
Dedikim nga mësuesi Gëzim Dalliu: Udhëtimi i minimaturës, kujtime, rritje dhe urime për të ardhmen
Ky tekst prekës i mësuesit Gëzim Dalliut është një letër-mesazh për nxënësit e minimaturës, ku falënderimi, krenaria dhe emocionet përzihen me urimet për të ardhmen. Një përshëndetje që përmbledh kujtimet, rritjen dhe vlerat që shkolla u ka dhënë.
Nga Gezim Dalliu
E dashur Minimaturë!
Sot është një ditë që nuk harrohet lehtë. Një kapitull mbyllët, një tjetër nis. Sot, ju nuk jeni më vetëm nxënës të kësaj shkolle, por jeni kujtimet e gjalla, më të bukura, zëra që keni mbushur klasën me jetë,shkollën me gëzim. Jeni ju që sytë tuaj keni kërkuar dijen, dhe zemra ju ka rrahur fort për këtë ëndërr. Nëntë vite më parë, ndoshta me çanta më të mëdha se vetë ju, hytë në këtë udhë të bukur,të hutuar, të gëzuar, ndoshta edhe të trembur,por dita e sotme tregon se sa shumë keni ndryshuar. Jeni rritur. Keni mësuar jo vetëm lëndë e faqe librash, por jeni njerëz më të mirë, më të fortë, më të dashur. Kjo minimaturë nuk është thjesht një festë. Është një ndalesë e bukur, për të kthyer kokën pas me krenari dhe për të parë përpara me guxim. Jeta ju pret me sfida të reja, por edhe me mundësi të pafundme. Besoni tek vetja, mos u dorëzoni kurrë dhe mos harroni rrënjët, shkollën që ju formoi që ju dha dije të ecni gjatë në rrugën e jetës. Ju falënderoj për çdo buzëqeshje, për çdo përpjekje, për çdo kujtim që më keni dhuruar. Do më mungoni, por do të jem gjithmonë krenarë për ju! Le të jenë këto fjalë kuptimi dhe kujtimi më i bukur i kësaj Minimature! Urime nga zemra! Shkëlqeni gjithmonë, kudo që të shkoni! Le të jenë këto vargje vlera e rrugëtimit që mbyllët dhe drita e të ardhmes!
Të vegjël ju gjeta
Ju u rritët ngadalë
Me zemër te ju mbeta
A po ndahemi vallë?
Koha rrodhi ndër vite
E mbushur me kujtime
Shkëlqeni si rreze drite
Sot nuk ka trishtime.
Hidhni sytë nga fillimi
Zilen mos e harroni
Se aty nisi udhëtimi
Dijet që morët i çmoni.
Emrin e pikturuat
E qëndisët me arë
Mirësinë vetë gatuat
Jeta u ecte mbarë.
Kjo shtëpi ju dha dituri
Nënte vite plot jetë
Klasë model me urtësi
Gurë themeli do të mbet.
Koha po ju pret
Rruga tjetër do të nisë
Ju paçi vetëm shëndet
Kujtimet do ti ngjisë.
Qëndisëm një miqësi
Hapëm udhën e jetës
Vitet e bukura me mirësi
Mbeten lule e të vërtetës.
Shoqërinë mos e harroni
E mbani gjithnjë në zemër
Atë gjithmonë kujtoni
Se ajo ju dha një emër.
Mbarësi kudo ku shkoni
Shkolla ju dha dituri
Vlerën gjithmonë përçoni
Me dëshirë dhe mirësi.
E mbyllëm ketë rrugëtim
Si valët që ka një det
E meritoni këtë urim
Suksese paçi në jetë!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali