ZOTËRIMI

Zhvillimi i pavarësisë tek fëmijët 3 dhe 4 vjeç

Koncepti bazë i pavarësimit të fëmijëve është dhënia e lirisë për t’i bërë gjërat si t’u vijnë. Pra është e rëndësishme që ai të gabojë. Në këtë mënyrë do të zhvillojë privatësinë e tij. Por ka edhe disa veçori të tjera të cilat duhet t’i keni parasysh.

Veprimtaritë që ju ushtroni me fëmijët e kësaj grupmoshës 3-4vjeç duhet të përmbajnë vetëm një synim, i cili duhet të jetë i qartë, pra, të mbështetet vetëm te një koncept (për shembull, nëse mësojmë madhësinë dhe marrim si model një kub, nuk cilësojmë veçori të tjera të tij, si ngjyra apo forma). Por ky synim duhet të ecë paralelisht me synimin për të zhvilluar pavarësinë e fëmijës, si një nga aftësitë e reja që ai duhet të zotërojë në këtë fazë moshore.

Rëndësia e të gabuarit. Koncepti bazë i pavarësimit të fëmijëve është dhënia e lirisë për t’i bërë gjërat si t’u vijnë, pra, duke i lënë të gabojnë. Ata duhet të drejtohen (u demonstrohet se si përdoret një send a se si zhvillohet një veprim i caktuar) e më pas të lihen ta kryejnë veprimtarinë në mënyrë individuale. Nga disa veprimtari, sidomos nga ato që bëhen rutinë, siç është mbërthimi i kopsave apo shtrimi i tryezës, përftohet vetëkontrolli, pra, vetëkorrigjimi. Kjo do të thotë se fëmija gradualisht mund të mësojë vetë, pa nevojën e mbikëqyrjes nga një i rritur. 


Rëndësia e punës. Në mënyrë të pavetëdijshme fëmija koncepton se dallimi ndërmjet tij dhe një të rrituri është kryerja e punëve. Lërini atij punë të thjeshta, si të mbledhë mbeturinat (letra, fara, thërrime etj.) me lopatë dhe me fshesë, të ujitë lulet apo të kryejë veprimtari në kuzhinë. Në rast se fëmija ka dëshirë të shkruajë në xhamin me avull, lejojeni atë dhe më pas udhëzojeni si ta pastrojë me fshirësen e xhamave. Kjo shmang mospranimin e kërkesës së fëmijës dhe krijimin e situatave të tensionuara, i rrit fëmijës vetësigurinë dhe ndjenjën e arritjes, i nxit durimin dhe përqendrimin, por mbi të gjitha e bën një njeri praktik. 


Rëndësia e të gjitha mjediseve. Përfshirja e fëmijëve në veprimtari praktike të jetës së përditshme u siguron atyre ndjesinë se nuk janë të veçuar dhe të padobishëm. Jepuni punë të thjeshta, si të shkoqin bizele apo shegë, të grupojnë sipas llojit fruta dhe perime, t’i vendosin ato në vend, të fshijnë lugët, të ndihmojnë për shtrimin e tryezës, të përziejnë brumin, të rrahin vezët a të qërojnë vezët e ziera, të përziejnë drithërat në qumësht etj. Shpjegojuni atyre se çfarë jeni duke bërë dhe si po e bëni, ftojini t’u ndiejnë aromat ushqimeve dhe shijet, t’i përshkruajnë dhe të pyesin, duke u shuar kështu kureshtinë. Në këtë mënyrë, ata zgjerojnë dhe përmirësojnë leksikun dhe aftësitë shprehëse. Këto veprimtari shërbejnë edhe për edukimin në lidhje më të ushqyerit e shëndetshëm, me zakonet e duhura të ushqyerjes, me rregullat e sjelljes në tryezë etj. 


Rëndësia e përdorimit vetë të sendeve. Ndër mëdyshjet më të shpeshta është se kur një fëmijë 3-4-vjeçar duhet të fillojë t’i përdorë mjetet që nuk i janë lejuar t’i përdorë deri më tani e që paraqesin njëfarë rreziku, si thika apo gërshëra (për më shumë siguri, mund të përdoren prej materiali plastik). Përdorimi i thikës. Gjatë aftësimit për të ngrënë vetë, fëmijës i duhet mësuar edhe si të përdorë thikën. Kjo natyrisht që bëhet nën mbikëqyrjen e një të rrituri; nuk duhet ta lini asnjëherë vetëm ndërsa është duke i përdorur ato. Shpjegojini se tehu është bërë për të prerë dhe për këtë është i rrezikshëm, ndaj nevojitet që thika të përdoret me shumë kujdes, pra, të mbahet vetëm nga ana e dorezës. Si fillim përdorni thika me majë të rrumbullakuar dhe bëni prova (duke ua demonstruar) se si mbahet ajo dhe si lëvizet gjatë përdorimit. Për t’u ushtruar jepini fëmijës ushqime të buta, si banane apo djathë të butë dhe lëreni të eksperimentojë. Përdorimi i gërshërëve. Përdorni gërshërë me majë të rrumbullakuar. Vërini përpara fëmijës një tabaka me shirita të trashë letre (ose karton të hollë nga të ambalazheve ushqimore) dhe demonstrojini se si mbahen dhe si lëvizen gërshërët. Më pas ndihmojeni të veprojë njësoj si ju, derisa të jetë në gjendje të punojë në mënyrë të pavarur. Nëse fëmija punon me të majtën, mos e detyroni atë të punojë më të djathtën, pasi në dyqanet e specializuara (kancelari) gjenden gërshërë (dhe mjete të tjera) për mëngjarashë.


Rëndësia e punës artistike. Veprimtaritë artistike, si prerja dhe ngjitja apo pikturimi me penela zhvillojnë aftësitë e mbajtjes e të kontrollimit të mjetit, stimulojnë shkathtësinë e lëvizjes së dorës, si dhe nxitin anën krijuese të fëmijës. Prerja e ngjitja. Vizatoni një figurë të çfarëdoshme ose lëreni fëmijën të zgjedhë formën që do. Jepini të presë me gërshërë ose me dorë të lirë disa letra me ngjyra ose mbështjellëse dhuratash. Më pas pajiseni atë me ngjitës buzëkuq dhe udhëzojeni të ngjyejë sipërfaqen ku do të ngjitë copat e letrës. Fëmija zgjedh nëse do të mbulojë me copa letre sipërfaqen brenda ose jashtë figurës së vizatuar. Kornizën prej kartoni mund ta vishni me copa letrash dhe punimin ta vendosni në mur. Kështu “vishen” edhe sende të tjera, si topat, shishet plastike, lodrat etj. Pikturimi me penela. Nga llojet e bojërave mund të përdorni tempera ose bojëra uji, të cilët gjenden në treg, të testuar posaçërisht për fëmijë të vegjël (nuk janë toksikë dhe nuk lënë shenja në rroba). Për këtë moshë është mirë të përdoren 3-4 ngjyra, mundësisht ngjyrat bazë: e verdhë, e kuqe dhe blu. Ndërsa letrën zgjidheni të madhe e të trashë, por jo me shkëlqim (madje të jetë disi e ashpër).


(Rudina Çupi, Udhëzues Metodik për dosjen Hop-Hop, faqet argëtuese për fëmijët 3-4 vjeç, Shtëpia botuese “Albas”) 

6,057 Lexime
4 vjet më parë