“Diplomim nën represion...” nga Valbone Prekazi

“Diplomim nën represion...” është shkrimi letrar i profesoreshës Valbone Prekazi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.

“Diplomim nën represion...” është shkrimi letrar i profesoreshës Valbone Prekazi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.


Ishte qershor i vitit 1991. Viti shkollor përfundoi, por nxënësit duhej t’i mbronin verbalisht punimet e tyre të diplomës të Praktikës Profesionale. Asokohe numëronim rreth gjashtëdhjetë nxënës në tri profile në lëmin e Elektroteknikës: Elektroinstalues, Teknik të Energjetikës, si dhe teknikë të Audio-Videos. 


I formuam tri komisione pyetëse sipas profesioneve dhe u vendosëm në tri klasë të katit të parë të ndërtesës së re të Shkollës së Mesme Teknike (asokohe) “Boris Kidriç” në Mitrovicë. Drejtoria e shkollës ditë më parë kishte urdhëruar që të largoheshin bankat dhe karriget e nxënësve, duke i lënë klasat bosh. 

Klasat ngelën të mëdha dhe të ftohta nga atmosfera e zymtë që mbretëronte. Edhe nxënësit i kishim paksa të tensionuar, sepse situata politike ishte e rëndë. Por, për ne mësimdhënësit kjo situatë u menaxhua, sepse në shpirt e ndjenim se duhej të ishim motivi dhe frymëzim i tyre në këto kohë të vështira.


Nxënësit kishin nga dy kopje të temave të punimit të diplomës, kështu që njërën na e dorëzuan ne komisionerëve, kurse të dytën e shtruan dhe u ulën mbi të në dysheme. 


Unë isha kryetare e komisionit të klasës së tretë, njëherazi isha kujdestare klase e tetëmbëdhjetë djemve. Në këtë gjeneratë nuk kishim vajza fare. Kolegët meshkuj duke kërkuar nëpër klasa të ndryshme të shkollës mezi i gjetën dy karrige dhe një bankë, ku do të mund të plotësonim dokumentacionin e duhur për diplomimin e nxënësve. Me të shpejtë filluam t’i pyesnim nxënësit. I nënshkruanim proceset dhe i notonim, sepse kishim një parandjenjë të keqe, meqë pak më parë arritëm të vërenim disa autoblinda të policisë rreth shkollës. Secilin nxënës që diplomonim, e përcillnim te dera duke i udhëzuar që të iknin në shtëpi sa më parë. Pasi u pyetën dhe u notuan të gjithë, takimin me nxënës e lamë të ishte pas një jave tek shtëpia ime, sepse ishte në një lagje tjetër të qytetit. Por, para se ta përfundonim punën, dëgjuam zhurma nëpër korridore, si dhe ecje të rrepta ushtarake. Ata hapnin dyert e klasave me rrëmbim dhe zhurmë. Me të shpejtë njëri nga nxënësit e mbetur kërceu nga dritarja në pjesën e pasme të oborrit të shkollës. Ne ia dhamë tërë dokumentacionin nxënësve, dhei sugjeruam që t’i dërgonin në kafiterinë “Flora”, ngase ky lokal ishte shumë afër dhe ishte i bashkëshortit tim. 


Në këtë periudhë, qëllimi i policëve ishte të asgjësojnë dokumentet si dhe të fusnin frikën tek të gjithë ne. Ishte koha kur i merrnin nxënësit për shërbimin ushtarak Serbo-sllav. Ata përpos bastisjes së klasave, ndodhte që të bastisnin edhe shtëpitë e mësimdhënësve duke i keqtrajtuar ata si dhe familjarët e tyre, e me raste i arrestonin nxënësit që dyshonin se kishin bindje nacionaliste. 


Kështu që, kur drejtoresha Gordana, erdhi me një grup policësh në klasë, na gjeti vetëm ne, tre anëtarët e komisionit me ditar në dorë. Na bërtitën dhe fyen, por ne i shpëtuam nxënësit dhe dokumentacionin e tyre nga një represion i sistemit serbo-ithtarë të Millosheviçit. 


