ZGJUAR – Qyteti që nuk fle, lexon: Tirana i kushton 24 orë librit
“ZGJUAR – Qyteti që nuk fle, lexon” sjell nga Albas, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, 24 orë aktivitete për Ditën Botërore të Librit. Lexime, takime me autorë dhe ulje deri në 40% në Librarinë Albas, në një festë që e kthen librin në përvojë qytetare.
Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, Shtëpia Botuese Albas, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, sjell për publikun nismën “ZGJUAR – Qyteti që nuk fle, lexon”, një maratonë 24-orëshe aktivitetesh letrare që do të zhvillohen më 23 prill në hapësira të ndryshme të kryeqytetit.
Duke nisur nga mesnata, Tirana do të shndërrohet në një hapësirë të gjallë leximi, ku libri afrohet më pranë qytetarëve përmes një programi dinamik dhe gjithëpërfshirës. Aktivitetet përfshijnë lexime publike, takime me autorë, diskutime letrare, promovime librash dhe programe të dedikuara posaçërisht për fëmijët.
Maratona do të shtrihet në disa pika kyçe të qytetit. Në Tirana Moons do të përqendrohen aktivitetet kryesore, ndërsa Biblioteka Sotir Kolea do të mirëpresë diskutime dhe promovime letrare. Një tjetër hapësirë e rëndësishme është Qendra komunitare “Të qëndrojmë së bashku”, ku do të zhvillohen aktivitete gjithëpërfshirëse për fëmijët me nevoja të veçanta.
Programi do të jetë një rrjedhë e pandërprerë komunikimi dhe ndërveprimi, duke përfshirë nxënës kopshtesh, shkollash, të rinj dhe dashamirës të letërsisë.
Një nga momentet kulmore do të jetë masterklasi me Rita Petro, Poete Laureate, një mundësi e veçantë për të gjithë të apasionuarit pas poezisë. Po ashtu, të rinjtë ftohen t’i bashkohen formatit bashkëkohor “Silent Book Party”, një përvojë leximi në heshtje që ndërthur reflektimin individual me energjinë e komunitetit.
Një pjesë e rëndësishme e kësaj maratone është edhe përfshirja digjitale: lexime, video dhe materiale nga aktivitetet do të publikohen në www.albas.al dhe do të shpërndahen në rrjetet sociale të Albas (facebook, instagram), duke e zgjeruar përvojën përtej hapësirave fizike.
Gjatë gjithë ditës, leximi do të jetë i pranishëm edhe në mënyrë spontane në hapësira të ndryshme publike, ndërsa lexuesit do të kenë mundësi të përfitojnë ulje deri në 40% në Libraria Albas, duke e bërë librin më të aksesueshëm për të gjithë.
Kjo nismë vjen si një zhvillim i mëtejshëm i përvojave të mëparshme të Albas. Vetëm pak vite më parë, në Libraria Albas u organizua një maratonë leximi nga mëngjesi deri në mesnatë, e frymëzuar nga koncepti i World Book Night, ku lexuesit përjetuan një atmosferë unike me lexime, oferta librash, dhurime ebook-esh dhe aktivitete kreative për fëmijë dhe prindër.
Sot, “ZGJUAR” e çon këtë ide një hap më tej, duke e shtrirë në të gjithë qytetin dhe duke përfshirë një publik edhe më të gjerë.
Nën moton “Leximi yt do ta mbajë zgjuar qytetin”, ftohen të gjithë qytetarët t’i bashkohen kësaj maratone në Tirana Moons, për të përmbyllur së bashku 24 orët e dedikuara librit.
“ZGJUAR” nuk është thjesht një nismë, por një lëvizje që e vendos librin në zemër të jetës urbane, duke e kthyer leximin në një përvojë të gjallë dhe të përbashkët për të gjithë.
Programin e plotë të kësaj maratone aktivitetesh, me rastin e Ditës Botërore të Librit, e gjeni si më poshtë:
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Shënim mbi romanin "Martesa e palumtur e Stanishit" nga Anxhela Pashaj, anëtare e Klubit të Leximit Albas
Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe ALBAS përurojnë tekstet "Historia e Shqiptarëve" – një hap i ri për arsimin shqip në Mal të Zi