Bullizmi

Psikolog në shkollë apo shkollë edhe me psikologë

Psikologu sot, endet në shkollat e Tiranës dhe qyteteve të tjera, sikur të ishte faturues dritash, ku në mënyrë sasiore tregon punën e kryer mbi fëmijët, prindërit dhe mësuesit që ka takuar.

Shumë kohë më parë, një djalë i ri, vetëm 11 vjeç, më vjen në zyrën time i shoqëruar nga motra e tij më e madhe, 19 vjeçe. Sapo hapa derën, djali qëndronte si i ngrirë përballë meje, dhe hodhi menjëherë vështrimin e ankthshëm drejt së motrës, si për t’i thënë: “është radha jote të flasësh! Të lutem thuaj diçka!”


Për të larguar nxitimthi ankthin e fjalës së parë, unë i përshëndeta të dy përzemërsisht. I ftova të hyjnë brenda dhe iu drejtova djalit duke i thënë se motra më kishte komunikuar nëpërmjet telefonit se vëllai i saj kërkonte të takoheshe, pikërisht me mua. Djali buzëqeshi i impostuar duke ulur pjesërisht kokën dhe papritur buzëqeshjen e gllabëruan lot të shpejtë, të cilët befasishëm zaptuan edhe të motrën, dhe po aq vrullshëm më prekën ndjeshëm edhe mua! 


Sikur të mos mjaftonin sytë e tij të kuq dhe të njomë prej lotëve, në kontrast aq qartë me lëkurën e bardhë si të një engjëlli të vogël, kishte shumë për të thënë në atë takim. E ftova djalin të vinte brenda në dhomën e takimit dhe të zgjidhte të kalonte atë orë me mua. Pas “lehtësimit” të lotëve të parë, dukej më e thjeshtë për djalin të vinte brenda dhomës së takimit, dhe me në fund, të kisha sytë e tij që më vështronin lehtësisht ndërsa fliste për atë se çfarë i kishte ndodhur përgjatë një viti e gjysmë në shkollën e tij. 


Ai më tregoi se shkonte në një shkollë publike. Përpara se të shkonte në klasën e pestë, katër vitet e para ishin mjaft të bukura në qytetin e tij të lindjes. Me të ardhur në Tiranë, gjithçka ndryshoi. Në shkollën ku ai shkonte, e ngacmonin gjatë gjithë kohës. Trupvogël dhe i imët, i ndrojtur dhe i ndjeshëm, i dashur deri me një naivitet hyjnor, ishte kthyer si një shënjestër për shokët e tij të klasës, por jo vetëm. Mjaft i mirë në mësime, i përkushtuar ndaj shkollës, i qeshur dhe i hareshëm me njerëzit e afërm dhe me miqtë e tij, kishte filluar të mos ishte më e i njëjti pas ngjarjeve të njëpasnjëshme të ndodhura në shkollën ku ai shkonte. Përjetimi i talljeve të rregullta për veshjen e tij modeste sipas mundësive familjare, shpifjeve mbi seksualitetin e tij për shkak të bukurisë gati femërore që ia tregonte fytyra e tij engjëllore dhe lëkurës së bardhë gati të pazakontë, ngacmimeve fizike në klasë me pickime dhe lojëra djallëzore të gjuajtjeve pa autor, dhunës verbale të “bosave” qyqar të klasës, ku e ardhmja s’ka emër për ata, dhe së fundmi, të gjithë pasojat që vijnë nga mbrapa: pa shokë, pa shoqe, pa mbështetjen e mësuese se “çunat e vërtetë nuk spiunojnë!”, pa një motivim për t’u zgjuar në mëngjes, dhe pa një shpresë për të vazhduar shkollën. 


Kjo është historia e një paraadoleshenti, viktimë e bullizmit për një kohë relativisht të gjatë. Takimet tona zgjatën me pak se gjurmët që ka lënë kjo histori tek unë. Nuk e harroj asnjëherë dëshirën e dhimbshme të atij fëmije për të dalë sa më shpejt nga ky realitet kaq i ashpër. 


Historia bëhet më e plotë me prindërit të cilët, të pamundur për t’i kushtuar kohë fëmijëve, për shkak të punëve impenjative dhe pa orar të arrogancës tirane së kapitalizmit alla Tiranas, për të porsaardhurit në qytet dhe historive të tyre, siç e tregonte djali, mbeteshin të prioritetit sekondar, ose siç dëgjonte nëpër shtëpi të thuhej: “punë fëmijësh!” Eh, sa herë e kemi dëgjuar këtë frazë të dalë nga goja e prindërve që i përkasin kulturës sonë? Vetëm e motra, vetëm ajo i kishte besuar syve të brishtë të vëllait të saj. Vetëm ajo mundi ta kuptonte se çfarë realisht kishte ndodhur. Ndoshta sepse e njihte mire vëllain e saj, e dinte se sa i pastër ishte fryma e tij, e dinte se sa do i kushtonte ardhja ne Tiranë një djali province si ai, sepse ndoshta, e theksoj, ndoshta edhe ajo, mund të kishte kaluar nëpër të njëjtën ngushticë vuajtjesh, dhe ndoshta askush nuk u gjend për të. Por kjo nuk u mor vesh asnjëherë! Ajo që unë mësova, është se ajo ishte aty për të vëllain e saj, me bindjen, sigurinë dhe krenarinë se kishte bërë gjënë e duhur. Po, ajo kishte bërë gjënë e duhur në fakt! 


