Tetralogjia "Lepuri" e John Updike-s, në vështrimin e Lexueses së Vitit 2025
E shpallur Lexuesja e Vitit 2025 nga Albas, A. Thomaj sjell një review të thelluar të katër romaneve të tetralogjisë “Lepuri” të John Updike, botuar nga Albas. Një lexim reflektues mbi njeriun modern, kohën, zgjedhjet dhe pasojat e tyre.
Në fund të vitit 2025, A. Thomaj (e njohur në Instagram si @readtheworldwithev) u shpall "Lexuesja e Vitit" nga Shtëpia Botuese Albas, një vlerësim që erdhi si njohje për marrëdhënien e saj të qëndrueshme, të ndershme dhe reflektuese me librin. Në takimin e parë të këtij viti të Klubit të Leximit Albas, ajo u takua me përfaqësues të shtëpisë botuese dhe mori si dhuratë disa tituj nga katalogu i Albas, libra që pritet të bëhen pjesë e leximeve të saj të radhës.
Ndërkohë, si një shkëputje nga ky moment simbolik dhe si rikthim te lexime tashmë të përjetuara, sjellim më poshtë një përmbledhje të katër veprave të John Updike-s, botuar nga Albas, pjesë e tetralogjisë së njohur “Lepuri”, të cilat A. Thomaj i ka lexuar më herët, mes shumë titujsh të tjerë të botimeve Albas.
Recensionet që vijojnë nuk janë thjesht një pasqyrim i subjektit të librave, por një lexim personal dhe i thelluar i rrugëtimit të Harri "Lepuri" Engstrom, një personazh që rritet, gabon, pasurohet, plaket dhe shuhet bashkë me kohën që e prodhoi. Përmes këtyre leximeve, A. Thomaj ndalet te njeriu modern, te zgjedhjet dhe pasojat e tyre, te përgjegjësia ndaj vetes dhe jetës, duke e kthyer leximin në një akt reflektimi.
Review nga André Thomaj
LEPUR VRAPO
John Updike është një nga shkrimtarët më të mprehtë amerikanë të shekullit XX, i njohur për mënyrën se si depërton në jetën e përditshme të njeriut të zakonshëm, duke zbuluar gjithë boshllëkun dhe ankthin që fshihet pas tij.
Historia në pamje të parë është e thjeshtë: Herri, Lepuri, 26 vjeç, një ish-yll basketbolli, i martuar me një grua dhe me një fëmijë, ndien se jeta i ka dalë nga duart dhe braktis gjithçka për të gjetur veten. Por, në thelb, është një rrëfim mbi arratisjen: nga përgjegjësitë, nga rutina, nga vetvetja. Duke e lexuar, unë shpesh ndihesha në një dilemë të vazhdueshme: ta gjykoj Lepurin apo ta kuptoj? Në njëfarë mënyre, ndjeva mëshirë për zbrazëtinë e tij, por edhe zemërim për egoizmin që e shkatërron atë dhe njerëzit rreth tij.
Në momentin që rutina, martesa e vështirë dhe ndjenja e humbjes së qëllimit e pushtojnë, Lepuri zgjedh të ikë. Ai braktis gruan e tij shtatzënë dhe niset drejt një lloj lirie që beson se do ta shpëtojë. Por kjo arratisje nuk është thjesht fizike, është shpirtërore, një përpjekje për t’i ikur peshës së përgjegjësisë. Në rrugëtimin e tij, ai ndeshet me dashuri të reja, me mëkate të vjetra dhe me një varg pasojash që na bëjnë të ndalojmë dhe të mendojmë gjatë.
Ka një moment në libër, një ngjarje e rëndë që ndodh në familjen e tij, që më tronditi. Updike e përshkruan pa melodramë, por me një ftohtësi që e bën edhe më therëse. Dhe megjithatë, edhe pas kësaj, Lepuri nuk ndryshon aq sa prisja; ai përsëri ikën, përsëri shmanget, sikur të mos ketë mësuar asgjë. Pikërisht kjo më bëri ta mendoj si një nga personazhet më njerëzorë, më të gabuar dhe më të vërtetë që kam lexuar.
Në këndvështrimin tim, Updike nuk kërkon që ta pëlqejmë Lepurin, por që ta shohim veten të pasqyruar tek ai. Është një pasqyrë e frikës që kemi të gjithë për të mos u mbyllur në një jetë që nuk e zgjedhim vetë. Një reflektim mbi lirinë dhe fajin, mbi kërkimin e kuptimit në një botë që shpesh të shpërqendron me iluzione.
