“Buzëqeshja që pas fshihte dhimbje” nga Dhurata Hoj (Haxhia)

“Buzëqeshja që pas fshihte dhimbje” është shkrimi letrar i Dhurata Hoj (Haxhia), me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Ritmet e kohës ndodh shpesh të mos i kuptoj teksa fluturojnë si të ishin ëndrra fëmijësh. Sa lumturisht kam ëndërruar fëmijë! Të ishin dallëndyshe do të ktheheshin, ndaj them ëndrra fëmijësh, se ato fluturojnë e ikin pa kthim duke lënë gjurmë. Gjurmë me ngjyra lloj-lloj e të pamundura në shumë raste për t'i përcaktuar. Sa botë e bukur fëmijëria dhe pse e brishtë e delikate. E vogël, kokë mbështetur në prehrin e gjyshes dëgjoja në anë të oxhakut përrallat e saj. E vetmja gjë pse i adhuroja përrallat ishte jeta dhe të pamundurat që bëheshin të mundura. Kur u rrita kuptova se jeta s'mund të jetë kurrë përrallë, por që të pamundurat prekin realitetin duke këmbëngulur dhe besuar te vetvetja. Pikërisht këtë përpiqem të frymoj si lajtmotiv te secili që e dua fort e që e dua mirë. 


Erërat e stuhitë e stinëve të jetës rrëzuan e ngrinë prej acarit dëshirat e pasionet, i përplasën furishëm sa andej-këndej deri sa dielli fali një rreze jete për ta. E kush pati arritje në jetë pa sfida?! Koha rrodhi duke ia ndier gurgullimat në ikje të pakuptimtë, por me një gllënjkë të vetme duke mbajtur të njomtë e plot jetë pasionin dhe dëshirën për të lënë gjurmë sadopak në ditët e mia të cilat të përkasin edhe TY. 


Ty, që kur jam duke nxituar për një punë a për një tjetër nëpër rrugët e qytetit, ndalem në krahët e tu të hapur prej dashurie, e si për çudi prej kohës fluturake detyrohem të ngrihem në majë të gishtave të të përqafoj. Sa je rritur! Përmallshëm t’i dhe unë. Po, po si të ishe fëmija im e unë nëna jote. Kjo dashuria më e çiltër. . . Ky është vlerësimi më i vyer. Respekti dhe dashuria e nxënësit për mësuesin vlejnë më shumë se diplomat e certifikatat. Arritjet e tyre janë nderi më i madh, mirënjohja më e pakufishme. 


Shtati i nxënësve ma rrëfen kohën, ashtu si pasqyra në mëngjes që ma sjell në mend dhe pse s'kam dëshirë ta besoj e nis e luaj detyrimisht me tekat e saj lojën 'kukafshehtas' me fijet e bardha të flokëve që përpiqem t'i mbuloj a t'i fsheh që të mos duken. E pra kur koha i lë gjurmët e saj pa u kuptuar në ikje, t’i orvatesh duke shkelur herë mbi veten e herë - herë pa e ditur as vetë se ku, e në ikje të kohës tinzare ulen këmbëkryq mendimet enigmatike. Vërshojnë autostrada mendimesh, lëmsha të ngatërruar, zgjua bletësh në kokën time. Ziejnë mendimet e për një moment vështirë të mbledh veten. Si një album fotografik shpalosen ashtu herë ngjyra- ngjyra e herë bardhë e zi fragmete e copëza jete. Bëj të ndalem, po ku të ndalem më parë? Alternativa pa fund qenka jeta. Shpalosje mundimesh,punësh e sfidash që numërojnë pothuajse dy dekada dhe rrëfejnë pa fjalë se jeta jote është e mbushur plot ndodhi. Plot e përplot thuaj,sa qindra libra s'do mjaftonin për t'i rrëfyer. Se për mësuesit s'mjaftojnë librat kurrë, kështu dhe jeta e tyre plot ngjarje do të shkruhej një mal me libra e nuk do të mjaftonte. Janë nga më të bukurat që të mbërthejnë në lot gëzimi e nga më të dhimbshmet që të mbysin në të heltmin trishtim. Arkitektura e jetës qenka në shumë raste krejt e padrejtë. Falmë Zot për gjykimin e veprës tënde, por shumë e padrejtë...


