Krijim

“Djemtë e periferisë”, tregim nga Devin Koçeku, klasa X, shkolla “Ernest Koliqi”

Një tregim i shkurtër, i shkruar nga nxënësi Devin Koçeku, i cili është në vitin e parë në shkollën “Ernest Koliqi”.


Ne, djemtë e periferisë, ndoshta nuk i kemi pasur gjithmonë mundësitë që do donim t’i kishim. Të ishe pjesë e qendrës, për ne ishte si një ëndërr e përjashtuar. Prindërit tanë ishin njerëz të thjeshtë, që kishin ngritur me mundim banesat në këtë zone, që me përbuzje quhet “informale”. Heronjtë tanë lëkundeshin midis Supermen-it, heronjve  të tjerë të botës dhe here-herë midis prindërve tanë, të cilët stërmundoheshin për të na shtyrë drejt qendrës. Gjithmonë ndihesha i frymëzuar nga heronj si Spiderman, i cili nga një djalë i thjeshtë, jo shumë i preferuar dhe here-herë i bulluar, i erdhi një mundësi për t`u bërë hero. Gjithë ç’kam kuptuar nga Spidermen-i është se pushteti dhe fuqitë ecin paralelisht me përgjegjshmëritë. Këtu fillon heroizmi real i prindërve tanë, të cilët na edukuan me frymën e thjeshtësisë dhe zemërgjerësisë për t’i pranuar të tjerët ashtu siç janë, ashtu siç do donim të na pranonin. 


Ne jemi tre shokë: unë, Arbri dhe Blerti. Në grupin tone unë jam ai që flas më pak. Ndoshta kjo është arsyeja që unë po shkruaj, sepse kështu më duket sikur zëri im është më i fortë. Nganjëherë shokët më ngacmojnë duke më quajtur “llafazani i heshtur”, ngaqë unë flas rrallë, por kur flas, i përmbledh te gjitha mendimet e bluara për një kohë të gjatë. Gjyshja ime më thërret “shkrimtari”, sepse gjithmonë para se të fle, unë hedh diçka në ditar… 


Arbri është ai, që i ka përgjigjet në majë të gjuhës. Mund të duket se ai i ka ngulur sytë në telefon, por në fakt vëmendja e tij shtrihet në 360 gradë. Pra, ai është online me çdo gjë. Blerti është zemra e grupit. Ai qesh edhe kur është i mërzitur dhe na merr me vete me të qeshurën e tij. 


Një ditë, detyra hulumtuese që na kishte dhënë mësuesja, na dërgoi në bibliotekë, vend të cilin e vizitonim shumë rrallë. Falë Blertit, e morëm si një mundësi të mire për të dalë andej nga qendra. Biblioteka dukej si një vend i zymtë, por edhe magjik (të paktën kështu m`u duk mua). 


Arbri si gjithmonë, një sy në telefon dhe një sy gjithandej, u pengua kur ishim duke parë në sektorin e fantastikes. U përplas me një raft, i cili dukej sikur nuk ishte përdorur kurrë. Pluhuri e detyroi të teshtinte fort dhe stërkalat e pështymës  mbuluan kapakun e një libri shumë të vjetër. Libri menjëherë ndryshoi ngjyrë. Papritur, gjithçka filloi të rrotullohej. Duke u rrotulluar në një boshllëk e gjetëm veten në një vend të çuditshëm. Aty, çdo gjë ishte e rregullt. Shihnim njerëz shumë të qetë, të cilët ecnin për në punë. Shihnim makina, të cilat nuk nxirrnin tym dhe nuk bënin fare zhurmë. Të çoroditur ne vazhdonim të ecnim. Kuptuam se kishim përfunduat në një dimension tjetër. Në një dimension perfekt. Aty, çdo gjë ishte e pastër dhe në vendin e vet.  Por kishte diçka që nuk shkonte. Diçka të çuditshme, diçka që tejkalonte qenien njerëzore. Edhe pse njerëzit ishin të ndryshëm fizikisht, ata ishin uniformë. Duke jetuar gjithmonë me rregull, njerëzit ishin të ngurtë. Edhe pse dielli në atë planet shndriste e buzëqeshte përgjatë gjithë vitit, fytyra e tyre nuk njihte gëzim. Ata nuk e njihnin emocionin, duke jetuar gjithmonë me atë rregull, ata nuk bënin kurrë gabime, por nuk e njihnin fuqinë e faljes. Jeta e tyre ishte e koordinuar saktësisht. Planeti i tyre, edhe pse kishte gjithçka që ne donim, nuk kishte atë që na nevojitej. Një gjë tjetër, që çudiste, ishte që atje nuk kishte art. Ndoshta sepse njerëzit atje nuk kishin ëndrra, sepse nuk kishin imagjinatë dhe shpresë. Por, për ne, njerëzit e Tokës, shpresa ishte ajo që na mbante gjallë dhe na lidhte me artin. 


