Një rast i fundit

Denata Toçe: Pushteti i stilolapsit të mësuesit

U frymëzova të shkruaj këtë artikull pas rastit të denoncuar në një prej portaleve në rrjetet sociale. Më poshtë do të gjeni korrigjimin që mësuesja i ka bërë fëmijës në detyrën e matematikës. Më së shumti ky korrigjim i mësueses/it NUK SHKON!

Vlerësimi që kam marrë për herë të parë nga mësuesja ime, ishte me anë të një komenti në fletoren e shkrimit, më fal, në fletoren e bukurshkrimit. Kjo fletore kishte disa modele paraprake të shkronjave të dorës, të mëdha dhe të vogla dhe nxënësi i klasës së parë do të duhet të ndiqte fillimisht gjurmët e një shkronje të dhënë model nëpërmjet pikave, derisa të mbërrinte në bërjen e tyre në mënyrë të pavarur. Të kuptohemi, bukurshkrimi nuk ishte pika ime më e fortë. Që nga vetë fjala “bukurshkrim”, pritej prej meje, dhe nga të gjithë fëmijët, që t’i shkruanim sa më bukur shkronjat. Komenti i mësueses ishte ende i pakuptueshëm për mua, pasi isha në klasën e parë, por një gjë nuk e harroj asnjëherë, ankthin që përjetova derisa të shkoja në shtëpi, që t’u tregoja prindërve se një gjë e keqe kishte ndodhur. Ndërsa shikoja disa prej fletoreve të shokëve të klasës, komentet ishin të shkurtra dhe koncize dhe më vonë e kuptova se ishin vetëm komente pozitive: mirë, shumë mirë, shkëlqyeshëm, të lumtë dora ose vetëm një yll i vizatuar ose flamur. Ndërsa unë kisha një shkrim të gjatë, dy rreshta dhe, për me tepër, me ngjyrë të kuqe e cila dominonte ngjyrën blu të stilolapsit tim. Dhe ja çfarë mbaj mend në atë koment, kur ma lexuan prindërit: “Denata, shkronjat e dorës vazhdon t’i bësh gabim. Praktiko në shtëpi me prindërit!”. 

Vlerësimi tjetër, pas disa ditësh, ishte: “Dobët! Kërkon më shumë punë në shtëpi…!”.

Vlerësimi pas disa muajsh: “Zgjidhja e ushtrimit është e saktë, shkrimin nuk është i kuptueshëm!”. Mirë!


M’u desh që të shfletoja disa prej fletoreve të mia të hershme për të kuptuar më shumë rreth mendësisë së vlerësimit në ato kohëra dhe për të kuptuar se çfarë ka ndryshuar në këto gati katër dekada. Nga hulumtimi i këtyre ditëve, përpara se të shkruaja këtë artikull, duket se ndryshimet që janë bërë lidhen më shumë me kurrikulën, me metodologjinë e shpjegimit, me disa risi në mësimdhënie, por duke anashkaluar rëndësinë e vlerësimit dhe të korrigjimit motivues. Ende sot korrigjimi ka baza shumë të forta ndëshkimi, kur një detyrë nuk është bërë e plotë, me gabime, ose kur është kryekëput e gabuar. Kur fëmija e ka bërë saktë, nuk kërkon shumë përpjekje ta vlerësosh atë, as ndonjë formë speciale për t’i treguar sa i/e saktë është. Por, fatkeqësisht, ndonjëherë dështohet të vlerësohet ndershmërisht edhe saktësia e detyrës së një fëmijë, le më pastaj për ata fëmijë që do të duhet t’u tregohet sesi mund të përmirësojnë vetveten. 


U frymëzova të shkruaj këtë artikull pas rastit të denoncuar në një prej portaleve në rrjetet sociale. Më poshtë do të gjeni korrigjimin që mësuesja i ka bërë fëmijës në detyrën e matematikës. Do të doja shumë të shkruaja fillimisht çfarë ka që shkon në këtë korrigjim, përpara se të shkruaja çfarë ka që nuk shkon, por më së shumti ky korrigjim i mësueses/it NUK SHKON!

Së pari, mendoj se mësuesja e ka bërë të qartë që kur të zgjidhni problemën, jepni përgjigjen me shkrim duke iu referuar kërkesës. Vogëlushi apo vogëlushja në fjalë, ka vepruar sikurse është udhëzuar të bëjë. Ka shkruar kërkesën dhe i ka kthyer përgjigje me shkrim. Të vetmen gjë që nxënësi nuk ka bërë, është se nuk ka shkruar KËRKESË dhe PËRGJIGJE. Pra, jam shumë dakord që fëmija duhet të shkruajë me fjali të plotë përgjigjen apo kërkesën. Edhe ne në klasë të parë, dikur, mësuesja na kërkonte të kthenim përgjigje me shkrim, sikurse e kërkonte edhe pyetja. Pra, të merrnim vazhdimin e fjalisë së pyetjes për të kthyer përgjigje. Kjo nuk ishte për të vështirësuar detyrën, por më vonë e kuptova se kjo vlente dhe vlen akoma për të formuluar logjikën edhe nëpërmjet strukturës së fjalisë, gjuhës, komunikimit. Pra, mendimi logjik duhet të shkrihet edhe në gjuhën e shprehur. I gjithë ky proces ndihmon zhvillimin konjitiv dhe ndihmon në përvetësimin dhe memorizimin e ushtrimeve. 


Së dyti, fokusi në arritjen e objektivit. Në lëndën e matematikës, është shumë e rëndësishme gjithashtu të mbërrijmë në rezultatin që kërkon zgjidhja e ushtrimit. Ai, ushtrimi, është prioritet për t’u zgjidhur. Zgjidhja që fëmija ka bërë është e saktë, dhe kjo, fatkeqësisht, nuk është evidentuar menjëherë dhe asnjëherë. Kur them MENJËHERË, dua të theksoj rëndësinë që ka për fëmijën të informohet MENJËHERË se ushtrimi është i saktë. Nuk ka “POR…” dhe as komente të tjera shtesë, kur një ushtrim është i saktë. Më pas, mund t’i komunikoni fëmijës gojarisht, duke e rikujtuar, bashkë me klasën, që të shkruajnë: Kërkesë dhe përgjigje në përmbajtjen e zgjidhjes së problemës. 


Së treti. Një mësues i ciklit të ulët, duhet që kujdesshëm të shkruajë me një shkrim të kuptueshëm edhe për fëmijën. Në këtë rast, fëmija ka shkruar shumë më saktë sesa mësuesi. Duket se edhe një i rritur e ka pak të vështirë të kuptojë shkrimin e mësueses/it. 


Së katërti dhe e fundit, por jo më e parëndësishmja, stilolapsi që ka përdorur mësuesja, ka shumë pushtet. Jo më kot e hapa këtë artikull me një dëshmi personale. Kjo, për të ilustruar, sadopak, emocionin që përjeton një fëmijë kur merr vlerësimin nga mësuesi apo mësuesja e tij. Si fillim, duhet të biem dakord që fjala “korrigjim” ka një konotacion jo shumë të këndshëm. Nëse do të duhet ta ndryshonim, nuk kemi pse shpikim fjalë të reja. Mendoj se “vlerësim” mjafton për të përfshirë të gjithë procesin. Kur themi: “Do të korrigjoj detyrat apo provimet”, është njësoj sikur të deklarosh se ajo që fëmija ka bërë nuk vlen, duhet korrigjuar edhe nëse e ka bërë mirë. Por nëse themi “vlerësim”, atëherë e vlerësojmë fëmijën për atë që ka bërë dhe SI e ka bërë. Këtu, te vlerësimi, duhet të kihet shumë kujdes. Ky proces kërkon përkujdesje ndaj fëmijës. Mësuesi ka disa rregulla të arta kur niset të bëjë vlerësimin: nuk kërkon të “kapë” fëmijën në gabim; nuk kërkon vlerësimin vetjak; nuk krahason vlerësimin e fëmijës me atë të të tjerëve; nuk krijon preferenca dhe, mbi të gjitha, është objektiv dhe i ndershëm. Pra, ky proces është përkujdesje, është si një “kurim” dhe jo “korrigjim”. Të kurosh diçka, është një proces që zgjat, kërkon kohë, ndjekje dhe përkushtim. Vjen nga fjala cura në latinisht. Ka të bëjë me mbikëqyrjen e vazhdueshme të individit që ka nevojë për ndihmë, me qëllim përmirësimin e këtij të fundit. Pra, ne nuk e korrigjojmë fëmijën, por ne e kurojmë hera-herës, kur fëmija ka nevojë për ndihmë për diçka që ende nuk e di, ose ende nuk e përdor në mënyrë të drejtë. Kështu, vlerësimi merr edhe më shumë vlerë në sytë e fëmijës, duke pasur parasysh të gjithë pikat e përmendura si më sipër. 


Por çfarë e bën një vlerësim të jetë i drejtë dhe motivues për fëmijën, që të mund të përmirësojë njohuritë e tij?