Ka kaluar një dekadë kur unë u gjenda para një vocërraku që mbante fytyrën e tij rrumbullake mbërthyer me dy pëllëmbët e që i dukeshin vetëm sytë që aq fort i shkëlqenin sa herë hyja në klasë për të vëzhguar orë mësimi, si detyrë e nëndrejtorit që unë kisha. Inteligjenca dhe shkathtësia e tij nuk linte të kuptoje asgjë. 

E pamundur që të arrije të kuptoje se sytë e tij aq të qeshur çdo mëngjes shihnin bluzat e bardha dhe goja e tij mjaltë ku e di se sa e sa mëngjese të bukura po i bëhej helm nga barnat që s'po jepnin asnjë efekt. Ishte nëna e tij, ajo grua e vuajtur e hallemadhe që m'i tha përmes lotësh të gjitha ato që fshiheshin përtej asaj që dokumentohej e shihej e ndërkohë lutej që të bëja sikur nuk di asgjë rreth atyre që më tha, përndryshe sedra e tij do e bënte të ndihej më keq. Sa u lodhka njeriu në jetë për të pasur gjithçka, e vonë e kupton se jeta vetë s'qenka asgjë. Bëheshin aso kohe trajnime të mësuesve dhe drejtuesve, pasi ende në shkolla nuk kishte mësues ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta. Të gjithëve na duhej të bënim maksimumin që ai të ndihej si gjithë të tjerët edhe pse aftësia e tij e kufizuar fizike nuk ishte aq e dukshme, aq më tepër që talenti i tij në çdo fushë ta bënte për një moment të pabesueshme këtë gjë. E pas kësaj pranvere të shkurtër që unë u njoha me nxënësin tim D. . . , pushimet verore na lanë larg njëri - tjetrit fizikisht, por me zemër shumë pranë. Gjatë verës lexova shumë atë pak literaturë që kishte dalë për këtë kategori nxënësish dhe gjithë përfshirjen e tyre në orën e mësimit. Shtatori e hidhte në klasën e gjashtë, ku për fatin dhe dëshirën time të madhe unë në atë klasë do të zhvilloja çdo ditë orë mësimi në lëndën e gjuhës shqipe e për të vijuar deri në përfundim të klasës së nëntë. Zilja për të filluar ora e mësimit në atë klasë më ishte kthyer në momentin më të bukur të ditës sime. Në rreshtin e mesit, në bankën e dytë e herë dhe në të tretën, si tani më vjen në mendje, më ndiqnin dy sy të qeshur, shihja çdo herë një dorë të ngritur dhe dëgjoja një zë aq të ëmbël (sot më rrëqethet mishi kur e kujtoj )e një kërkim lejeje për të folur për mësimin. Nuk ndihej keq apo i penguar nga këmba dhe dora e tij që aq shumë i dhembnin nga sëmundja e që kurrë nuk u ankua. Gjithmonë kërkonte të dilte në dërrasën e zezë të punonte ushtrimet e gjuhës. Mësonte shumë. Besonte shumë në aftësitë e tij dhe në çdo gjë. I bënte të gjithë për të qeshur me batutat e tij sa një ditë e kritikova të mos fliste me shokët gjatë orës së mësimit e të mos i bënte për të qeshur. 


Vetëm vuri buzën në gaz dhe tha: -Çfarë bëra? S'bëra gjë mësuese. 


Nuk mund ta quante faj se bënte për të qeshur të tjerët. Kështu ai me siguri luftonte dhimbjet që sëmundja po i shkaktonte çdo ditë e më tepër. A thua po e mposhte sëmundjen me humorin e tij që e karakterizonte?! Ta bësh tjetrin të qeshësh, t'i falësh gëzim, është gjëja më e bukur që mund të bësh në jetë. Ai e bënte dhe ndoshta kështu falte njerëzve përreth grimca nga jeta e tij. Nuk ankohej. Përpiqej të mos mungonte në shkollë. Edhe po të mungonte dihej se kishte arsye shëndetësore, por kurrë nuk e thoshte këtë. Nuk donte që të nxirrte nga goja e tij fjalën sëmundje apo ilaçe. Rrugëtuam kështu për katër vite me radhë. Shumë herë ia kam harruar hallin, se mësuesi përveç të tjerash në plan të parë ka cilësinë e mendja kohët e fundit ishte fokusuar te Provimet Kombëtare të Arsimit Bazë që zhvillohen në përfundim të klasës së nëntë. Kohët e fundit ra në sy mungesa e tij në shkollë. U organizuam të gjithë dhe i shkuam për vizitë në shtëpi. Ishte e para herë që dëgjova të thoshte se jam pak sëmurë, por do të bëhem më mirë, do të vij në shkollë e do të bëj konsultime dhe përgatitje për provimet. 


E donte shumë shkollën dhe mundohej të arsyetonte mungesat pa dashur të tregonte se sa shumë po vuante. Përveç sëmundjes që e rëndonte çdo ditë e më tepër,si për të mos mjaftuar kjo, ishte dhe në kushte shumë të vështira ekonomike. Sa e sa herë i jemi gjetur pranë për ta ndihmuar të gjithë bashkë mësues e nxënës duke bashkëpunuar dhe me OJF-të. Shokët dhe shoqet e donin aq shumë, pasi ai përcillte vetëm pozitivitet. Në kampionatin e futbollit mes shkollave të qytetit, ku vetë nuk mundi të merrte pjesë, shokët vendosën që bluzën që mbante emrin e tij ta vishte njëri prej tyre. U ndanë me fitore dhe ia kushtuan vetëm ATIJ. Brohorisnin me bluzën e tij në duar. 


 -"D. . . ti je kampion!”. Ia dërguam me foto dhe video në telefonin e vëllait. Gëzimi i tij i pamasë e mposhtte sëmundjen. Shpresonte shumë dhe na bënte të mos e besonim se sa rëndë ishte, sa ditën e provimit të parë deshëm ta merrnim e ta sillnim në shkollë. Vetëm atë moment kur kam dëgjuar në telefon nga goja e tij fjalën "s'mundem mësuese" më është dridhur zemra e gjunjët mezi më kanë mbajtur. U mbyt në lot (kuptohej nga zëri) dhe ma mbylli telefonin. I vetmi moment që më bëri të kuptoj se vërtetë është rëndë, jo se nuk e besoja, por s'mund ta besoja këtë gjë vetëm falë shpresës dhe optimizmit që i lexoja në sy. Ku ta dija unë se këta sy qeshnin dhimbshëm dhe mbanin kaq shumë të fshehta. . . Ai kurrë nuk thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme rreth shëndetit të tij. Si dhe herë të tjera vendosëm t'i shkonim për vizitë, por na thanë se ishte në spital. Ia dinim dëshirat dhe vendosëm që të gjithë bashkë dhe me mbështetjen e një OJF-je i realizuam dëshirën e tij të madhe, blerjen e një celulari. Merrnim me mend rrugës se sa do të lumturohej kur të na shihte. E takuam. Buzëqeshi e duke lënguar fort, por fort ama si asnjëherë tjetër na përqafoi të gjithëve me radhë. Donte të thoshte diçka, por dhimbja e gëzimi iu mblodhën bashkë dhe si kurrë më parë sytë iu mbushën me lot. Me gjysmë zëri mezi pëshpëriti: -Jam shumë sëmurë. I rrodhën lotët nëpër faqe që as gjysmat s'i kishin mbetur. Qe dobësuar shumë. Kurrë nuk e kisha dëgjuar të thoshte një fjalë të tillë, apo të qante. Ndërkohë që na duhej të dilnim nga dhoma e spitalit. Sa herë hidhja një hap më përsëritej zëri dhe fjala e tij. Atë moment kuptova se sa e dobët jam, por më duhej të mblidhja veten dhe të shoqëroja nxënësit, të cilët s'donin të ndaheshin prej tij, megjithëse asnjëri nga ne nuk deshëm që të na shihte duke qarë dhe u larguam duke i thënë që të presim të na marrësh në telefon. Na ndoqi me shikim derisa nuk shiheshim më. I hidhnim këmbët kuturu se s'na linin lotët të zbrisnim as shkallët. Më ndiqte nga pas ai zë i dridhur e i dhimbshëm përmes lotësh. Nuk desha të më dëgjonin nxënësit që kisha pranë dhe u largova vetëm dy - tre hapa më tutje për të biseduar me vëllanë e tij. Ndërkohë që i thashë a mund të dhuroj gjak, s'mundi të më thoshte asnjë fjalë, veç tundi kokën në shenjë mohimi dhe vuri gishtin në orën që mbante në dorë. S'doja t'ju jepja kuptim gjesteve të tij dhe këmbëngula të dhuroja gjak (nuk e kisha për herë të parë dhurimin e gjakut ), por më tha se nuk nevojitet dhe se nuk i mungon asgjë. U përshëndetëm në ikje me shpresën e mrekullive. Ndërkohë që udhëtonim për në shtëpi, nxënësve u thosha se së shpejti do të dëgjohemi në telefon me D. . . . 


