Analizë

"Strategjitë dhe sfidat e Zhvillimit Profesional të Mësuesve”, një shqyrtim mbi edukimin dhe trajnimin e nevojshëm për nxënësit e sotëm

Trajnimi i mësuesve është një proces mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e aftësive pedagogjike dhe përdorimin e metodave efektive mësimore. Seminare, workshop-e, trajnime të tjera i rritin mësuesit në aspekte të ndryshme pedagogjike dhe teknike të mësimdhënies.

Marrëdhënia mësues-nxënës realizohet nëpërmjet, komunikimit verbal dhe jo verbal, vëzhgimit, menaxhimit të emocioneve, ndërgjegjësimit, vlerësimit të cilësive dalluese individuale, përdorimit të hapësirës dhe kohës. 


CarlRansonRogers, humanist dhe psikolog amerikan shkruan se: “Procesi mësimor është një proces i natyrës ndërvepruese, në kuptimin që synon të mbështesë nxënësin në përvetësimin e aftësive për të kuptuar përvojën e dikujt, në një mjedis shkëmbimi të hapur dhe të vazhdueshëm".


Pra në këtë kuptim arsimi për të edukuar nuk duhet të jetë qëllimi me të cilin mësuesi futet në klasë. Edukimi ka të bëjë me formimin e aftësive për jetën dhe me dijet që në një moment të caktuar i shërbejnë individit, pasi të shkëputet nga mjedisi shkollor ose me fjalë të tjera, diçka që mund ta përdorë në jetën vërtetë dhe që është ajo që dëshiron çdo prind për fëmijën e vet. Duhet të ketë vlerë për çdo prind qëllimi për të mos pasur djalin apo vajzën "më të zgjuar" dhe "më të arsimuar" në një grup shoqëror, por pas përfundimit të arsimit të tregojnë rezultatet e tyre në jetë. 


Edukimi që bëhet njohuri/aftësi  dhe ndihmon në jetë për të realizuar veten, ky duhet të jetë qëllimi.


“Disa njerëz mësojnë që të tjerët të mësojnë. Disa njerëz mësojnë në mënyrë që të tjerët të mund të bëjnë. " - thotë JimRohn, sipërmarrës, autor dhe folës motivues amerikan.


Sot më shumë se kurrë shoqëria jonë ka nevojë për mësues të tillë, të cilët të japin kontributin e tyre për të bërë të mundur që nxënësit dhe studentët të realizojnë veten e tyre. Në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikojnë në avancimin e vendit dhe të kombit tonë. Sigurisht që në këtë proces një rol shumë të rëndësishëm ka shkolla dhe sigurisht mësuesi, por për të bërë të mundur realizimin e qëllimit të mësipërm duhet që mësuesi të mbështetet, duke ndjekur strategji të posaçme kryesisht për:


Zhvillimin profesional: 

Duke u mundësuar trajnime të vazhdueshme për të rritur aftësitë e mësimdhënies dhe për të qëndruar të përditësuar me ndryshimet e shpejta.

Trajnimi i mësuesve është një proces mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e aftësive pedagogjike dhe përdorimin e metodave efektive mësimore. Seminare, workshop-e, trajnime të tjera i rritin mësuesit në aspekte të ndryshme pedagogjike dhe teknike të mësimdhënies.


Çdo arsimtar ka sfidat e veta në punë, përfshirë diversitetin e klasës, menaxhimin e disiplinës, dhe përshtatjen në ndryshimet e kurrikulës. Mbështetja e një mjedisi përkrahës dhe trajnimi i vazhdueshëm ndihmojnë në përballimin e këtyre sfidave. Trajnimi i mësuesve më së shumti duhet mbështetur nga strukturat e ministrisë së arsimit, dhe duhet parë si një element shumë i rëndësishëm në zbatimin e kurrikulës dhe në krahasimin me rezultatet e testeve ndërkombëtare që siç u vu re edhe me PISA 2022 na ka renditur në pozita jo shumë të favorshme. Sigurisht ndikimi i pandemisë ka pasur efektin e vet por të mos harrojmë se ky efekt ka qenë për të gjithë njëlloj. Sigurisht trajnimi i mësuesve mund të vijë nga burime private dhe secila formë ka avantazhet dhe sfidat e veta. Trajnimi privat mund të ofrojë fleksibilitet dhe fokus të veçantë në nevojat e mësuesit, ndërsa trajnimi nga strukturat e ministrisë mund të jetë pjesë e një sistemi më të përgjithshëm arsimor dhe të ketë standardet e caktuara.


Për shembull, trajnimi nga strukturat e arsimit mund të sigurojë konsistencë në cilësinë dhe përgjegjësi në zbatim. Në anën tjetër, trajnimi privat mund të jetë më i pranueshëm për nevojat e veçanta të mësuesve dhe të ofrojë shpejtësi më të lartë të përditësimit përparimet më të fundit në fushën e edukatës dhe teknologjisë. Këto dy mundësi janë pjesë e një debati më të gjerë mbi strukturën dhe cilësinë e trajnimit të mësuesve.