Pasi i morëm dokumentet nga lokali “Flora”, tri ditë dhe net së bashku me vëllanë tim, Shkëlzenin, i cili ishte mësimdhënës në të njëjtën shkollë me mua, i mbushëm tërë dëftesat dhe shkruam diplomat për të gjithë nxënësit. Duke i shkruar nga disa herë nga presioni i policisë që na sillej vërdallë nëpër lagje. Na ndihmoj edhe një kolege e jona. Çdo mbrëmje i vendosja të gjitha dokumentet në shtëpinë e vjehrrës sime. Ajo ishte një grua më në moshë, e pensionuar në atë kohë, dhe kishim bindjen se në rast të bastisjes nga policia, të mos i gjenin në shtëpinë time. 



Ishin kohëra shumë të brishta dhe rreziku na kanosej kudo. E tërë familja duhej të sakrifikonte ruajtjen e idealit. Shpesh më thoshte im shoq, se shumë sakrifikohesha për nxënësit, derisa fëmijët e mi të mëdhenj gjimnazist ishin në mësim në “duar e Zotit” dhe nën mbështetjen e mësimdhënësve të tyre që sakrifikonin po aq sa unë. 


Pas një jave i pritëm nxënësit e klasës sime në oborrin tim, ata që diplomuan ditë më parë. Aty e kisha prezentë tërë familjen time. Vajza ime e madhe kishte blerë dhe përgatitur gjëra të ndryshme për maturantët e mi, çaje dhe ëmbëlsira, më ç’rast iu dhashë dëftesat dhe diplomat. I shihja shumë të lumtur dhe të gëzuar që ato diploma mund të ju shërbenin në shtetet e ndryshme të Evropës, për nga ata që ia kishim mësyer, ngase këtu nuk kishte më dritë për ta. Derisa po dilnin nga oborri im, i këshilloja që ato diploma t’i futnin nën këmishë, e të mos binin në sy derisa të shkonin në shtëpi, nga rreziku që mos të ziheshin në duar të policëve. Ishte kjo gjenerata ime e dhjetë dhe e fundit që mbrojtën diplomat në objekt të Shkollës së Mesme Teknike në Mitrovicë të lagjes Ivo llolla Ribar njohur ndryshe si lagjja e “Berileve”.


***


Shtatori i ardhshëm filloj me një errësirë edhe më të spikatur për ne, dyert a të gjitha shkollave të mesme u mbyllën për të gjithë nxënësit shqiptar, si dhe ne mësimdhënësit e tyre e kuptuam se ishim të larguar nga puna në listat që vareshin në dyert e këtyre shkollave, dikur shtëpive tona të dijes. Për të mos i lënë rrugëve fëmijët tanë, në shenjë solidariteti populli shqiptarë u organizua dhe hapi shtëpitë e tyre, për të shërbyer si shkolla. Mësimi i tillë vijoi pothuajse një dekadë. Edhe nën tyta, nën bastisje të shpeshta, nën arrestime e burgosje, nën rrethime të autoblindave, nën keqtrajtime e rrahje të vazhdueshme të nxënësve dhe mësimdhënësve. Mësimi nuk u ndal për plot 9 vite, si rezistencë e palëkundur, për tu mbajtur gjallë arsimi shqip në Kosovë. 



Valbone Prekazi              

                                              

Valbone Prekazi ka lindur më 21 shtator të vitit 1954 në Prizren, Kosovë. Ka mbaruar gjimnazin e Mitrovicës (1968 - 1972) dhe ka kryer shkollën si inxhiniere elektronike në vitin 1981. Ndërsa në vitin 2012 ka kryer studimet Bechalor në “Menaxhment dhe informatikë”. Është certifikuar në disa trajnime. Valbone Prekazi ka qenë profesoreshë e lëndëve profesionale të elektroteknikës me përvojë pune 38 vite në SH.M.T.L “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë, duke filluar në muajin gusht 1981 e deri ne shtator 2019, vit edhe kur ka dal në pension. Përveç gjuhës amtare shqip, ajo di tre gjuhë të huaja: serbisht, frëngjisht dhe turqisht. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,001 Lexime
9 muaj më parë