ASPEKTI PSIKOLOGJIK I MËSIMDHËNIES

Denada Toçe: A po e arrin qëllimin e tij mësimi “online”? ÇFARË po ndodh dhe SI duhet të ndodh?

Mendoj se do të ishte shumë efikase që orët e punës të ndahen midis prind-fëmijë dhe mësues-fëmijë. Takimet “online” të bëhen me kohë të reduktuar, ku të shpjegohen konceptet më kryesore. Kjo është më motivuese për të gjitha palët.

Në këtë krizë globale që njerëzimi po kalon, në këtë pandemi që na zuri në kurth të gjithëve, kemi shumë pak mundësi për të realizuar më të mirën në dinamikat e jetës sonë. Kjo situatë na prezantojë me një stil të ri jetese dhe jo domosdoshmërish e kënaqshme, por me mënyra të reja për të përballuar jetesën. Ka edhe aspekte të kësaj rutine që i kanë zgjuar qenies sonë mendimtare, reflektime për të vendosur prioritete të tjera në jetë, për t’i përsosur ato në vlera të tjera. Këto janë shenja të mira në fakt. Por, në këtë sfidë të re, kemi marrë përsipër të vazhdojmë jetën dhe kësisoj, të ndjekim qëllimet e domosdoshme. Edukimi është një e mirë e madhe, pa të cilën njerëzimi nuk do të bënte asnjë kompromis për ta përjashtuar. Vendimi për të ndjekur arsimimin në një mënyrë alternative si ajo “online” ishte një e mirë e madhe për kushtet në të cilat ndodhemi. Fëmijët kështu kanë mundësi të vazhdojnë një copëz të rutinës së tyre dhe të vazhdojnë kështu të përfshihen në përgjegjësitë e tyre dhe të mbajnë mendjen në lëvizje. 


Por, a ka një hulumtim dhe mbikëqyrje mbi këtë përvojë të re edukimi ndërsa procesi vazhdon, për të kuptuar më mirë se qëllimi me të cilën është huazuar po arrihet?


Për të qenë praktik dhe racional, nuk mund të presim që mësimi “online” të jetë parësor dhe të përmbush të gjitha nevojat. Por pikërisht se nuk është i këtillë, do të duhet një kujdes i veçantë që ato nevoja të cilat mund të përmbush, të jenë në përputhje ne interesin më të lartë të fëmijës. Në fund të fundit, ne duam që fëmijët jo vetëm të mësojnë, por të ndjehen mirë ndërsa kalojnë nëpërmjet këtij procesi. Duke qenë vazhdimisht në kontakt me prindërit, do të doja të ndaja me ju disa prej përjetimeve dhe reflektimeve nga përvoja e tyre me fëmijët dhe e fëmijëve me procesin.


Si ndjehen fëmijët në këtë periudhë?


Dy javët e para ishin motivuese për fëmijët të qëndronin në shtëpi me prindërit e tyre dhe të përfitonin nga pushimi prej detyrimit dhe përgjegjësisë për të punuar në shkollë. Të gjithë fëmijët e kanë me qejf pushimin. Por shumë shpejt fëmijët, madje edhe vet prindërit e kuptuan se ky nuk ishte një pushim i zakonshëm. Ky ishte një “pushim” i detyruar nga jeta e mëparshme, dhe angazhim i plotë brenda një dinamike izoluese. Kështu fëmijët nuk u ndjenë komod ndërsa nuk e kishin të mundur të dilnin shëtitje si pushimet e tjera, madje humbi nocioni i fundjavës, si një mundësi për të shëtitur. Më pas, fëmijët kuptuan se një gjë e keqe po sillet vërdallë aty jashtë, nga e cila do të duhet të shpëtojmë sa më parë, ku edhe ata kanë përgjegjësi në sjelljen e tyre. Vështirë për t’i bindur një pjesë prej tyre, pasi edhe vet mosha e fëmijëve të vegjël, të privon të gjesh gjithmonë fjalët e duhura, me gjithë përpjekjet pozitive të prindërve. Me pas, edhe pse çdo ditë fëmijëve u kërkohet që të përshtaten me këtë rutinë të re, por jo gjithmonë aq “argëtuese”, do të duhet të bëjnë edhe shkollën, të cilën kujtuan se e kishin lënë me godinën në të cilën ndodh zakonisht. Të gjitha këto, janë situata, stresorë, të cilët krijojnë një frustrim dhe zemërim te fëmijët dhe këta të fundit kërkojnë të shpëtojnë sa më parë. Pra, në një farë mënyrë nuk është e lehtë të jesh fëmijë në këtë periudhë, por mbi të gjitha nuk është e lehtë të jesh prind. 


Si ndjehen fëmijët dhe prindërit në këtë proces të ri edukimi?


Thënë këto, lipset që në këtë periudhë të mund të krijohen sa më shumë mundësi lehtësimi për fëmijët. Duket se nuk është shumë e lehtë, por mund të krijohen shtigje të cilat japin zgjidhje praktike dhe të domosdoshme. Nga prindërit mësova se nuk mund të marrim të mirëqenë se mësimi “online” funksion shumë mirë, ndaj le të vazhdojmë kështu siç po ndodh. Nga fëmijët mësova se jo të gjithë arrijnë të jenë aktiv dhe performant në këtë proces. Nga prindërit mësova se janë kthyer në mësues aktiv të fëmijëve të tyre, por jo në kuptimin e detyrës prindërore, por në kuptimin e një mësuesi me kohë të plotë. Nga prindërit mësova se jo të gjithë ata kanë mundësi teknike për të realizuar mësimin e nevojshëm. Nga fëmijët mësova se përqendrimi ndaj detyrave të dhëna, bie shumë shpejt dhe se motivacioni është i ulët. Koha e shmangur për të qenë në detyrë është prezente. Nga prindërit mësova se jo me të gjitha detyrat janë shumë të qarta dhe shpesh janë të detyruar të shpenzojnë mjaft kohë për t’i kuptuar, për të mos folur këtu për ata prindër që kanë më shumë se një fëmijë në shkollë që do të duhet të ndjekin. Mësova gjithashtu se mësimi “online” nuk është tamam “online” pasi takimi i mësuesit me nxënësit nuk ndodh nëpërmjet bashkimit në një klasë virtuale, por detyrat jepen nëpërmjet dërgesave të adresave elektronike ose rrjeteve sociale, dhe ndonjëherë takime aktive “online”. Gjithashtu mësova se mësuesit nuk kanë një kontakt të drejtpërdrejt për të marrë një feedback nga prindërit për ecurinë dhe njëkohësisht vet ata të japin një feedback mbi ecurinë e fëmijës dhe nevojave reale të këtyre të fundit. Mësova prej prindërve të fëmijëve me aftësi ndryshe, se e kanë thuajse të pamundur që të kapin ritmin e mësimit “online” dhe disa prej tyre kanë hequr dorë në këtë periudhë, duke e përshkruar si frustrim të madh raportin e ecurisë së fëmijës dhe programit në fjalë. Ata janë të ndërgjegjshëm që fëmijët e tyre nuk përfitojnë maksimalisht nga programi edhe gjatë arsimimit në kushtet e zakonshme, por kjo rutine e re, e ka vështirësuar marrëdhënien me edukimin akoma më shumë.


Si mund të krijojmë mundësi përmirësimi në këtë proces mësimor?


Po kush tha që ky proces do të ishte i lehtë. Nga vet natyra e vështirësisë të periudhës në të cilën po jetojmë, kjo situatë nuk do të jetë aspak e lehtë, por ne mund të punojmë që të lehtësojmë mundin e panevojshëm. Ne mund të punojmë të përmirësojmë atë që e kemi në dorë. Ne nuk mund të mjaftohemi me justifikimin se jemi në një situatë “lufte” dhe le të marrim ç’të mundemi. Ne mund të bëjmë më shumë se kaq.

Duke shqyrtuar të gjitha këto pika si më sipër, mendoj se është e udhës që të mund të merren për bazë përvoja të ngjashme edhe nga vende të tjera apo nga sisteme të tjera edukimi që kanë rezultuar të suksesshme. Gjithashtu të merren parasysh vlerësimet e vazhdueshme të prindërve dhe fëmijëve për përjetimin e ecurinë e tyre dhe të merren masa të reja përmirësimi. Ky i fundit, mund të ndërtohet vetëm saj të një pune të madhe, vullneti të mirë për të hulumtuar përvojat e reja dhe për të marrë një mendim të vyer nga profesionistëve të fushës së edukimit didaktik, në fushën e pedagogjisë, në ndërtimin kurrikular, por edhe në fushën e psikologjisë. Mësimi në këto kohë do të duhet të jetë i ndërtuar paralelisht me vet situatën. Do të duhet të merren parasysh kushtet e punës së familjarëve dhe të fëmijës, gjendja e tyre psikologjike por edhe fizike në mungese të dinamikave sociale dhe aktivitetit fizik. Nuk mund të jemi kaq ambicioz dhe të krijojmë kërkesa me kapacitet të plotë të detyrimeve që duhet të përmbushin fëmijët. Mund të ndërtojmë një agjendë lehtësuese, sepse nuk mendoj se do të kemi fëmijë analfabet, nëse lehtësojmë kërkesat dhe mësimdhënien. Mendoj se do të ishte shumë efikase që orët e punës të ndahen midis prind-fëmijë dhe mësues-fëmijë. Këtu kam parasysh takimet “online” me kohë të reduktuar, ku shpjegohen konceptet e reja, ato më prioritaret, me një frymë pragmatike. Ko do të ishte më motivuese për të gjithë palët. Detyrat e shtëpisë do të duhet të ndahen midis shpjegimit brenda orës “online” dhe jashtë saj. Nuk ka nevojë për sasi sesa për cilësi. Detyrat mund të përkthehen shpesh herë edhe në lojëra të cilat janë gjithashtu shumë motivuese, me materiale që mund të përballohen ne kushtet e çdo fëmije. Jo të gjithë fëmijë arrijnë të kuptojnë mësimin dhe ta ndjekin atë hap pas hapi. Tekste dhe detyra me përmbajtje lehtësuese janë të domosdoshme. Ne do të duhet të përfitojmë nga fëmijë që ndjehen të suksesshëm, më shumë sesa nga fëmijë që nuk marrin dot vlerësimet maksimale të mësueseve. Kjo vlen për çdo kohë në fakt.

Përveç të tjerave, mund të krijojmë edhe mundësi që fëmijët dhe prindërit të përfitojnë nga psikologët e shkollave gjatë kësaj periudhe, duke krijuar takime me prindërit të cilët përfitojnë disa udhëzime apo këshilla referuar dëshmive të prindërve.


A duhet t’i testojnë njohuritë e tyre fëmijët në këtë periudhë?


Sigurisht që po. Çdo fëmijë do të duhet të shikojë veten e tij dhe të ballafaqohet me të. E thënë kështu duket e lehtë dhe logjike. Por në fakt ka vend për të bërë kujdes. Nuk jemi në kushte të zakonshme, dhe kësisoj edhe me represionin e testeve do të duhet të ketë lehtësira. Nuk jam dakord me eliminimin e tyre, por me lehtësimin e tyre duke huazuar ato lloje testesh që kanë për bazë motivimin dhe krijimin e mundësive për sukses të fëmijës. Nëse programi do të ishte lehtësues edhe testet do të ndiqnin të njëjtën logjikë. Kujtojë sërish se nuk mendoj që asnjë fëmijë nuk do të mbetet i paditur në këtë situatë. Duket sikur jemi në një presion të madh për të kapur kohën dhe për të mos na dalë situata nga duart dhe kësisoj duam të realizojmë të gjithë normën, programin e planifikuar për këtë vit. Kam përshtypjen se planet e këtij viti, nuk ishin planet që kishte rezervuar natyra për ne. Ndaj do të duhet të përshtatemi me kërkesa dhe pritshmëri të tjera. Interesi më i lartë i fëmijës është qëllimi kryesor. Mësimi “online” është një mënyrë e mirë dhe e domosdoshme për të vazhduar misionin e edukimit. Këtë përvojë të re në pak javë, mund ta përkthejnë shumë mirë në lehtësim të procesit të mësimdhënies. Lipset vetëm pak kujdes dhe një vullnet i mirë, për të zbritur në nevojat reale të fëmijëve dhe si rrjedhojë edhe të prindërve apo familjeve të cilat po përjetojnë emocione dhe situata të pazakonta në këtë periudhë të pazakontë. 




Nga: Drnt. Denata Toçe


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,974 Lexime
4 vjet më parë