Teknologjinë dhe trajnimin për të përballur sfidën e ndryshimeve:

Trajnimi i mësuesve në përdorimin e teknologjisë mund të ndihmojë ata të përshtaten me ndryshimet dhe të përballen me sfidat e edukimit modern. Përfshirja e teknologjisë në trajnim mund të sigurojë njohuri të aplikueshme për përdorimin e pajisjeve interaktive, platformave të mësimit online, dhe zhvillimin e aftësive për të integruar teknologjinë në mësimdhënie. Kjo do i ndihmonte mësuesit të jenë më të përgatitur për t’u përballur me sfidat e ndryshimeve në fushën e edukimit.


Programet e mentorimit dhe të mbështetjes në klasë:

Për të bërë të mundur zvogëlimin e hendekut të nivelit të arritjes së nxënësve tanë krahasuar me vende të tjera të OECD duhet që politikat e arsimit të fokusohen më shumë në mbështetjen e procesit mësimor brenda klasës. Sot vështirësitë që një mësues i vetëm të mund të menaxhojë klasën janë rritur dhe për të siguruar një mjedis sa më të mirë për mësimdhënie cilësore duhet që të gjejmë mënyra për mbështetje nga mësues ndihmës për gjithë klasën. Nuk dua të diskutojë mbështetjen që prej vitit 2014, për nxënësit me aftësi të kufizuar kemi mësues ndihmës të certifikuar apo me Pedagogjisë Speciale, të cilët punojnë me plane PEI, por ka ardhur koha që të mendojmë edhe për një mësues mbështetës për klasën. Një mësues që i vjen në ndihmë mësuesit kryesor gjatë ditës mësimore. Kuptohet që kjo ka koston e vet por le ta fillojmë si projekt në arsimin bazë e më tej përfshirjen në arsimin e mesëm të ulët apo të lartë. Kombinimi i mësuesit me përvojë me mësues të rinj për udhëheqje dhe mbështetje sigurisht është shumë pozitive dhe kjo është realizuar me praktikën profesionale që zhvillohet sot, por pse jo të ketë një periudhë të caktuar një ose dy vjet ku mësuesi i ri ka një mentor me përvojë që e mbikëqyr dhe e ndihmon në punën e përditshme. Kjo mund të rezultojë dhe me përfitime të dyanshme pasi përvoja dhe teknologjia ndërlidhen me njëra-tjetrën.


Mbështetje në menaxhimin e klasave: 

Programet e mbikëqyrjes dhe të mbështetjes në klasë, por edhe ofrimi i strategjive dhe burime për të ndihmuar në menaxhimin efektiv të klasave të ndryshme do të ishte i dëshirueshëm për një mjedis social në ndryshim të shpejtë.


Burime dhe materiale:

Mësuesi sigurisht bën pjesën e vet për të siguruar materiale, teknologji dhe burime të përshtatshme mësimore për të lehtësuar mësimin e efektshëm por duhet që edhe shteti të jetë mbështetës në këtë drejtim duke garantuar shpërndarje të drejtë të mjeteve dhe materialeve apo duke mundësuar shfrytëzimin e laboratorëve digjital online, sidomos ato të lëndëve shkencore.


Planifikim bashkëpunues:

Inkurajimi i bashkëpunimit mes mësuesve për planifikimin e mësimit dhe ndarjen e praktikave më të mira e nisur me rrjetet profesionale të mësuesve duhet forcuar dhe mbështetur dhe në këtë aspekt roli i zyrave vendore është i pazëvendësueshëm duke mundësuar koordinimin midis shkollave publike dhe jopublike që veprojnë si ente të pavarura.


Komente dhe vlerësim:

Sigurimi i reagimeve konstruktive dhe vlerësime të rregullta për të ndihmuar mësuesit të përmirësojnë arritjet e tyre mendoj se është një nga sfidat e rëndësishme për të pasur mësues të motivuar dhe që shkojnë me dëshirë pranë klasës së tyre. Është e dëshirueshme vjelja e vlerësimeve nga të gjithë komponentët humanë që janë të lidhur me shkollën. Këtu do të përfshija nxënësin, prindin, drejtuesit etj. Kjo do të siguronte një mjedis pozitiv duke siguruar mirëqenien e mësuesve, e cila  ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e tyre për të dhënë mësim në mënyrë efektive. Gjithashtu mendoj se do të luante rol në komunikimin efektiv midis mësuesve dhe prindërve për të rritur suksesin e nxënësve.


Në këtë mënyrë do të mundemi të  kemi sukses në arritjen e treguesve kyç të arritjeve: mbajtjen zgjuar të interesit, informacion të vijueshëm, përfshirje në veprimtari dhe mbi të gjitha frymëzim për realizimin e qëllimeve.



Nga Fiqiri Çifliku

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,316 Lexime
8 muaj më parë