Poetja Laureate Rita Petro solli "Dashurinë në vargje" në aktivitetin e saj të parë për publikun
Mbrëmja poetike e organizuar nga Poetja Laureate Rita Petro dhe QKLL, "Dashuria në vargje", mbushi Qendrën Rinore Agimi me vargje, muzikë dhe ndjenja, duke krijuar një përvojë artistike ku publiku gjeti pak nga vetja. Për ju që nuk mund të ishit, rrëfimi do t’ju çojë në bukurinë e asaj nate.
Në mbrëmjen e së premtes, më 13 shkurt, në vigjilje të Shën Valentinit, Tirana dukej sikur “merrte frymë” ndryshe...
Në mjediset e Qendrës Rinore Agimi, publiku hynte ngadalë në një hapësirë të shndërruar në strehë ndjenjash: petale trëndafilash të shpërndara mbi dysheme, një shportë me karafila, prej së cilës u dhuroheshin të pranishmeve, drita të ngrohta që përkëdhelnin sallën dhe tinguj pianoje e kitare që dëgjoheshin lehtë në sfond...
Ishte ajo pritje kur e ndien se diçka e bukur po fillon para se të thuhet fjala e parë. Salla u mbush shpejt e shpejt, aq sa jo të gjithë gjetën vend për t’u ulur, por askush nuk u largua. Sepse kishte kohë që Tirana nuk kishte përjetuar një mbrëmje të tillë: një mbrëmje ku fjala, poezia dhe dashuria u bënë arsye për t’u mbledhur bashkë, për të heshtur dhe për të dëgjuar. Dhe kush nuk ishte atë natë, mjafton të ndjekë rrëfimin për të kuptuar se aty nuk u zhvillua thjesht një aktivitet letrar, por një përvojë e gjallë, ku secili mund të gjente pak nga vetja në vargjet e të tjerëve, e t’i ikte pak rutinës...
Mbrëmja poetike “Dashuria në vargje”, organizuar nga Rita Petro, në cilësinë e saj si Poete Laureate (2025–2027), në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, një takim letrar i menduar si një udhëtim nëpër vargje klasike dhe moderne, nga poetë shqiptarë e botërorë të përkthyer në shqip, si dhe nëpër lirikën erotike popullore, ku fjala artistike do të ishte jo vetëm e lexuar, por e ndjerë dhe e përjetuar bashkë.
Hapja u shënua nga një performancë muzikore, përpara se dy zërat e moderatorëve, Tobias Xhaxhiu dhe Erisa Lipoveci, të recitonin poezinë "Për dashurinë" të Rita Petros, duke e vendosur që në fillim mbrëmjen në një ton sa emocional aq edhe reflektues.
Tobias, si autor dhe dramaturg, theksoi kënaqësinë për të qenë pjesë e një mbrëmjeje kushtuar vargjeve të dashurisë, ndërsa Erisa, nga këndvështrimi i psikologes, ndau bindjen se shpesh nuk ka terapi më të mirë se arti dhe dashuria për të nxjerrë në pah më të mirën nga njeriu, duke i hapur më pas rrugën ngjitjes në skenë të Poetes Laureate, Rita Petro, e cila e nisi fjalën e saj duke kujtuar se kjo mbrëmje u frymëzua nga festa e Shën Valentinit, por mbi të gjitha nga poezia e dashurisë, ndjenjë për të cilën kanë shkruar Lasgushi, Kadare, Agolli, Shkreli, Camaj, Reshpja, Tufa, dhe poetë të shumtë bashkëkohorë, duke nënvizuar se ky ishte aktiviteti i saj i parë në këtë rol dhe pjesë e një vazhde veprimtarish që do të pasojnë.
“Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj që na u bashkuat për të ndarë së bashku vargje dashurie, vargje të mrekullueshme nga lirika popullore, nga poetë shqiptarë të traditës dhe bashkëkohorë, si Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Frederik Rreshpja, Dritëro Agolli, Agron Tufa, nga poetë botërorë duke filluar nga lirikja më e madhe e të gjitha kohërave Safo e deri te poetët e sotëm. Është aktiviteti im i parë si Poete Laureate e shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, që e falënderoj dhe për bashkëpunimin për këtë aktivitet. Të tjera veprimtari do të zhvillohen që lidhen me Poezinë për ta sjellë sa më pranë mjediseve me lexues të rinj dhe të çdo moshe. Se poezia na e ngroh shpirtin, se poezia na e çliron mendjen”. – tha në hapje të këtij aktiviteti Poetja Laureate, Rita Petro.
