Edukimi

Po je kapital – bëhu i çmuar!

Loja duhet të fillojë sigurisht duke u luajtur sipas rregullave të tyre, të më të mëdhenjve. Shkollohuni, pra, edukohuni, pajisuni me dije dhe më pas ndryshoni botën, mundohuni ta bëni më të mirë, jo vetëm për interesin tuaj, por për të gjithë.

Gjatë viteve 70’, bota po përballej me nënvetësimin e ethshëm të lirisë së saj. Të lodhur nga luftimet e shumta, të tej zgjatura dhe të pakuptueshme paraardhëse, papritur njerëzit po merrnin në dorë fatin e tyre, po ndjenin kumbimin e zërit të tyre dhe po gjenin shpëtimin në unifikim. 


Nga të rinjtë e lëvizjeve të asaj kohe, spikat fryma e kundërvënies dhe refuzimit të nënshtrimit ndaj sistemit. Të drejtat dhe liritë që tanimë ndjenin se plotësisht i zotëronin, me të drejtë, i hapën rrugën për të vënë në pikëpyetje gjithçka. Si rrjedhojë dhe vetë mirëqenien e tyre. 


Studentë që kishin vite që mundoheshin të hynin nëpër universitete, të kalonin klasat dhe të merrnin nota të pranueshme, një ditë u rrotulluan dhe ndoqën rrugën e dritares. Në euforinë e ngjyrave, muzikës dhe shumëllojshmërisë së substancave trullosëse, pjesëmarrësit ndjeheshin, për herë të parë pas kaq shumë kohësh, më në fund, mbi gjithçka.  


Një nga elementët e konsiderueshëm që ata gjithashtu luftonin si pjesë e sistemit në funksion, ishte e ardhmja e sigurt. Sigurisht, nuk mund të themi dot se një gjë e tillë mund të arrihet ndonjëherë, por brenda disa strukturave të njohura, mund të arrijmë të shohim një fund më konkret. E pra, në atë kohë, askush nuk donte të shihte më. Gjithçka do të reformohej për t’u rindërtuar sipas standardeve të tyre, për të marrë në dorë gjënë e vetme të sigurt, vetveten. 


“E ardhmja më e sigurt” përkthehet, nga ana tjetër, më shkollim dhe punësim. Të rinjtë (një pjesë e tyre) po zgjidhnin të mos shkolloheshin. Ata do ta urrenin nëse do të duhej të punonin të gjithë jetën e tyre për të tjerë, në një zyrë të rrethuar me mure prej tullash dhe do të duhej të ktheheshin po në një shtëpi të tillë. Ata nuk mund ta shihnin dot veten duke ecur si të verbër nëpër rrugë, të kollarisur e me jakat deri në fyt të mbyllura, dhe në fund, duke rendur drejt  çmendurisë. 


Ata kishin heshtur për kaq kohë dhe tani kishin nevojë të shpërthenin. Aspak figurativisht, kjo ishte tamam ajo që po ndodhte. Mirëpo, asgjë e bërë në kundërshtim të rreptë me forcat e intuitës nuk siguron të njëjtën kënaqësi në afat të gjatë. Mendja jonë është mjaftueshëm e çalë ashtu siç është, në shumë mënyra të të gjykuarit.


Rezultatet e këtij mohimi të zgjatur të “individualitetit të individit” vazhdojnë të jenë sot të pranishme, por të ndryshuara për tu përshtatur dhe me përparimin e aspekteve të tjera shoqërore. 


Pangopësia njerëzore, e shtyrë dhe nxitur më tej nga mendësia e sotme se “gjithçka mund të arrihet”, mund të themi se sërish i ka vendosur njerëzit në të njëjtën rendje drejt marrosjes. 

Problemi thelbësor si i asaj kohe që lamë pas, si i kundërveprimit të së tashmes, nuk është mungesa e një gjëje apo një tjetre, por është teprica e tyre. Njeriu do të mund ta gjejë gjithmonë diçka që i mungon, dhe me të në mendje do të hidhet i tëri për ta pasur. Por sigurisht, një zëvendësim i tillë është i përkohshëm dhe zgjidhja që ai ofron është e momentit. Pas pak, një rendje e re do të nisë, drejt diçkaje akoma dhe më të vështirë për ta arritur.

Por nga ana tjetër, nuk ka asgjë të keqe të luftosh për diçka dhe përkundrazi. Kjo i jep njeriut 

përgjegjësi dhe më vonë, ndjesinë e rëndësisë me përmbushjen e saj. Kleçka qëndron tek përqendrimi i sasisë, së energjive, të kohës, pra tek menaxhimi i “resurseve”. 


