gjuhësor dhe kulturor, ndërkohë i aftëson ata të integrohen me sukses dhe vetëbesim në shoqërinë ku jetojnë. Mësimi i gjuhës së vendit të origjinës paralelisht me gjuhën e vendit ku jeton, i ndihmon fëmijët të formojnë një identitet ndërkulturor duke i përgatitur për një botë multikulturore.
Si e arrin këtë kjo paketë në përmbajtjen e saj?
Tematikat e përzgjedhura në çdo njësi mësimore që përfshijnë ngjarje e figura historike shqiptare, tradita e trashëgimi kulturore, i ndihmojnë fëmijët të njohin dhe vlerësojnë rrënjët e tyre, të njihen me pasurinë dhe vlerat e gjuhës shqipe, si komponentë thelbësorë të identitetit të tyre.
Duke ofruar një përmbajtje që inkurajon nxënësin/en të krahasojë, të gjejë lidhje midis kulturës shqiptare dhe kulturës së vendit ku jeton, paketa i ndihmon fëmijët të zhvillojnë një respekt për të dyja kulturat, i përgatit fëmijët të jenë të suksesshëm dhe të integruar në shoqërinë e vendit ku jetojnë duke u bërë pjesë aktive e saj pa humbur identitetin e tyre gjuhësor dhe kulturor.
Paketa “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli 2” ofron qasje gjithëpërfshirëse që respektojnë dhe reflektojnë përvojat e ndryshme të fëmijëve, duke mbështetur ruajtjen e identitetit të tyre gjuhësor dhe kulturor, ndërkohë i ndihmon të integrohen në shoqërinë ku jetojnë.
Puna e mësuesve është përmes qasjeve didaktike të krijojë ura midis gjuhëve dhe kulturave të cilat përbëjnë dhe realitetin gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve.
Çfarë sugjerimesh do u jepnit mësuesve për ta përdorur këtë paketë? Si mund të inkurajojnë mësuesit pjesëmarrjen aktive të prindërve në procesin mësimor të mësimit dhe ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare?
Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë e në mërgatë është një proces i vazhdueshëm në kërkim të metodave, teknikave të mësimdhënies e të nxënit.
Unë do të flas si mësuese prej shumë vitesh në mërgatë, por dhe si i kam trajtuar tek udhëzuesi për mësuesin. Çdo temë, çdo rubrikë e kam shtjelluar ashtu si do e punoja me nxënësit në klasë. Në këtë këndvështrim, gjatë përdorimit të paketës “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli 2”, mësuesit duhet të kenë parasysh këto strategji mësimdhënieje e të nxëni:
- realitetin gjuhësor dhe kulturor të nxënësve dygjuhësh (nxënës që vijnë me njohuri gjuhësore nga sistemi arsimor në vendin pritës),
- të përdorë potencialin gjuhësor dhe kulturor të nxënësve si një burim dinamik i komunikimit për zhvillimin e aftësive gjuhësore dhe komunikuese në gjuhën shqipe(përdorimi i të dyja gjuhëve në klasë në funksion të të nxënit)
- të krijojë një ambient mësimor stimulues, argëtues, për të ruajtur interesin e nxënësve dhe për të siguruar një pjesëmarrje aktive në procesin mësimor,
- të inkurajojë nxënësit të shprehen lirshëm, të ndihen mirë, të mos hezitojnë se po bëjnë gabim nëse nuk gjejnë fjalët e duhura në shqip, le të shprehen edhe në gjuhën e vendit ku jetojnë (ndihmohen nga mësuesi/ja dhe shokët/qet e klasës),
- të lidhë mësimin me jetën dhe përvojat vetjake të nxënësve, reflektim mbi tema të ndryshme ku paralelisht me gjuhën, nxënësit zhvillojnë dhe të menduarit kritik,
- të krijojë situata ndërvepruese, nxitje të dialogut në përshtatje me nivelin gjuhësor,ku nxënësit lihen të kenë rolin kryesor dhe mësuesi/ja drejton bisedën/diskutimin,
- të identifikojë vështirësitë, nevojat e nxënësve(mësimdhënie e diferencuar), psh., shpjegim i fjalëve të reja apo koncepteve gramatikore të bëhet në të dyja gjuhët duke aktivizuar edhe nxënësit, përdorimi i një gjuhe më të thjeshtë për ta përshtatur me nivelin e nxënësve,
- punë në grupe, e cila i ndihmon nxënësit të bashkëpunojnë, të ndërveprojnë dhe të mësojnë nga njëri – tjetri,
- të përfshijë lojëra gjuhësore, aktivitete praktike, grafikë, diagramë etj. që nxisin përdorimin e gjuhës në mënyrë argëtuese dhe interaktive, njëkohësisht e mbajnë nxënësin/en të angazhuar dhe të motivuar,
- të nxisë nxënësin të krahasojë dhe ballafaqojë njohuritë gjuhësore dhe kulturore që ka nga shkolla në vendin ku jeton me njohuritë që merr në gjuhën shqipe. Veprimi ndërgjuhësor e ndihmon nxënësin/en të jetë më i vetëdijshëm për të kuptuar e përvetësuar njohuritë gjuhësore, (ndërtimi i njohurive të reja bëhet mbi bazën e njohurive që nxënësi/ja zotëron)
- të përfshijë prindërit në procesin mësimor, bashkëpunimi me familjen në projekte e aktivitete praktike,
- të përdorë të gjitha mjetet didaktike që ofron paketa, si audio, video, ilustrime, piktura etj.
Përmbajtja e tekstit i jep hapësirë mësuesit të organizojë aktivitete ose detyra me përfshirjen edhe të prindërve në procesin mësimor si psh., ekspozita, festa, konkurse, mësime të hapura, projekte të vogla etj. Nga njëra anë kjo nxit bashkëpunimin midis fëmijëve dhe prindërve, duke ndihmuar kështu në forcimin e lidhjeve gjuhësore dhe kulturore brenda familjes, dhe nga ana tjetër, i ndihmon prindërit të vijnë më afër mësimit shqip, të kuptojnë më mirë materialin didaktik dhe metodat e përdorura nga mësuesi/ja. Bashkëpunimi me familjen synon dhe sensiblizim dhe ndërgjegjësim të prindërve për të vlerësuar rëndësinë e mësimit të gjuhës dhe kulturës së vendit të origjinës te fëmijët e tyre.
Duke përdorur këto strategji mësimdhënieje e të nxëni, mësuesi/ja ndihmon nxënësin/en të përparojë në mënyrë efektive dhe të kuptojë më mirë materialin mësimor.
Mesazhi juaj për këtë trekëndësh të rëndësishëm, për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, cili do të ishte?
Uroj një vit mësimor të mbarë e produktiv, me sa më shumë nxënës që do të frekuentojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë! Një bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme të prindërve në këtë mision të përbashkët, pasi ruajtja e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare është një detyrë e përbashkët dhe një trashëgimi e çmuar që duhet përcjellë brez pas brezi.
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Ylli i zemrës"-Lasgush Poradeci, lexim i komentuar nga Rita Petro
Tituj librash për festat kombëtare të 28-29 Nëntorit nga ALBAS
"Shoqja ime ka sindromën Daun"- libri edukativ për gjithëpërfshirjen e fëmijëve në shkollë e kudo