Në fund, romani nuk të jep përgjigje, të lë vetëm me pyetje. Të bën të mendosh për mënyrën si jeton, për zgjedhjet që bën dhe për atë ndjesi të brishtë që quajmë “jetë e lirë”. Ndoshta kjo është edhe forca e vërtetë e librit: të na kujtojë se ndonjëherë, për të mos humbur veten, duhet të ndalojmë së vrapuari.
LEPURI KTHEHET
Lepuri kthehet dhe ne jemi dhjetë vjet pas ngjarjeve të librit të parë. Është viti 1969, një Amerikë e trazuar nga lufta e Vietnamit, racizmi dhe ndryshimet morale. Lepuri, tani punëtor shtypshkronje, jeton në një mërzi të heshtur me gruan e tij, Xhenisën, dhe djalin e tyre, Nelson. Martesa e tyre është e zbrazët. Xhenisa ndihet e shtypur nga rutina. Ajo është një femër që kërkon pavarësi dhe ndjesi të reja, ndërsa Lepuri ende nuk di si të përshtatet.
Ajo nis një lidhje me Stavrosin, një tregtar makinash karizmatik. Lepuri përjeton një ndjenjë humbjeje që shkon përtej xhelozisë; është sikur vetë identiteti i tij burrëror dhe shoqëror po shembet bashkë me martesën.
Në vetminë e tij, ai strehohet në lidhje të çuditshme. Në një krizë identiteti nis një marrëdhënie seksuale me një 18-vjeçare të arratisur nga familja e vet e pasur, Xhill. Në shtëpinë e Lepurit shfaqet nga hiçi ish-i i Xhillit, Skiter, një burrë me ngjyrë, i varur nga droga, ish-ushtar i Vietnamit, i mbushur me ide radikale për racën dhe politikën. Shtëpia shndërrohet në një hapësirë të çuditshme, ku përzihen dëshira, ideologjia, frika dhe dëshpërimi. Xhilli kërkon dashuri dhe kuptim, Skiter kërkon drejtësi dhe pushtet, ndërsa Lepuri, pa e kuptuar mirë pse, i lejon të qëndrojnë, duke neglizhuar komplet djalin e tij adoleshent.
Kjo bashkëjetesë është zemra e romanit; thuajse gjithë romani këtu përqendrohet si një mikrokozmos. Duket sikur përmes Skiterit, Updike për herë të parë mban anë; ai vë në provë kufijtë e tolerancës dhe fajit të amerikanit të bardhë. Ndërkohë, përmes Xhillit, shfaqet pafajësia e humbur e brezit të ri. Lepuri, mes tyre, bëhet dëshmitar i një kohe që po digjet nga brenda. Ai as nuk kupton plotësisht, as nuk arrin të ndërhyjë, në një gjendje komplet pasive.
Kur tragjedia pllakos, sepse tragjedia i ndjek, Skiteri zhduket dhe Lepuri mbetet me fajin dhe zbrazëtinë. Ndërkohë që i afrohemi fundit, njihemi me motrën e Lepurit, Mimi, një grua në të tridhjetat, që bën prostitutën, një version ekstrem i rebelimit femëror. Ajo nuk ka turp nga trupi, as nga dëshira dhe, në një farë mënyre, i kthen trupit të vet rolin që shoqëria ia ka mohuar: pushtet, kontroll, liri.
Por ajo liri është e hidhur. Mimi nuk duket vërtet e lumtur dhe mënyra si Lepuri e sheh atë është një përzierje neverie dhe frike. Ai e përbuz për rënien e saj morale, por në të njëjtën kohë ndjen një lloj kureshtjeje të fshehtë, madje të turbullt, për mënyrën se si ajo jeton pa rregulla.
Në fund, Xhenisa kthehet. Jo nga dashuria e madhe, por nga një ndjenjë e lodhur nevoje për strehë. Lepuri e pranon, i rraskapitur, ndoshta pak më i mençur, por jo më i lumtur. Ai nuk e ka gjetur kuptimin që kërkonte, por as nuk e ka humbur krejtësisht shpresën. Në heshtjen e tyre, Updike na lë imazhin e qetësisë pas furtunës.
