Vlera e mësuesit dje dhe sot si aktor dhe faktor kryesor në formësimin edukativ të gjeneratave
Një reflektim i fortë mbi rolin e mësuesit dje dhe sot, si shtylla e edukimit dhe formësimit të brezave. Muhamet Selmani nënvizon se përballë krizës së vlerave, mësuesi mbetet autoriteti moral dhe profesionist që mbron të ardhmen.
Muhamet Selmani, Drejtor i shkollës "Ibrahim Gjorgji", Radomirë
Nëse do të kalonim dhjetë vjet pa mjek, do të humbitnim mjekësinë; nëse do të kalonim dhjetë vjet pa inxhinierë, do të humbisnim organizimin; nëse do të kalonim dhjetë vjet pa avokatë, do të humbisnim drejtësinë.
... Nëse do të kalonim dhjetë vjet pa mësues
Do të humbisnim mjekë, inxhinierë dhe avokatë;
në fakt,...do të humbasim gjithçka... gjithçka. (Thënie që ndryshuan botën).
“ Shkolla vlen aq sa vlen arsimtari i saj”. Vilhelm
Viti që sapo lamë pas duket se ishte i mbushur me problematika nëpër shkolla. Përgjatë vitit 2025 kanë ndodhur fenomene shqetësuese nëpër shkolla saqë të duket sikur ka një dilemë profesionale në trajtimin e tyre. Situata reale ngre shumë pikëpyetje se si mund të zgjidhet. Nga të fillohet? Në drejtim të mbarëvajtjes në shkolla janë dhënë shumë alternativa si punonjës social, psikolog, oficer sigurie me qëllim të një menaxhimi më efikas. Pavarësisht nga të gjitha këto praktika roli i mësuesit si edukator është i pazëvendësueshëm dhe shtylla kryesore e dijes dhe edukimit, për trajtimin e problematikave etiko-edukative. Profesori i sociologjisë Zyhdi Dervishi thekson: “Beteja për edukimin është një betejë fisnike. Përgjegjësia themelore në edukim i mbetët shkollës dhe mësuesit. Ulja e numrit të nxënësve nëpër klasa dhe rritja e numrit të mësuesve do të ishte politika më e mirë arsimore, më mirë të investosh për mësues edukator se sa për oficer sigurie nëpër shkolla”.
Të gjitha problemet kanë një ilaç që është edukimi. E kush më mirë mund ta bëjë se sa mësuesit që janë shkolluar profesionalisht për një gjë të tillë. Mësuesi nëpërmjet edukimit duhet të jetë pika e nisjes dhe si leva e Arkimedit për të parandaluar problematikat e sjelljeve devijante. Mësuesit janë misionar jo vetëm të mësimdhënies por dhe të edukimit. Në qendër të edukimit dhe mësimdhënies janë nxënësit dhe është detyrë sublime e shkollës që ta bëjë këtë. Mësuesit duhet të kenë një qëllim të qartë jo vetëm të krijojnë një mjedis mësimor të disiplinuar por edhe formim të personalitetit nëpërmjet edukimit. Formësimi i nxënësve është i rëndësishëm jo thjesht të disiplinojë dhe edukojë por të shkojë në finalitet të formojë personalitetin e virtytshëm. E ky është misioni më i vyer që i jep vlerë dhe kuptim kontributit të mësuesve saqë mësuesit janë jo vetëm profesionist por janë misionarët e kombit për shkak të rolit të madh që kanë duke pasur në dorë të ardhmen e shoqërisë, edukimin e së ardhmes.
