Analizë

Sfidat e arsimit me bazë kompetencat

Arsimi mbetet guri i themelit për të gjithë shoqërinë. Por cila është qasja akoma sot pas disa vitesh e mësuesve me zbatimin dhe kapërcimin e vështirësive lidhur me arsimin me bazë kompetencat? Sjellim një analizë të përmbledhur nga mësuesja Manjola Sallaku.

Arsimi vazhdon të sfidohet nga mësimdhënia me në qendër mësuesin. Mjafton thjeshtë një kalim përpara çdo klase në shkollë dhe menjëherë përballesh me këtë mësimdhënie. Për arsimtarët mbetet për shumë arsye më komode kjo mësimdhënie:

  • Menaxhim më i mirë i klasës.
  • Vënia para përgjegjësish për çdo nxënës.
  • Vlerësim bazuar në njohuritë e përfituara gjatë gjithë periudhës.
  • Mungesa e teknologjisë në orën e mësimit. 
  • Mungesa e mjeteve didaktike. 


Mësuesit gjatë zhvillimit të orës së mësimit ndihen më komod kur ata vendosen në qendër të klasës. Realizimi i orëve me në qendër nxënësin kërkon më shumë punë dhe përkushtim, gjë që e bën të lodhshme për ta orën mësimore. Mësuesi duhet të njohë dhe përdorë teknika të ndryshme. Nxënësit duhet të jenë me të përgjegjshëm në realizimin e detyrave, përgjegjësi e cila rritet me ndarjen e detyrave në punën me grupe. Puna me grupe bën që disa nxënës të fshihen pas nxënësve me rezultate më të mira. 

Vlerësimi mbetet përsëri një vështirësi për mësuesit me eksperiencë të gjatë në arsim. Ata vazhdojnë të mendojnë që vlerësimi nuk mund të jetë thjeshtë vlerësim për performancën e nxënësit përgjatë 45 apo 90 minutave. Ata vazhdojnë të mendojnë që vlerësimi është mesatare e njohurive që ka fituar nxënësi deri ne ditën që ai pyetet. Për pjesën më të madhe të  arsimtarëve  mësimdhënia me në qendër nxënësin mbetet thjesht një pasqyrim i një ore perfekte në ditarin e tyre, por ka akoma shume punë për të bërë në këtë drejtim. 


Nga eksperienca ve re qe kjo mësimdhënie përqafohet me lehtësish nga nxënësit. Ata e pëlqejnë mësimdhënien dhe mësimnxënien në bashkëveprim me njëri-tjetrin. Kjo ndihmon që nxënësit të ndihen me të lirshëm, të aftë për të marrë vendime dhe argumentime për çështje dhe situata të ndryshme. Mësuesi në këtë mësimdhënie mbetet një menaxhues i  orës mësimore, gjë që bën të besosh që nuk ka autoritetin e duhur. 


Në të vërtetë mësuesi ka peshën kryesore duke ndihmuar nivele të ndryshme të nxënësve të përparojnë në mënyrë më të thjeshtë në procesin e të  nxënit. 


Një sfidë tjetër mbeten dhe prindërit, të cilët të arsimuar me mësimdhënien me në qendër mësuesin vazhdojnë të trumbetojnë që ajo mbetet metoda më e mirë. Prindërve nuk u pëlqen që fëmijët e tyre të shpenzojnë minuta duke përgatitur punimet e dosjeve, ata mendojnë që është kohë e humbur. 


Nisur nga vitet e gjata në arsim mendoj që brezat ndryshojnë dhe bashkë me ta dhe mënyrat e mësimdhënies duhet të ndryshojnë, bazuar në këto ndryshime.


 Mendoj qe për të pasur një mësimdhënie më efikase duhet të kemi një bashkëveprim midis të tre aktorëve: mësuesve, nxënësve dhe prindërve. 



Vlerësimi me pozitivitet i çdo ndryshimi në arsim mund të ndihmoj arsimin efikas dhe produktiv duke nxitur  të menduarin kritik te  nxënësi sot dhe te një qytetar në të ardhmen.



Manjola Sallaku, mësuese biologjie 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.          

2,282 Lexime
2 vjet më parë