Ajo nënvizoi se: “Festa e dashurisë nuk është vetëm një festë romantike, poezia e dashurisë nuk është vetëm një poezi romantike. Kjo ndjenjë e fuqishme njerëzore ka treguar që kur njerëzimi u bë i vetëdijshëm për të, se sa kufij ka tejkaluar për të bërë bashkë dy njerëz që duhen, dy njerëz që dashurohen. Dhe cilët janë modeli më i përsosur i një dashurie që thyen dhe prangat e burgut? Safo dhe Petro Marko.”
Në këtë frymë, Rita Petro lexoi edhe një fragment të shkurtër nga libri i Petro Markos, “Një dashuri”, dhe falënderoi Qendrën e Artit Agimi dhe ekipin e saj për përkushtimin, përpara se t’ua rikthente fjalën moderatorëve, të cilët e orientuan mbrëmjen drejt zërave që do t’i jepnin jetë kësaj nate poetike.
Në fillim, në “stolin” poetik u ftua Mimoza Ahmeti, poetja që solli kthesën në poezinë shqipe në prag të demokracisë. Ajo është fituese e çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, autore e shumë librave në poezi e prozë dhe një figurë publike e dashur. Në fjalën e saj, pranoi se mes angazhimeve intensive nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh kohë për të ndarë vëmendje dhe dashuri për poezinë, por e quajti këtë mbrëmje një arsye të fortë për të qenë e pranishme.
Ajo falënderoi Rita Petron për bashkimin e të gjithëve dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit për organizimin e kësaj nate, përpara se të lexonte fragmentin e njohur motivues rreth Daos dhe lumturisë, duke vendosur që në fillim një ton meditativ për udhëtimin poetik që sapo kishte nisur.
Pas leximit të parë që hapi këtë udhëtim shpirtëror, Sokol Çunga u ftua në skenë si një prej figurave që e ka jetuar fjalën jo vetëm duke e shkruar, por edhe duke e shndërruar nga një gjuhë në tjetrën pa ia humbur shpirtin. Çunga iu përgjigj pyetjes së moderatorëve mbi premtimin e pambajtur në dashuri me një sentencë që u prit me miratim: “Kush ka etje, i merr premtimet, i mban premtimet dhe shkon te burimi, nëse në të vërtetë ka etje.”
Ai falënderoi Rita Petron për ftesën dhe theksoi veçantinë e kësaj nate, ku për herë të parë lexonte jo poezitë e tij, por ato të autorëve që kishte përkthyer në një aktivitet të organizuar ndonjëherë nga një Poete Laureate. Më pas solli vargje nga botimi kushtuar Sapho-s, duke rikthyer në shqip jehonën e një lirike të lashtë, por përjetësisht moderne.
Në vazhdim, Ana Kove u prezantua si një zë që e njeh dashurinë në shumë forma: si poezi, si rrëfim, si përkthim. Përkthyese e mbi 30 veprave nga gjermanishtja, kuratore projektesh letrare dhe fituese e çmimeve kombëtare për romanin emblemë Daullja prej llamarine të Günter Grass, Kove iu përgjigj pyetjes mbi xhelozinë me një dozë humori dhe sinqeriteti: “Mbase është edhe diçka tjetër veç këtyre… Trashëgimi? Edhe mamin e kam pas xheloze!”
Ajo hapi leximin me poezinë “Vate prilli” të Lasgush Poradecit, për të vijuar më pas me krijimin e saj “Dashuri pirate”.
Një tjetër moment reflektues erdhi me Agim Baçin, gazetar, kritik letrar dhe autor i disa librave në poezi e prozë. Pyetjes “Kur mbaron dashuria: kur mbaron fjala, apo kur mbaron durimi?”, ai iu përgjigj shkurt dhe thellë: “Nuk e di ku ndan fjala apo durimi, por kur mbaron dashuria, humb besimi.”