Vendosuni në pozicionin e fëmijës për një moment. A do të dëshironit ju që t’ju kritikonin në vendin tuaj të punës, MENJËHERË sapo ju vijnë për kontroll? A do të donit ju që në tabelën ku punoni dhe mbushni duart me pluhurin e shkumësit, atje ku konsumoheni si mendërisht por edhe fizikisht, atje ku shpenzoni shumë energji për të dhënë mësim, të shkruanin me një shkumës të kuq flak me të madhe: “Fillimi i mësimit kërkon vendosjen e datës në tabelë. Shkruani temën në regjistër dhe uleni zërin kur shpjegoni! Për sot, mund të ishit edhe më mirë!”. Mund të kishte qenë edhe varianti ku grupi i kontrollit vendos të shkruajë me stilolaps të kuq në fletoren tuaj të shënimeve, ose në fund të regjistrit, të njëjtat fjalë. 


Por, si mendoni ju, çfarë mungon në këtë proces vlerësimi? Çfarë duhet të mësojnë mësuesit nga shembujt ilustrues si këto, dhe nga “korrigjimi” i detyrës së ilustruar si më sipër?


Ajo që duhet të mësojmë të gjithë ne është se fëmijët, përpara se të kuptojnë se çfarë kanë bërë gabim, fillimisht duhet t’i orientojmë të shikojnë se çfarë kanë bërë mirë. A nuk do të ishte më korrekte, motivuese dhe më e drejtë që mësuesja t’i tregonte fëmijës me komentin e saj sesa saktë e kishte zgjidhur ushtrimin? Më pas, ose mund t’ia shkruante ose mund t’ia shpjegonte me gojë të gjithë klasës, për një rikujtesë, sesi kërkohet shkrimi i “kërkesës” dhe i “përgjigjes” për një problemë të ngjashme.


Unë mendoj se edhe mësuesit/et, kur iu vijnë grupet e kontrollit, do të donin që të mund t’iu evidentoheshin të gjitha përpjekjet, arritjet, mundi dhe puna që kanë për lëndën e tyre, apo për ndjekjen e të gjitha lëndëve në klasën fillore. Më pas, mund t’iu kërkohet të rishikojnë bashkërisht sesi mund të përmirësohen disa pika, për pritshmëritë e të cilave jo gjithmonë mësuesi/ja është në dijeni, ose që mund t’i ketë anashkaluar pa dashur; ose, edhe nëse janë anashkaluar me dashje, është e rëndësishme të kuptohen arsyet. Kështu, si mësuesi/ja ashtu edhe fëmijët, rriten dhe përmirësohen me motivim dhe jo me ndëshkim.

 

Vende të ndryshme të Evropës kanë marrë angazhim, prej më shumë se një dekade tashmë, të vlerësojnë detyrat e fëmijëve në fletoret e tyre, apo në librat e punës, me stilolaps të blertë. Edhe komentet bëhen me këtë stilolaps. Kryesisht evidentohen të gjitha ushtrimet që fëmija ka bërë mirë, dhe stilolapsi i kuq mund të përdoret VETËM për të vendosur një vijë të vogël horizontale poshtë ushtrimit, po shumë e vogël, sa për të treguar se ku duhet të bëhet përmirësimi. Gjithashtu, jepet një shembull i ngjashëm për të bërë korrigjimin pozitiv, të cilin fëmija merr përsipër ta bëjë në shtëpi (me zgjedhje). 


Disa studime kanë treguar se stilolapsi i kuq krijon agresivitet, ankth, shqetësim dhe ndonjëherë pagjumësi, kur vlerësimet negative janë të shpeshta. Studimet gjithashtu tregojnë se ngjyra e kuqe e stilolapsit është më lënduese kur ka komente negative, sesa kur ka komente pozitive, ndaj është e rekomandueshme që të përdoret sa më rrallë të jetë e mundur. 



Tashmë, në të pandërgjegjshmen kolektive, ngjyra e kuqe duket se simbolizon ndalimin, stopimin, dështimin dhe agresivitetin. Kështu, sa më pak ajo të spikatë në fletën e punës së fëmijës, aq më i qetë do të jetë fëmija. 


Ne nuk duhet të jemi në pozicionin e “korrigjimit” të fëmijëve tanë, por në pozicionin e vlerësimit të drejtë dhe objektiv të tyre. Vetëm kështu do të edukojmë fëmijë me vetëbesim të lartë dhe që do të dinë të vlerësojnë veten e tyre ndershmërisht dhe në përputhje me realitetin. Vetëm kështu, fëmijëve do t’u ndërtohet vullneti për t’u thelluar në studim dhe për të jetuar me punë. 


Nga Drnt. Denata Toçe

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

9,286 Lexime
2 vjet më parë