Sot njerëzit nuk mund të themi se mund të ankohen për mohimin e të drejtave të tyre, të shprehjes së mendimit apo qenësisë së tyre. Dhe për këtë kauzë, me lulëzimin e rrjeteve sociale, të internetit si bashkëpunëtori themeltar i “dhënies së zërit” dhe me lirinë e mediave të kudogjendura, kemi arritur tashmë në kahun tjetër të situatës së mëparshme. Tani gjithkush mund të flasë, por shumëkush nuk do t’ia dijë. Tani mund të shprehesh edhe mendimin tënd më të shtrembëruar ose të ngjyrosur politikisht dhe askush nuk do të pulisë sytë dy herë. 


Me pak fjalë, kemi mundur të bëjmë kalimin më spektakolar nga një anë ekstreme e marrëzisë në tjetrën. 


Tani lind pyetja, çfarë mund t’i japë rëndësi zërit e qenësisë sonë? 


Si fillim, edukimi.


Duke qenë në këtë anë tjetër të marrëzisë, kemi një shumëllojshmëri të pashtershme të materialeve në gatishmëri, që më përpara as mund të pretendohej të ishin. Këtu bëhet fjalë për materialet e lartësimit të mendjes, si dhe për informacione të çfarëdo lloji.


Një problem që vjen me rritjen e prurjeve, është ulja e pashmangshme e rëndësisë së saj, të paktën në tregun e punës. Kjo shpjegon në radhë të parë se pse ata që shqetësoheshin më parë aq shumë për ngritjen e zërit tonë, nuk duan t’ia dinë më: sepse ka kaq zëra. Nëse për ne sistemi që jetojmë është i keq dhe i gabuar në shumë drejtime, nuk mund të pretendojmë kurrsesi se për ata në kontroll është i tillë. Ata e dinë shumë mirë se çfarë po bëjnë, çfarë po ndodh, dhe është në interes të tyre t’i lënë njerëzit për të cilën betohen se janë përgjegjës në errësirën e të panjohurës së tyre. Për të na vënë ne kundër njëri-tjetrit është më e vështirë se rruga më e thjeshtë, ajo që kanë kohë që bëjnë, të na vëne kundër vetvetes. 


Ajo që kemi ne nevojë sot, nëse guxojmë ta ngremë si pyetje, është ajo që nuk e kemi. 

Më përpara të rinjtë refuzonin të shpenzonin jetën e tyre të lidhur pas një kompanie duke punuar, për të bërë më pas para e për të jetuar një jetë më një shtëpi, ushqim të mjaftueshëm dhe shpenzime të koha rehatie. 


Tani, shumica dërrmuese as nuk mund ta kenë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, liria që ata vënë ne piedestal dhe rehatia që refuzojnë ta pranojnë se e kanë i ka bërë akoma më të dobët.  Aq të dobët, sa zërin e tyre mund ta nxjerrin vetëm nëpërmjet butonave të sheshtë të telefonit.  Dhe gjithsesi, edhe po ta bërtisnin, fatkeqësisht nuk do t’i jepte më shumë rëndësi. 


Sigurisht që gjërat nuk janë të pashpresa. Kjo rezyme e errët është vetëm realiteti. Por unë e shoh të nevojshme që të paktën të rinjtë të ndërgjegjësohen për faktin se jeta, nuk supozohet të jetë e këndshme dhe aspak e rehatshme. Nëse ka qenë, është për meritë të të tjerëve. Ajo që duhet bërë, për t’iu kundërvënë marrëzisë së re, është që çdo potencial (dhe çdo njeri është si fillim vetëm potencial) të MARRË PËRGJEGJËSI. Të çohet, të ndalojë së kërkuari justifikime vetë shkatërruese, dhe t’i caktojë vetes një ngarkesë të madhe, mundësisht sa më të rëndë, prej përgjegjësisë. Ne nuk e dime se sa shumë jemi të aftë të bëjmë. Potenciali ynë mund të marrë forma e përmasa të paparashikueshme, të mrekullueshme, nëse vetëm do t’i jepnim mundësinë. 


Po, ky sistem sigurisht që e ka parashikuar edhe këtë, por ai do të ndalojë së qenuri kundër nesh, madje do të na kërkojë t’i japim mendimin tonë, kur ne të kemi vërtetë çfarë të themi. 


Loja duhet të fillojë sigurisht duke u luajtur sipas rregullave të tyre, të më të mëdhenjve. Shkollohuni, pra, edukohuni, pajisuni me dije dhe më pas ndryshoni botën, por kësaj here, mundohuni ta bëni më të mirë, jo vetëm për interesin tuaj, por për interesin e të gjithëve. 


(Rea Shundi, Portali Shkollor)

3,069 Lexime
6 vjet më parë