Baçi lexoi poezinë “Ne do të flemë bashkë” të Louis Aragon, në përkthimin e Luan Rama, si dhe poezinë e tij “A mund të të mbaj përgjithmonë”.
Në mungesë të Egla Xhemalaj, për arsye familjare, poezia e saj u lexua nga Meri Dishnica, artiste, skenariste dhe regjisore me formim në psikologji, e njohur për kërkimin e vazhdueshëm të lidhjeve mes fjalës, imazhit dhe zërit. Ajo interpretoi poezinë “Vegim” të Xhemalajt, “Në parkun që mbuluan fletë” të Ismail Kadare dhe krijimin e saj, “Fillimet”.
Rrjedha e mbrëmjes vijoi natyrshëm drejt një tjetër forme të shprehjes poetike, kësaj here përmes ekranit, ku në led-wall u shfaq Vlora Nikçi, aktore e mirënjohur e Teatrit të Prishtinës, duke recituar një poezi të sajën.
Moderatorja Erisa Lipoveci kujtoi për publikun se Nikçi njihet edhe për pasionin e saj në mbledhjen dhe studimin e folklorit, ndërsa vargjet që sapo ishin dëgjuar ishin shkëputur nga libri i saj "Kangë popullore" erotike, një dëshmi se dashuria, në trajtën popullore, mbetet po aq e fuqishme dhe e gjallë sa në poezinë moderne.
Në skenë u ftua më pas Edon Qesari, studiues i Historisë Politike dhe Sociale, figurë publike e dallueshme për komunikimin e drejtpërdrejtë dhe shpesh polemik, si dhe përkthyes i disa librave në prozë dhe poezi. Pyetjes nëse do të preferonte një dashuri që “të lexon mendjen” apo një dashuri që të lë në mister, Qesari iu përgjigj se nuk do të dëshironte kurrë një dashuri të parashikueshme dhe se misteri është pikërisht ajo që e mban gjallë ndjenjën.
Pas falënderimit për ftesën, ai solli për publikun poezinë “Kujtim” të Eugenio Montale, më pas një poezi të Robert Desnos nga cikli “Vjersha për të panjohurën” dhe, në fund, një poezi të Cristina Campo, duke krijuar një hark poetik që kalonte nga Italia në Francë e rikthehej sërish në ndjeshmërinë intime.
Në prezantimin e radhës u ftua Ilda Mejdani Jeha, themeluese e Institutit ISSAT dhe platformës ARTROOF, poete me eksperiencë në diplomaci, shkenca juridike dhe letërsi. Pyetjes nëse mund të jesh plotësisht i lumtur pa e “fituar” me mund dashurinë, ajo iu përgjigj se për të dashuria është “marrëzia më kuptimplotë dhe tepria më e përligjur”.
Para leximit, Mejdani falënderoi Ritën për ftesën, për idenë dhe frymëzimin, duke theksuar se dashuria që ajo mbart është gjendje e natyrshme e poezisë së saj. Ajo lexoi një poezi nga libri që po përgatit për botim, “Të dashurosh një grua”, si dhe një poezi të poetit grek Yiannis Ritsos.
Më tej, në “stolin e poezisë” u ul Liridon Mulaj, shkrimtar dhe poet shqiptar. I pyetur nëse dashuria është më shumë udhëtim krah për krah apo destinacion i paracaktuar, Mulaj theksoi se ajo nuk mund të kodifikohet apo të futet në një definicion të vetëm, ndërsa si destinacion ka vlerë vetëm nëse arrihet duke ecur bashkë.
Ai ndau edhe bindjen se dashuria është forma më e pastër e pranisë së Zotit në jetën tonë. Leximi i tij përfshiu poezinë “Kangë rruge” të Azem Shkreli, si dhe një poezi të tijën në gegërisht, që u prit me vëmendje dhe ndjeshmëri nga publiku.
Interpretimit të poezive iu bashkuan edhe vetë moderatorët, të cilët lexuan krijimet e tyre. Tobias Xhaxhiu solli në skenë poezinë “Republika”, ndërsa Erisa Lipoveci lexoi poezinë e saj “Ata sy”, duke i shtuar mbrëmjes një dimension personal dhe krijues.