Në tërësi, romani është një rrëfim për rënien dhe ringritjen, jo vetëm të një burri, por të një kombi. Updike e përdor jetën e zakonshme për të treguar krizën shpirtërore të epokës moderne, duke e kthyer romanin në një pasqyrë të thellë të shpërbërjes dhe kërkimit njerëzor për kuptim.
Në këtë pikë, nuk mendoj se ka shumë rëndësi të them nëse romani më pëlqeu apo jo. Më duket më e rëndësishme pyetja tjetër: a mundet një lexues i sotëm, që s’e ka jetuar Amerikën e viteve ’60 dhe që vjen nga një realitet krejt tjetër shoqëror e kulturor, të arrijë vërtet të hyjë nën lëkurën e personazheve të Updike-s? Ndoshta jo plotësisht, por pikërisht këtu qëndron fuqia e veprës; ajo na detyron të provojmë, të kuptojmë, të përfytyrojmë një botë që nuk është e jona, por që flet për të njëjtat nevoja njerëzore që s’kanë kohë apo kufij.
LEPURI ËSHTË I PASUR
“Lepuri është i pasur”, i John Updike-s, është një nga ato romane që të merr ngadalë, të vë para një jetë të zakonshme amerikane që në dukje duket e rregullt dhe pastaj, faqe pas faqe, të tregon sa shumë mund të gërryhet njeriu nga brenda edhe kur ka gjithçka. Jemi në një dhjetëvjeçar të ri të jetës së Herrit (Lepuri), fillim vitet ’80, tashmë një burrë i pasur, i qetë nga jashtë, por i çoroditur e i paplotë përbrenda.
Në sipërfaqe, Lepuri ka çdo gjë që s’do t’i kishte shkuar në mend dhjetë vjet më parë: biznesin familjar, stabilitetin financiar, shoqërinë e rregullt dhe një martesë që më në fund duket e qetë. Por ardhja e Nelsonit, të birit, e lëvrin gjithë rrëfimin. Nelsoni kthehet si stuhi: i ka braktisur studimet, sjell një të dashur të re, ndërkohë që një tjetër vajzë është shtatzënë prej tij. Ai vjen i ngarkuar me plagët e fëmijërisë, me mllef dhe boshllëk dhe çdo gjë që prek kthehet në një vatër tensioni.
Pikërisht këtu romani merr forcën më të madhe: në marrëdhënien e thyer mes babës e birit. Shpesh kisha përshtypjen se Lepuri nuk i afrohej dot atij si prind. Ai është i kyçur në botën e vet, në ndëshkimet e vetëdijes, madje edhe në kujtimet e Ruth-it, gruas që e la shtatzënë vite më parë dhe që s’e ka harruar kurrë. Ideja se diku mund të ekzistojë një vajzë e tij është një prej fijeve më të forta emocionale të romanit.
Nga ana tjetër, Xhenisa është figura më e përmbajtur e librit. Ajo rritet në heshtje. Ajo kupton kufijtë e Lepurit, kupton se jeta është e shkurtër dhe se lumturia kërkon hapësirë të brendshme. Më pëlqeu pjekuria e saj e qetë, e thjeshtë, pa dramë, pa bujë.
Përgjatë 600 faqeve të librit, skenat eksplicite të seksit janë të shumta. Shpesh janë provokuese, por jo pa qëllim. Ato i shërbejnë ekspozimit të shpirtit të personazheve, zbrazëtisë së tyre, dëshirave të heshtura dhe mënyrës si kërkojnë të shpëtojnë prej vetes.
Nuk është habi që romani u vlerësua me Çmimin Pulitzer për Letërsinë në vitin 1982, për thellësinë e tij psikologjike, realizmin e pamëshirshëm dhe mënyrën e mprehtë se si e portretizon jetën amerikane në gjithë shtrirjen e saj: të bukur, të ndyrë, të ngatërruar, të gjallë.
Personalisht mendoj se “Lepuri është i pasur” është një lexim i ndërlikuar, shpesh edhe frustrues, por absolutisht i ndershëm. Fuqia e romanit, sidomos në tensionet familjare dhe dinamikën e personazheve, është e pakontestueshme.
Dua të theksoj përkthimin (jo vetëm këtu, por edhe në librat pararendës), sidomos në skenat eksplicite, i cili është për t’u admiruar: gjuha e pastër, e gjallë, e guximshme, gati sa të bën të ndjesh se po sheh përmes lëkurës së personazheve. Granit Zela i ka qëndruar i patundur gjuhës së Updike-s, duke e sjellë në gjithë vulgaritetin dhe erotikën e çastit. E theksoj, sepse nuk e kam parë shpesh në përkthimet që vijnë në shqip.