Pyetjet që më vinin në mëndje ishin shumë, të ndërthurura me shqetësimin tim të vazhdueshëm për sistemin tonë shkollorë në Shqipëri. A ishte mësuesja e djalit në djeni të asaj që kishte ndodhur me këtë fëmijë? A mundet në një mënyrë apo në një tjetër, duke marrë në konsideratë eksperiencën e saj në arsim, të ishte treguar më e kujdesshme gjatë vëzhgimit të saj rreth këtij fëmije? Fundja t’i bënte disa pyetje fare të thjeshta vetes: pse ky fëmijë ka rënë nga mësimet? Pse nuk vjen në shkollë si më parë, me aq dëshirë? Pse nuk do të ngrihet asnjëherë të flasë për mësimin përpara shokëve? Pse shokët tallen sa herë që atij i duhet të ngrihet përpara klasës? Mos ndoshta edhe mësueses vet i qeshet kur i shikon këto pamje? Uroj që jo, dhe nuk dua të besoj që është kështu! Por minimalisht, këto pyetje do e çonin në përfundimin se ka diçka që nuk shkon në këtë histori. Po ajo pyetje që sillej vicioze rreth mendjes time gjatë takimeve me djalin 11-vjeçar ishte: “Çfarë ishte duke bërë psikologu shkollor kur kjo situatë po ndodhte?” 


Ndërsa hulumtoja, për të disatën herë, letrat e “kuruara” të publikuara nga Ministria e Arsimit rreth rolit të psikologut nëpër shkolla, më vinte t’i çirrja fasadën gjithë këtij realiteti me një shkop magjik, dhe të shkonte gjithçka në vendin që i takon. Doni të mësoni se cili është roli i psikologut në shkolla dhe se çfarë në realitet një psikolog shkollor bën sot?


Psikologu shkollor në shkollë është pjesë e shërbimit psikologjik brenda shkollës, shërbim i cili është i udhëhequr prej tij dhe i përbërë VETËM prej tij. Parimisht do të duhet të kishte dhe aktor të tjerë pjesëmarrës si punonjësi social p.sh, por ky është një “lluks” i tepruar përballë realitetit të hidhur. Ky realitet na ka treguar se ka jo vetëm një psikolog në shërbimin psikologjik, por ka VETËM një psikolog për minimalisht tre shkolla. Ndërkohë një normativa ligjore e vitit 2013, neni 45 thotë: “Njësia përbëhet nga psikologë dhe punonjës socialë, numri i të cilëve përcaktohet sipas normave për nxënësit e institucioneve arsimore publike.” A mendoni se psikologët e shkollave sot janë të mjaftueshëm sipas normave të nxënësve? Në të vërtetë, psikologu sot, endet në shkollat e Tiranës dhe qyteteve të tjera, sikur të ishte faturues dritash, ku në mënyrë sasiore tregon punën e kryer mbi fëmijët, prindërit dhe mësuesit që ka takuar. Dikush prej psikologëve, kolegë të mi, të pasionuar pas punës së tyre, mundohet cilësisht të sjellin më të mirën për të ngritur dhe mirëmbajtur këtë shërbim. Ata meritojnë një BRAVO! të madhe. Por pyetja ime është: A mjafton vetëm një psikologë për t’i asistuar gjithë shkollës bashkë dhe a mjafton vetëm një psikolog për t’i asistuar tre shkollave së bashku? Cilësisht probleme si këto do të anashkaloheshin pa dashur, pasi sistemi i ngritur është i mbrapsht që prej fillimit të kësaj praktike të cunguar duke i lënë psikologët shkollore të ndjehen të paaftë për t’ia dalë mbanë.


Funksioni i psikologut shkollor

Ja çfarë thuhet për rolin dhe funksionin e psikologut ne shkollë: “Psikologu, në shërbimin që ofron, njihen si personi ky në veprimtarinë arsimore në të gjitha institucionet shtetërore të edukimit. Veprimtaria e tij zhvillohet në lidhje dhe bashkëpunim të ngushtë me stafin pedagogjik dhe drejtues të shkollës, me prindërit dhe komunitetin, ku ndodhet shkolla. 

Qëllimi kryesor i punës së specialistit të shërbimit psikologjik në shkollë fokusohet në promovimin dhe zhvillimin mendor e fizik të nxënësve si dhe në ndihmesën dhe mbështetjen që jep për rritjen e cilësisë së procesit të mësimnxënies dhe mësimdhënies. Specialisti i shërbimit psikologjik bashkëpunon me personelin administrativ dhe pedagogjik për konceptimin dhe realizimin e shërbimeve që lidhen me vlerësimin e rezultateve të nxënësve, me orientimin e karrierës dhe me zhvillimin social dhe personal të nxënësve. Detyrat e tij shtrihen në proces këshillimi të stafit pedagogjik, këshillimit të nxënësve individualisht dhe në grup, përpilimin e planeve të ndërhyrjes si nga mësues-nxënës dhe aktorëve të tjerë pjesëmarrës, bashkëpunon me shërbime të ndryshme dhe referon kur është e nevojshme. Gjithashtu, psikologu shkollor merr pjesë në edukim profesional të vazhduar, që të jenë në koherencë dhe të përditësuar me literaturën e praktikën bashkëkohore.” (FAGAN, THOMAS K., and WISE, PAULA S., 2000) 


Përshkrimi i mësipërm, qartëson detyrën e psikologut shkollor si një shërbim që ndodhet kaq pranë nevojave të fëmijëve, dhe mbi të gjitha promovojnë cilësinë me të cilin do të duhet të vij ky shërbim. Por më thoni ju, fëmijë, prindër, mësues, kolegë dhe qytetarë të tjerë, a është ky profesionisti që njohim ne nëpër këto institucione edukimi? A shikojmë ne të jetë kaq pranë nevojave të fëmijëve tek prezenca e bullizmit, gjithëpërfshirës në dallimet që ka midis nxënësve me nevoja të veçanta apo me AK (aftësi të kufizuar), episode e sjelljeve problem, vështirësitë tek fëmijë të grupeve sociale të varfër apo me dinamika të ndryshme social-familjare, dhe të tjera si këto, profesionistin që duam? Sigurisht që jo! Edhe pse me vullnetin apo zellin e mirë të një psikologu shkollor, nevoja për trajnime të vazhduara, që prej fillimit të këtij misioni qëllim-mirë, vënia në dispozicion të punës së psikologut në ndërtimin e shërbimit dhe të profesionistëve të tjerë që mbulojnë problematikën në terren siç është punonjësi social, sigurimi i burimeve njerëzore në ndërtimin e këtij shërbimi psikologjik specifikisht të kualifikuar dhe jo mësues historie apo biologjie, apo sociologjie, mbi të gjitha, mjaft me psikologë shkollorë që enden sa në një shkollë në tjetër duke humbur mundësinë edhe më të pakët post problemeve të tjera, për të siguruar një shërbim cilësor dhe të vazhduar, por thjesht sa konstatojnë problemet, ose ku ndoshta edhe kjo e fundit nuk ndodh. 


Si përfundim, mendoj se do të kemi ende fëmijë në shkollë në nevojë të dëshpëruar për t’ia dalë suksesshëm në rrugëtimin e tyre të edukimit, që janë vulnerabël ndaj shumë faktorëve social-kulturor, që janë pre e kësaj shoqërie mjerisht e rrafshuar në thepin e tranzicioneve të njëpasnjëshme politike dhe rrjedhimisht sociale, e ku i përplas individët të kërkojnë për më mirë, ndaj dhe fenomeni i lëvizjeve demografike, prezencës së varfërisë, prezencës së diversiteteve kulturore e krahinore, do të jenë pranë nesh, dhe pritet prej një profesionisti, që këto vështirësi, dinamika të cilat i kalojnë fëmijët të cilët përballen me një rutinë sociale të përditshme, të jenë sa do pak të amortizuara për një të ardhme sa më të shëndetshme të tyre. “Premtoj” se nuk ka fëmijë të këqinj, të paedukuar, të zhurmshëm, të ndrojtur, të dobët, të paaftë, të padenjë, katundar, malok, jugor, etj. Thjesht ka fëmijët të cilët janë të ndryshëm dhe unik, sikundër e kam shkruar edhe në një prej artikujve të mi në këtë rubrikë. Një mësues dhe psikolog i drejtë, human dhe profesionist, kryen një punë direkte dhe indirekte për t’i “zbutur” këto dallime dhe për t’i njësuar me kërkesat që ka një proces edukimi. 


Motivimi, ky është çelësi i çdo fëmije për të qenë i sigurt se do t’ia dalë. Ky motivim do të duhet të mbahet nën vëzhgim dhe i kuruar kujdesshëm prej mësueseve dhe mbi të gjitha prej profesionistëve të shërbimit psikologjik në shkollë. Bashkëpunimi midis aktorëve mësues, psikolog dhe prind, është trio, harmonia e të cilës arrihet me vullnetin e mirë dhe mbështetjen e sistemi të edukimit që aderon një shoqëri më të mirë, dhe jo të mbuluar prej “egoizmit për mbijetesë” që po karakterizon gjithnjë e më tepër shoqërinë tonë. Pra, sot ia dolëm, kismet nesër! Ndërkohë që nesër, varet e gjithë ndërgjegjja jonë kolektive, i gjithë morali jonë social, dhe për kolegët e mi, morali profesional!


Referenca 

(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

14,429 Lexime
6 vjet më parë