Rrjedha poetike e mbrëmjes u thellua kur Tobias Xhaxhiu ftoi në skenë Denata Rroji, poete dhe gazetare, autore e mbi 60 shkrimeve, drejtuese e platformës online GEGNISHT dhe presidente e Festivalit Letrar GEGNISHT në Shkodër. Pyetjes nëse dashuria ndihmohet më shumë nga intuita apo arsyeja, ajo iu përgjigj me një pohim poetik: “Për mua dashuria është mungesë, sepse nëse e ke aty, nuk është më dashuri”.
Rroji falënderoi Ritën për ftesën, e krahasoi mbrëmjen me një simpozium. Ajo lexoi poezi nga Martin Camaj, të përzgjedhura rreth temës së mungesës në dashuri, dhe i dhuroi Poetes Laureate një surprizë të veçantë: recitimin e një poezie të Ritës, të kthyer prej saj në gegnisht, shkëputur nga botimi “Poema e mungesës”.
Pas kësaj, moderatorja Lipoveci prezantoi zërin e ri të brezit poetik, Enxhi Naumi, fituese e konkursit “Libri jot” (2021) dhe e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj (2023) për librin “Tytnia” të botuar nga Albas. Pyetjes nëse e drithëron më shumë një “të dua” apo një “më mungon”, Naumi iu përgjigj me sinqeritet se më shumë se këto fjalë e drithëron vetë momenti i daljes në skenë për të lexuar poezitë e saj, ndërsa shtoi se “të dua” është bërë e zakonshme, kurse “më mungon” ndodh vetëm me raste.
Ajo lexoi poezinë “E dashura qau ndaj të gdhirë” të Agron Tufës, si dhe poezinë e saj “Aromë dielli”.
Në interpretimin përmbyllës të mbrëmjes, “Dashuria në vargje”, Altea Alushi, aktore dhe poete, autore e librit “Ëndrra e një dallge” dhe krijuese e “Poezive Filmike”, solli një reflektim të fuqishëm mbi dashurinë: ajo tha se dashuria ndërton dhe rrëzon qytetërime, nuk zhduket, por transformohet, dhe dashuria e parë mbetet përmes një kujtimi ose ndjesie.
Alushi interpretoi poezinë “Kur dashuroheshin në kohën tonë” të Dritëro Agollit dhe poezinë e saj “Deti”, duke i dhënë mbrëmjes një dimension emocional dhe vizual të fortë.
Mbyllja e aktivitetit iu rikthye Rita Petros, mes tingujve të butë të pianos, verës së ndarë mes miqsh, kitarave dhe bisedave të qeta që vazhduan edhe pas përfundimit zyrtar të programit.
Një ditë më pas, Poetja Laureate ndau në profilin e saj një reflektim mbi mbrëmjen, duke theksuar se
“’Dashuria në vargje’ ishte një ftesë e hapur për të gjithë dhe se pamja e kinemasë së mbushur plot me lexues të të gjitha moshave, shumë prej të cilëve qëndruan edhe në këmbë, ishte dëshmi se poezia ka ende një publik të gjallë. Ajo vlerësoi heshtjen e përqendruar gjatë leximeve si një nga bukuritë më të mëdha të asaj nate dhe falënderoi me gjithë shpirt të gjithë ata që i dhanë zë mbrëmjes, si dhe dy moderatorët e rinj, Erisën dhe Tobiasin, për mbështetjen e tyre në ngjarjen e saj të parë si Poete Laureate, si edhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për përkushtimin dhe mbështetjen”.
....kështu u përmbyll një mbrëmje që nuk ishte thjesht një radhë leximesh poetike, por një përvojë e gjallë artistike, ku fjala, zëri, heshtja dhe ndjenja u bënë një, duke i dhënë publikut ndjesinë se kishte marrë pjesë në një festë të vërtetë të dashurisë në vargje...
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Akademiku Artan Fuga pas takimit në Klubin e Librit ALBAS: Letërsia mes librarisë, lexuesve dhe qytetit
Bedri Dedja, gjithmonë për brezat e së ardhmes – aktivitet letrar