Sot mësuesi është në fushë betejë vetëm me forcën e vet të profesionit në pozicionin që duhet në pozicionin e vërtetë të tij që është përballë sfidave bashkëkohore si, konfuzioni i vlerave, kriza e modeleve, liria e keqkuptuar, krizë autoriteti, sfida e ndërgjegjësimit dhe ruajtja e dinjitetit, sfida e ndryshimit të të menduarit. Dikur mësuesi kishte shumë autoritet sepse kishte të gjithë faktorët mbështetës si shtetin, ligjet dhe duke qenë i vetmi autoritet i dijes, i vetmi shembull për t’u ndjekur, kurse sot mësuesi është në pozicionin e vet të vërtetë ku ai duhet të krijojë vetë autoritetin e tij profesional, të jetë shembull me fakte të meritueshme dhe i admirueshëm nga nxënësit e tij. Nxënësit janë imitues të modeleve por është sfidë që nxënësit të admirojnë mësuesit e tyre dhe jo të imitojnë shembuj të glorifikuar të kohës që nuk kanë ndonjë vlerë. Gjithashtu sfida e edukimit dhe metoda në kohën e sotme ndryshon nga ajo e djeshmja sepse më parë edukimi bëhej nëpërmjet imponimit autoritar kurse sot tjetër është të ndërtosh personalitetin e nxënësit në liri jo me nënshtrim por me ndërgjegjësim. Mësuesi sot e ka sfidë të edukojë në kushtet e një lirie të keqkuptuar sepse liri nuk do të thotë ç’thurje pa kufi që të sjell kaos dhe të shkaktoj probleme. Mësuesit i del për detyre të lëviz mekanizmat mendore të të menduarit të nxënësve për t’i ndryshuar. Në fazat e edukimit duhet të kihet parasysh dinjiteti i nxënësve që të mos cenohet sepse jep efekt të kundërt. Gjithashtu mësuesi gjatë edukimit duhet të ketë parasysh të respektojë një element që e kemi të përbashkët. Nga faktet e Zotit është se i ka krijuar të gjithë njerëzit në botë të ndryshëm nga njëri-tjetri por një gjë e kanë të përbashkët dhe ai është identiteti.
Autoriteti i mësuesit natyrisht nuk ka munguar dhe ka qenë në piedestalin më të lartë, por trazicionet në shoqërinë tonë, kanë tjetërsuar më së një herë atë, duke çuar në miksime përvojash dhe modelesh botërore. Do të ishte mirë të ruhej tradita ekzistuese e vlerësimit të autoritetit të mësuesit. Shkolla, për të kryer në formën më të mirë detyrën e saj, ka nevojë për mësues të cilët janë etalone të vlerave njerëzore përtej atyre profesionale. Një thënje e urtë thotë: Nëse doni të shkatrroni qytetërimin e një kombi, ka tre hapa:
1/Shkatrrimi i familjes.
2/ Shkatrrimi i arsimit.
3/ Diskreditimi i modeleve dhe autoriteteve.
Për të shkatrruar familjen: Duhet të eliminosh rolin e (nënës). Ta bësh të turpërohet që të përshkruhet si “shtëpiake”.
Për të shkatrruar arsimin: Shënjestroni mësuesin. Zvogloni rëndësinë e tij në shoqëri dhe ulni statusin e tij derisa nxënësit e tij ta përçmojnë.
Të rrëzosh shembujt e imitimit: Shënjestro (studiusit), sulmoi ata, nënçmoji, hidh dyshime mbi ta, bëji burim polemikash në mënyrë që askush të mos i dëgjojë ose të mos ndjekë shembullin e tyre.
Nëse (nëna e vetëdijshme ) zhduket.
Nëse (mësuesi i përkushtuar) zhduket.
Nëse ( modeli dhe pika e referencës) ka rënë duke u imituar modele të pavlera.
Pastaj kombi bie bashkë me rënien e ideologjisë së tij.
Mësuesit që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e edukimit duhet të kthehen, e të mos konsiderohen si një kujtim nostalgjik i së kaluarës. Në kushtet e ndryshimeve shoqërore janë tronditur pikat e referimit duke glorifikuar modele të pameritueshme. Fëmijët kanë nevojë për pika të forta referimi që rrezatojnë vlera dhe virtyte tw admirueshme. Roli i mësuesit si edukator është i pazëvendësueshëm dhe shtylla kryesore e dijes dhe edukimit. Vlersimi për mësuesit është vlerësim për dijen dhe arsimin. Mësuesit janë një burim krenarie për rëndësinë e misionit profetik që kanë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Material orientues mbi kualifikimin e punonjësve arsimorë, për vitin shkollor 2025–2026 / Dosja e aplikantit
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit