Temë dite

Refleksione nga diskutimet e mësuesve për ndryshimet e pritshme të udhëzimit për punësimin e mësuesve dhe Portalit “Mësues për Shqipërinë”

Para pak ditësh në faqen e Facebook të Portalit Shkollor, u zhvillua një diskutim online pa censurë, për të evidentuar disa problematika që shqetësojnë mësuesit dhe sistemin arsimor në lidhje me ndryshimet e ligjit për portalin “Mësues për Shqipërinë”. Ja se çfarë sugjerojnë ata për MAS...

Nga Fiqiri Çifliku


"Është e thjeshtë të ulesh e të dëgjosh këshilla. E vështirë është të ngrihesh e të veprosh”.- Arthur Block



Para pak ditësh në faqen Facebook të Portalit Shkollor, u hodh për diskutim tema e ditës: MAS është duke përgatitur së fundmi një udhëzim të ri për të zëvendësuar udhëzimin Nr. 12, datë 10.06.2021, “Për procedurat e pranimit e të emërimit të mësuesit në një vend të lirë pune në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar dhe për administrimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”, i ndryshuar.


Në këtë diskutim të zhvilluar online, pa filtra apo censurë, janë evidentuar disa problematika që shqetësojnë mësuesit dhe sistemin arsimor të shoqëruara me sygjerime konkrete për të përmirësuar aktin nënligjor. 


Sigurisht që nuk pretendohet të jetë një panoramë e plotë e nevojave, problematikave, pengesave që vetë udhëzimi aktual reflekton, por mbetet një nismë që duhet marrë në konsideratë nga MAS, për t'u përfshirë në udhëzimin e ri. 


Vëmendjen më të madhe në diskutime e ka marrë vlerësimi i testimit dhe i dosjes së punonjësve duke kërkuar rishikimi i peshës së dosjes personale. Në disa prej komenteve është evidentuar se mjafton provimi për t’u punësuar. Ndërkohë në shumë komente të tjera është kërkuar të rishihet mënyra e vlerësimit të dosjes. Përmendim këtu kualifikimin dhe vitet e punës, për mësuesit e vjetër, duke e parë si një vlerësim të dyfishtë që i favorizon hapur mësuesit e vjetër. Qartësisht vlerësohet se mësuesit e rinj që aspirojnë të futen në sistemin arsimor nuk janë të vendosur në pozita të barabarta me mësuesit me përvojë.


Diferencimi në pikëzimin e shkallës së kualifikimit mes vlerësimit; “Mjaftueshëm”, “Mirë”, "Shumë mirë" dhe " Shkëlqyeshëm", shihet si një element shumë i detajuar për pikëzim që më shumë vendos në vështirësi komisionet e vlerësimit të dosjeve sesa i motivon mësuesit.


Në grup gjithashtu është diskutuar rreth vlerës së shtuar të gjuhës së huaj sa i takon mësimdhënies. Në terrenin shqiptare pothuajse çdo shqiptar e ka marrë të paktën një certifikate për njohjen e një gjuhe të huaj, e nuk ka asnjë ndikim në rritjen e cilësisë së kandidatëve në procedurën e përzgjedhjes, por është thjesht punë angari për komisionet.


Një element që vlen për t’u trajtuar nga MAS, do të ishte përcaktimi i qartë i vlerësimit të dosjes dhe pikëve të testit në raportin 80% me 20%, mes pikëve të testit dhe të dosjes. Për të qenë më i qartë dhe transparentë për mësuesit po sqaroj më poshtë mënyrën e përllogaritjes së pikëve;


Nëse një mësues në testimin e informatizuar me 100 pikë gjithsej, ka mundur të marrë 96, të konvertuar me një koeficient 0,8, rezultojnë 76,8 pikë për renditje. Këtyre pikëve do u shtojmë edhe rezultatin e vlerësimit të dosjes por jo më shumë se 20 pikë. Në momentin që do të bëhet konvertimi i pikëve të dosjes si reference merret kandidati që ka marrë pikët maksimale e më tej pikët ekuvalentohet në 20 pikë. Për të gjithë kandidatë e tjerë, rezultati i dosjes shumëzohet me 20 dhe pjesëtohen me pikët maksimale të kandidatit pjesëmarrës (Kandidati me dosjen më të mirë ka marrë 40 pikë konvertohet në 20 pikë, ndërkohë për të gjithë të tjerët që marrin më pak pikë p.sh., 36 pikë, përdorim formulën (36*20)/40=19 pikë. Këto i shtohen pikëve të testit dhe ndikojnë në renditjen e kandidatëve në rendin zbritës.


Lejimi i lëvizjes paralele nga njëra ZVAP në tjetrën, shihet si një e drejtë e mësuesve duke mos e kufizuar këtë proces vetëm brenda një njësie arsimore të vetme, por duke u dhënë mundësi punonjësve që dëshirojnë të lëvizin edhe nëse nuk janë pjesë e ZVAP-së. Nëse MAS shqetësohet për zonat e thella, zonat rurale apo për shkollat që e zhvillojnë mësimin me klasa të bashkuara, mund të mendojë skema mbështetëse që të përputhen me vështirësitë e pozicioneve, duke vendosur pagesa të diferencura për të vlerësuar shkallën e vështirësisë. Vetëm në këtë mënyrë do kemi rritje të interesit për të zgjedhur vende të vështira e larg vendbanimit. Mbajtja me “dhunë” apo me forma të tjera detyruese nuk është zgjidhje definitive. Shumë punonjës zgjedhin punë që nuk kanë lidhje me arsimin, vetëm e vetëm për të mos punuar në zona të thella. Sugjerime ka pasur edhe për të rishikuar shtojcat e vlerësimit të dosjeve nga komisioni i shkollës pasi janë kthyer në formate klishe që nuk bëjnë asnjë diferencë në vlerësim ose në rastin më të keq janë subjekt i vlerësimit ose mosvlerësimit të drejtorit për ndonjë nga mësuesit që është për lëvizje paralele me detyrim.


Heqja e lëvizjes paralele me dëshirë nga procesi i sistemimit të mësuesve që dalin pa ngarkesë dhe kryerja e tyre me anë të portalit do të mundësonte një proces të lirë e të drejtë përgjatë gjithë vitit mësimor. Do të evitonte shumë nga “marifetet” që bëhen për të mos i shpallur vendet gjatë vitit ose duke i shpallur si vende provizore me qëllim ruajtjen e tyre për lëvizje paralele në fund të vitit mësimor. Kjo do i jepte mundësi e barabartë mësuesve të vjetër e të rinj sipas meritës dhe preferencës për të përzgjedhur e për t’u punësuar në shkollën që dëshirojnë. 


Sot risi e sistemit është mundësia për t'u punësuar edhe një kategori të diplomuarish jo në profilin mësuesi por në një profil tjetër që ka ndjekur kursin e formimit psiko-pedagogjik. Për këtë kategori sugjerohet që të punësohen si fillim mësuesit kandidatët që janë diplomuar për mësuesi e më tej nëse do të ketë nevoja edhe ata /ato mësues me profil të përafërt, që kanë ndjekur kursin 3 mujor për mësuesi, kanë kryer praktikën profesionale dhe i janë nënshtruar provimit të shtetit.


Rregullim të plotë duhet të gjej edhe punësimi i mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara. Kjo kategori mësuesish duhet të jetë me kontrata pa afat të caktuar për të qenë në përputhje me Kodin e Punës apo Kontratën Kolektive si dhe për t’u garantuar kategorisë së nxënësve me AK, mësuesit ndihmës me status të përcaktuar që marrin trajnime, kualifikime dhe janë në mbështetje të mësuesve lëndor, nxënësit me vështirësi në të nxënë dhe klasës në tërësi. 


Shpresoj që MAS të jetë e vëmendshme ndaj diskutimeve që mësues në sistem kryejnë edhe në rrjetet sociale për t’u marrë si ide e për t’u përfshirë në udhëzimet që dalin. Kështu garantojmë gjithëpërfshirjen në vendimmarrje si dhe kontribuojmë për arsim cilësor dhe mirëqenie për stafet e mësuesve! 



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,997 Lexime
2 javë më parë