Viktima apo heroina të së përditshmes?
Në kujtim të grave shqiptare të vrara nga dhuna mashkullore; 25 Nëntor – Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Opinion nga shkrimtarja Rita Petro.
Në kujtim të grave shqiptare të vrara nga dhuna mashkullore; 25 Nëntor – Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Opinion nga shkrimtarja Rita Petro.
Ato nuk janë më. Hijet e tyre na ndjekin nëpër vite. Drejtësia nuk ka kohë të merret me to. Ne i kujtojmë veç një ditë, si kjo e sotmja. Familjarët me siguri i kujtojnë e i vajtojnë çdo ditë. Po nuk duhet të harrojmë se secila prej nesh mund të bjerë pre e dhunës mashkullore. Apo vajza, motra, gruaja, nëna e secilit prej nesh mund të bëhet nesër viktimë jo vetëm e dhunës, por dhe e padrejtësisë.
Midis tyre ka dhe gra intelektuale ose gra të guximshme që kanë synuar lirinë e vet. Ato nuk duhet t’i trajtojmë si viktima. Ato janë heroina të së përditshmes. Le t’i konsiderojmë të tilla. Le t’ua kthejmë dinjitetin duke protestuar dhe duke kërkuar me zë të fortë që ai të mos humbasë në shkretëtirë, por të përplaset fuqishëm në zyrat luksoze të institucioneve politike dhe të atyre të drejtësisë.
Duke qenë në krah të tyre, në radhë të parë, jemi në krah të vetes. Kemi qenë të gjitha vajza të vogla plot ëndrra. Jemi rritur me përrallën e Hirushes, që do të martohej me Princin e Kaltër dhe do të jetonte një jetë me fund të lumtur. Po realitetin e egër nuk e bën vetëm dhuna mashkullore, por dhe dhuna psikologjike femërore, që buron nga gratë, nga nënat, të cilat i rrisin djemtë e tyre duke iu ushqyer këtë helm.
Na vjen keq për një femër, vetëm kur ajo bëhet viktimë dhe dalim në mbrojtje të saj. Për një femër të lirë, për një femër që i pëlqen aventura, për një femër që trurin dhe trupin e saj i konsideron prona vetëm të vetat dhe të askujt tjetër, që dëshiron të bëjë jetën e saj, jemi ne të parat që sulmojmë me baltë dhe gurë, duke ushqyer egoizmin mashkullor.
Sa shumë gjëra duhet të ndryshojmë, duke nisur nga vetja ne gratë.
Nga Rita Petro
Çelësi i zgjidhjeve të fondit të pyetjeve të drejtshkrimit për provimet e shtetit në mësuesi
Struktura e orës së mësimit dhe rolet e mësuesit e të nxënësit në zhvillimin e mësimit dhe të nxënit
Evans Drishti: Gjuha ruhet atje ku shkruhet