Në vend të zërit të tij pas asaj zileje telefoni që e parandjeva sapo ra, u dëgjua vëllai i tij të cilin e kuptova nga zëri që i dridhej sapo më tha: -Alo mësuese. . . 


Lotët s'flasin, por në atë moment kuptova se ai përqafim që pak orë më parë i dhamë njëri-tjetrit, qe i fundit. . . 


I fundit qe vërtetë. . . 


S'mundi t'u gëzohej dëshirave të moshës dhe ëndrrave më të bukura. Jeta në këtë mënyrë na i paska kombinuar fatet. Atë fund korriku ku vendi gjithandej digjej prush prej motit, nuk do të mjaftonte me kaq. Digjeshin zemra e përvëloheshin për këtë humbje të madhe e të parakohshme, aq dhe të pabesueshme teksa shihje mes trëndafilash të vetmin zambak që tashmë flinte në gjumin e përjetshëm me buzën e ngrirë në gaz. Zuri një vesë shi në atë mesditë të errët. Kisha dëgjuar gjyshen ku në raste të tilla thoshte po qan dhe Zoti. E kuptova dhe e besova këtë gjë. Çfarë s'dëgjoje prej gojës së gjyshes sime. Edhe unë si gjyshja do t'i rrëfej gjithkujt për nxënësin tim, djalin e bukur e të dashur që sot është engjëll në Parajsë. Do të rrëfej se vuajti e duroi dhimbjen gjer në palcë dhe sesi buzëqeshja e tij e mbajti të fshehtë këtë dhimbje. 




Dhurata Hoj (Haxhia)

Dhurata Hoj (Haxhia) Lindur në Burrel të rrethit të Matit më 28. 11. 1981. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Shkollën ”Gjergj Kastrioti“ në Baz-Burrel. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, dega Gjuhë shqipe dhe Letërsi. Dhurata në vitin 2001 krijoi familjen e saj në Laç - Kurbin, ku punon dhe jeton aktualisht. Ushtron profesionin e mësuesisë që nga 14. 02. 2006, aktualisht mësuese e Gjuhës shqipe dhe e Letërsisë pranë Shkollës NR. 3 Laç dhe njëkohësisht prej 10 vitesh në pozicionin e nëndrejtorit. Mësimdhënia për të është arti më i bukur dhe misioni më i çmuar. Poezia është një tjetër pasion i saj. Poezitë e para i ka botuar që kur ishte nxënëse në revistën e shkollës “STINA” ku ishte dhe redaktore e kësaj reviste. Ka qenë fituese e disa konkurseve të zhvilluara në rrethin e Matit. Është vlerësuar me çmimin e parë në konkursin e zhvilluar në MAT TV me poezinë ‘’Pranverë 1997’’. Është pjesë e antologjisë ‘’109 vjet Shqipëri’’ me poezinë “NËNTORI”. Është pjesë e gjashtë antologjive “Shqipëri Natyrale’’ botuar në Kosovë. Ndërkohë ka shkruar edhe prozën “A trafikohen ëndrrat?” dhe disa poezi. Ka botuar librin “Mësimdhënia është art, menaxhimi është strategji” ku vjen si një dëshirë për të shpalosur përvojat në punën e përditshme të mësimdhënies dhe të menaxhimit në pozicionin e nëndrejtorit. Ka në duar vëllimet me poezi ‘’Jetё nё vargje’’dhe ’’Rrugёs pёr nё vendlindje” si dhe shkrime të tjera. 

 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,351 Lexime
7 muaj më parë