Është një roman që ngre pyetje, që të rri në mendje edhe pasi faqja e fundit është mbyllur.
LEPURI PREHET
Ndërkohë që lexoja Lepuri Prehet, ndjeva sikur kisha udhëtuar bashkë me Harri “Lepuri” Engwstrem për katër dekada. Në këtë kapitull të fundit, ai shfaqet më njerëzor se kurrë: i plakur, i lodhur, i zhgënjyer dhe i vetëdijshëm për fundin që i afrohet. Lepuri i fundviteve ’80 nuk është më njeriu i vrullshëm dhe i pangopur i dikurshëm; pas krizës kardiake, ai endet mes një lodhjeje fizike dhe një zhgënjimi të heshtur, i paaftë të pranojë se trupi dhe jeta po i rrëshqasin nga duart. Ende i kapur pas lavdisë së rinisë, mbetet emocionalisht i ngecur, një burrë në fund të të pesëdhjetave që jeton brenda hijes së vetes së dikurshme, sikur realiteti i tij i vërtetë ka mbetur shumë pas.
Nga ana tjetër, si një kundërvënie e heshtur ndaj rënies së tij, Xhenisa, e shoqja, është personazhi që më surprizon më shumë. Ndërkohë që Lepuri zbehet, ajo lulëzon, kujdeset për veten, ushtron trupin, ndjek studimet, përpiqet të ndërtojë diçka me kuptim. Në sytë e mi, është një ironi e mprehtë që Updike e vendos në sfond: ajo që Lepuri kurrë nuk e ka vlerësuar, tani është e vetmja që po ecën përpara.
Në gjysmën tjetër të këtij mozaiku familjar që po shembet qëndron marrëdhënia me Nelsonin, djalin e tij, që është ndoshta pasqyra më e dhimbshme e gjithë jetës së Lepurit. Ai nuk ka ditur kurrë ta dojë apo ta kuptojë djalin dhe tani e sheh duke u zhytur në varësi nga droga, dështime, borxhe dhe një martesë të krisur me Prun. Të gjitha këto thërrmijëzohen para syve të Lepurit, por ai prapë mbetet një spektator, i shkëputur, pothuajse i ftohtë. Madje edhe për vajzën që pati me Ruthin, ai ruan vetëm një lloj nostalgjie të mjegullt, pa bërë asnjë hap të vërtetë drejt saj.
Në këtë roman, më duket sikur Updike nuk shkruan më për një jetë që ecën përpara, por për një jetë që mbyllet. Tema e vdekjes është e pranishme në çdo faqe: shokët e Lepurit janë plakur, disa kanë vdekur, Thelma, ish-e dashura e tij, nuk jeton më dhe vetë ai është një njeri që ndjen fundin duke i ardhur ngadalë nga pas. Është një roman i mbushur me ndjesinë e jetës së humbur, të ëndrrave të parealizuara, të asaj pyetjeje të hidhur që të vjen gradualisht: “A ka qenë kjo e gjitha?”.
Ajo që më la më shumë përshtypje ishte mënyra se si libri e sjell vdekjen, jo si një mbyllje të menjëhershme, por si një mendim që e ndjek Lepurin në çdo hap. Ai jeton me frikën dhe hijen e saj, i bindur se po i afrohet fundit dhe se s’ka më shumë për të ndryshuar. Nuk ka kthesë të madhe, as shpëtim në minutën e fundit. Lepuri e kupton se ka gabuar, por nuk di si të jetë ndryshe.
Një fund i trishtë, por i ndershëm, për një personazh që kurrë nuk ka qenë hero, por gjithmonë jashtëzakonisht njerëzor.
Kur e mbylla librin, pata ndjesinë se Updike kishte ngritur portretin më të pamëshirshëm të plakjes njerëzore. Lepuri Prehet nuk të jep ngushëllim apo shpresë; ai thjesht të ballafaqon me boshllëkun që mbetet kur jeton pavetëdije dhe pa kurajë për të parë veten.
Në fund, romani nuk është vetëm mbyllja e sagës së Lepurit, por një kujtesë e heshtur se koha nuk na pret dhe se e sotmja nuk është kurrë aq e pafajshme sa duam ta besojmë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
"Rëndësia e ripërkthimit të klasikëve" - Aktiviteti i Albas për 25-vjetorin me përkthyes dhe studiues