Aktivitet

Përurohet në "Shkollën shqipe - Zvicër" seria e librave të klasikut për fëmijë, Bedri Dedja

Një aktivitet i veçantë letrar u organizua nga "Shkolla shqipe - Zvicër" kushtuar shkrimtarit Bedri Dedja, klasikut të letërsisë shqipe për fëmijë. Botuesja Rita Petro siguroi se ALBAS do të vazhdojë të kontribuojë në zhdukjen e kufijve përmes teksteve.

"Shkolla shqipe - Zvicër" organizoi ditën e premte një mbrëmje kulturore kushtuar shkrimtarit Bedri Dedja,  klasikut të letërsisë shqipe për fëmijë. 


Në këtë ngjarje kulturore morën pjesë dhe performuan me lexime nxënësit e shkollave shqipe në Regensdorf, Wetzikon, Uster, Rüti, Volkestwil, Fehraltorf dhe Schwerzenbach të kantonit të Cyrihut dhe të pikave shkollore në Neuenhof dhe Spreitenbach të kantonit të Argaut. 


Programi u hap me këngën “Moj Arbëri” të kënduar nga nxënësja e shkollës shqipe në Neunhof, Melisa Selimi. 

Pastaj përshëndeti ngjarjen znj. Suela Jorgaqi, drejtoreshë në Bibliotekën “Pestalozi” në Cyrih, ku dhe u zhvillua mbrëmja kulturore. 


Në fjalën e rastit, znj. Suela Jorgaqi përshëndeti aktivitetin dhe foli për rëndësinë e librit dhe lidhjen bibliotekë-shkollë-nxënës. 


Në mbrëmje ishte e pranishme Znj. Rita Petro, drejtoresha e shtëpisë botuese ALBAS,  botuese e shkrimtarit Bedri Dedja. 

Znj. Petro u ndal veçanërisht në prezantimin e botimeve të shkrimtarit Bedri Dedja, të botuara nga shtëpia botuese ALBAS, në veçoritë e krijimtarisë së tij, si dhe në rëndësinë e njohjes me veprat klasike të letërsisë për fëmijë. 


Po ashtu, ajo u shpreh se ndihet e prekur nga interpretimi i fëmijëve në gjuhën shqipe, kryesisht të lindur dhe të rritur jashtë atdheut, si dhe nga përkushtimi i prindërve dhe mësuesve për t'u mësuar atyre gjuhën amtare. 

Si botuese siguroi se shtëpia botuese ALBAS do të vazhdojë të kontribuojë në zhdukjen e kufijve përmes teksteve, gjë që ka qenë synimi i shtëpisë botuese që kur është krijuar. 


E bija e shkrimtarit, Znj. Edlira Dedja, ishte pjesë e panelit dhe risolli dhe një herë kujtimin e të atit, si prind, si shkrimtar, si dhe si foli më gjerësisht për figurën e tij intelektuale. 

Po ashtu ishin të pranishëm Z. Valon Gashi, konsull i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, dhe Zj.  Shukrije Ramadani, konsulle e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër, të cilët mbajtën përshëndetjet e rastit dhe përgëzuan organizatorët për realizimin e aktivitetit. 



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,358 Lexime
1 vit më parë