Unë me shokët e mi i treguam atyre për Tokën. U treguam atyre për luftërat, që të kuptonin rëndësinë e paqes. U treguam se, edhe pse jeta ishte e vështirë në Tokë, njerëzit ishin të lumtur. Ata nuk e kuptonin shumë mirë konceptin e lumturisë, por kjo nuk na pengoi të vazhdonim. Sa më shumë i tregonim, aq më shumë ato çuditeshin. Nuk mund ta besonin se si njerëzit në Tokë nuk e planifikonin ditën, ose se si nuk i zbatonin rregullat. 


As nuk ia kam idenë se si u kthyem në bibliotekë, thjesht mbaj mend disa re të mjegullta që mblidheshin, kur po flisnim me vendasit e tokës “perfekte” dhe asgjë tjetër pas saj. Nuk është se i ndihmuam shumë ata, por lamë atje një dyshim të madh. Një dyshim për jetën që ata po jetonin. Një dyshim, që për ta do sillte ndryshimin. Ndoshta një ditë ata vërtetë do të jenë të lumtur. Aty kuptova që nuk ishte nevoja për të pasur super fuqi që të jesh hero. Mjaftonte fjala jonë dhe ne mund të bëheshim heronjtë e tyre. Ne mund të ishim ata, që sollën drite të vërtetë në vendin e tyre. Po ashtu kuptova se për të qenë i lumtur, nuk nevojitet të jesh pjesë e qendrës, sepse çdo gjë që ndodhej aty, ishte dhe në tokën e çuditshme. Fillova të ndihesha habitshëm për djemtë e qendrës, sepse ngjasonin shumë me njerëzit në planetin e dritës. 


Isha me fat që jetoja në periferi, sepse vetëm unë e kuptoja vërtet domethënien e lumturisë, sepse unë kisha parë te dyja anët e peshores, si të keqen dhe të mirën. Mbi të gjitha mungesa na kishte bërë të perceptonim një botë të re përmes ëndrrave tona. Këtu merrte formë të plotë ajo shprehja, që më parë nuk e kisha kuptuar: “Nëse mund ta ëndërrosh, mund ta realizosh”. Kuptova vlerën e të kundërtave, errësirën përballë dritës, gënjeshtrën përballë së vërtetës, humbjen përballë fitores, historinë përballë së tashmes, ëndrrën përballë realitetit. Të gjitha këto përplasje krijojnë vlerat e vërteta dhe e bëjnë unik njeriun në planetin blu. 


Përgjithësisht nuk jam i guximshëm të flas për të fshehtat e mia, ndaj këtë tregim të shkurtër ia tregova vetëm Endrit, djalit të heshtur të bankës së fundit. Ditën tjetër në sytë e tij pashë një dritë të bukur. Befasisht ai më përqafoi dhe nuk pushonte së foluri. Më tha se më në fund nuk ndihej vetëm dhe se ishim shumë të ngjashëm. Nuk i gëzohesha dot gëzimit të tij. Ai befas ishte kthyer në “llafazan”, falë rrëfimit tim në këto rreshta. Ia kisha dalë të sillja buzëqeshje dhe ndryshim tek dikush. 


Kuptova se heronjtë nuk janë ato që kanë muskuj, por ata që japin vëmendje dhe sinqeritet. Nuk është nevoja të shkosh në një planet tjetër si një superhero, por ashtu siç thotë Nënë Tereza: “Të bëjmë gjëra të vogla, me dashuri të madhe”.



Nga  Devin Koçeku, klasa X, shkolla “Ernest Koliqi”

© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,144 Lexime
1 vit më parë