PSIKOLOGJI

Ethet e shtatorit

Pse prindërit janë kaq në merak xhanëm? Pse fëmijët janë në ankth? Si mund ta shikojmë ndryshe këtë muaj? Çfarë do ta bënte më të lehtë fillimin e një “here të parë” në botën e edukimit dhe dijes?

Ndërsa hyn muaji shtator, kur era ndryshon drejtimin dhe shirat e parë freskojnë motin, aromat e vjeshtës zënë radhën e tyre. Bashkë me vjeshtën, aroma e shtatorit paralajmëron fillimin e shkollës duke sjellë ndërmend kujtime, bulza nostalgjie tek të rriturit dhe emocion ethesh te të vegjlit. Prindërit tashmë nuk e përjetojnë fillimin e shkollës si dikur, edhe nostalgjinë e lënë shumë shpejt pas krahëve, thjesht disa fraksione sekondash lumturie të cilat vendosen në syrtarin e kujtimeve fëminore. Tani është radha të përjetojnë ankthin e fillimit të çerdhes për herë të parë, të kopshtit për herë të parë dhe ajo më dridhëruesja, fillimit të klasës së parë. Të gjithë këto “të parat” e shtatorit, paskëkishin qënë ndjenja të forta, midis lumturisë dhe merakut, krenarisë dhe dekurajimit të ditëve të para, njohjes dhe të panjohurës të së nesërmes, etj. Me pak fjalë, mua më duhet t’i vë një emër për ta përshkruar të gjithën: “ethet e shtatorit”


Pse prindërit janë kaq në merak xhanëm? Pse fëmijët janë në ankth? Si mund ta shikojmë ndryshe këtë muaj? Çfarë do ta bënte më të lehtë fillimin e një “here të parë” në botën e edukimit dhe dijes?


Prindërit do të jenë vazhdimisht në merak për fëmijët e tyre, pasi shkolla bashkon, disa aktorë njëherësh që përballin fëmijën me veten e tij, me aftësitë, tempramentin dhe karakterin e tij. Prindërit fillojnë të njohin fëmijët nëpërmjet syve të shokëve, syve të mësuesve dhe syve të vetë fëmijës i cili përballet çdo ditë me dinamika të reja njohurish dhe marrëdhëniesh. Ndaj ndjesitë e përjetuara prej prindërve janë të justifikuara. Ndaj dhe prindërit pyesin pas shkolle: “si kalove sot?” “çfarë bëre?” “si dole me mësime?” të gjithë këto pyetje, jo shumë specifike, kryesisht të përgjithshme, mbartin ankthin për t’i ditur të gjitha, për të kontrolluar atë që ndonjëherë është e pakontrollueshme. Fëmijët e perceptojnë këtë ankth të prindërve dhe mobilizohen ngurtazi të tregojnë se çfarë ka ndodhur, dhe përgjigjija që prindërit marrin më së shumti është: “mire, shumë mirë” ose “nuk e di…mire.” 


Për të përftuar më të mirën e fëmijëve, vëzhgimi është shumë i rëndësishëm dhe ndjenjat e fëmijëve gjithashtu. Fillimisht do të duhet t’i pyesim se si janë ndjerë sot në shkollë. Pse jo dhe çfarë do të donte fëmija të tregonte dhe se KUR do të donte të tregonte, ju jeni aty ta degjoni. Orët e mbrëmjes, kur jeni afër shratit dhe po lexoni së bashku ndonjë libër ose jeni gati për t’i thënë natën e mirë duke shpenzuar 5 minuta kohë me të, është koha ideale për të marrë informacione cilësore mbi shkollën, shokët, mësuesit etj. Fëmija ka dëshirë t’i tregojë vet në një moment vulberabël i mbuluar me dashur siç është momenti i mbrëmjes para gjumit. 


Fëmijët nga ana tjetër janë në ankth pasi çdo gjë e re është ankthndjellëse. Ata duan të mësojnë nëse janë të suksesshëm apo jo në atë që do të bëjnë në shkollë. A do të jenë të zotët të bëjnë shokë të rinj? A do të jenë të zotët të bëjnë atë që i kërkon mësuesi? A do të jenë të zotët të kuptojnë dhe mësojnë? A do të jenë aq të zotë sa pritshmëritë që kanë prindërit e tyre? Kjo e fundit është efazive, pasi prindërit, me shprehje klishe i kërkojnë që fëmijët të jenë të mbarë dhe të mësojnë në shkollë. Do të ishte e udhës që këto këshilla të shmangeshin dhe t’i tregoheshe fëmijëve se sa krenarë keni qënë ju për të deri tani. 


T’i jepet besimi se çdo gjë do të shkojë mirë.

 T’i tregohet fëmijëve se fillimi është i vështirë, kërkon pak kohë që fëmija të mësohet me shokët e rinj. Jo të gjithë do të duan të rrinë me të, derisa të gjejë shoqen/shokun që përshtatet më mirë. 

T’i tregojnë se është normale që fillimisht mësuesen/sin do të duket sikur nuk e kupton gjithmonë, se kërkesat e saj/tij duken të paqarta ndonjëherë. 

T’i tregojnë se nuk është turp që të kërkosh ndihmë. 

T’i tregojnë se ndonjëherë shokët ftojnë njëri-tjetrin një ato çapkënllëqet e ditës. Asnjë gjë prej këtyre nuk i bën ata të pambarë, thjesht do të duhet të mësohen me rregullat dhe rutinën e shkollës, e cila do kohën e saj dhe se ju së bashku do t’ia dilni. 


Mësuesit nga ana tjetër, kërkojnë të ndërtojnë dhe identifikojnë rutinën e tyre me fëmijët. Ndonjëherë “nxitohen” të përftojnë nxënës të mbarë, por realiteti është ndryshe. Është praktike të kesh në një grup të madh fëmijësh, të gjithë të mbarë dhe të shkathët për të asimiluar gjithëshka, por spektri i ngjyrave të fëmijëve të fton të mendosh dhe veprosh ndryshe. Mësuesit do të duhet të përballen me këtë larmi ngjyrash, ku dikush është më i shkathët, dikush më pak, dikush më i mbarë, dikush më çapkën, dikush më i shpejtë, dikush më i ngadaltë, etj. Të gjithë përballë dijes dhe aftësi dhe cilësi të ndryshme, presin nga një mësues dhe duan mbi të gjitha të ndjehen të vlerësuar dhe se ai apo ajo i do. Çdo gjë tjetër venitet ose në rastin më të keq, kthehet në një barrier ankthesh dhe traumash. Nuk ka trishtim më të madh për një fëmijë kur nuk merrë vlerësimin e mësuesit, të shokëve, etj. Çdo fëmijë, në autenticitetin e tij, është special dhe meriton të vlerësohet, panvarësisht arritjeve. Dikush të mëdha, dikush pak më të vogla, ia vlen të vlerësohen dhe t’i vihet në pah se ata çdo ditë po rriten dhe po ia dalin.


Kjo atmosferë e bën më të lehtë fillimin dhe vazhdimin e edukimit. Prindër, fëmijë dhe mësues do të duhet të festojnë së bashku ngjarjen më të madhe të historisë së njerëzimit: udhëtimi drejt dijes. Atëherë, çfarë mbetet të bëhet më shumë në këto ethe shtatori? Une them: “le të fillojë festa!”



(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

4,132 Lexime
4 vjet më parë