Zhvillohet për herë të parë Panairi i Librit Shqip në Shkup, Albas pjesë e rëndësishme e këtij eventi historik
Panairi i parë i Librit Shqip në Shkup, 4-7 qershor në Sheshin Skënderbe, mbledh 55 botues nga rajoni me mijëra tituj e aktivitete kulturore. Albas merr pjesë në këtë ngjarje historike. Më 4 qershor ora 19:00, Rita Petro promovon “Poema e mungesës”. Një moment i veçantë për librin shqip në rajon.
Shkupi bëhet për herë të parë mikpritës i "Panairit të Librit Shqip 2026", një ngjarje e rëndësishme kulturore që do të zhvillohet nga 4 deri më 7 qershor në Sheshin Skënderbe, duke sjellë së bashku rreth 55 botues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Mijëra tituj, takime me autorë, promovime librash dhe aktivitete të shumta do ta shndërrojnë këtë hapësirë në një qendër të gjallë të librit shqip.
Në këtë ngjarje me peshë rajonale, shtëpia botuese Albas do të jetë pjesë e rëndësishme e panairit, duke kontribuar në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare dhe duke u bërë pjesë e këtij momenti të veçantë historik për qytetin e Shkup.
Një nga pikat kulmore të aktiviteteve të datës 4 qershor, do të jetë edhe pjesëmarrja e poetes së njohur Rita Petro, e cila do të promovojë librin e saj më të ri “Poema e mungesës”, në orën 19:00, duke sjellë një tjetër moment të rëndësishëm artistik në kuadër të panairit.
Panairi organizohet në bashkëpunim mes Komunës së Çairit dhe Institutit të Librit dhe Promocionit nga Tirana, dhe synon të krijojë një hapësirë të përbashkët komunikimi mes autorëve, botuesve dhe lexuesve shqiptarë nga rajoni. Organizatorët dhe botuesit e konsiderojnë këtë panair si një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve kulturore shqiptare dhe për afrimin e brezave të rinj me librin, në një kohë kur leximi përballet me sfida të shumta. Synimi është që ky aktivitet të kthehet në një traditë të përvitshme dhe në një pikë referimi për botën e librit shqip në rajon.
“Konsiderojmë se kjo ngjarje kulturore e cila është pjesë e verës kulturore të Çairit po ashtu do të shfaqë interesimin e lexuesve dhe publikut dhe do të jetë vërtetë një ngjarje madhështore një mundësi e mirë që lexuesit dhe dashamirët e librit do të mblidhen në një vend të veçantë këtu te sheshi “Skënderbeu””, tha Muhamed Murtezi, kryetar i Këshillit Komunal të Çairit .
“Do të zhvillohen gjatë këtij panairi gjatë 3 ditëve të panairit shumë aktivitete çdo ditë do të ketë në çdo orë nga një aktivitet të ri, duke filluar nga dita e nesërme pas ceremonisë së hapjes që është në orën 11, do të vazhdohet me aktivitete dhe prezantime të librave të rinj të autorëve shqiptar”, theksoi Irena Toçi, drejtore ekzekutive e Institutit të Librit.
“Ndoshta hera e parë që në Shkup vijnë botuesit më të spikatur që ka gjithë bota shqiptare dhe për ta kthyer këtë në një festë të librit, në një ftesë për t’u afruar tek libri dhe jo siç thuhet këtu nga ana juaj një shitore librash për të shitur libra thjeshtë”, pohoi Fatmir Toçi, kryetar i shtëpisë botuese “Toena”.
Përveç ekspozimit dhe shitjes së librave, aktiviteti do të shoqërohet edhe me debate, bashkëbisedime dhe aktivitete kulturore që nxisin leximin dhe afërsinë me librin.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
ALBAS prezanton katalogun e botimeve shkollore për Shqipërinë për vitin 2026-2027
“25 vjet në shërbim të dijes”, ALBAS-i organizon seminar tematik për mësuesit në Prishtinë