Festivali i Sanremos

Ermal Meta rrëmbeu tre çmime në Sanremo

Një baba i dhunshëm, një fëmijë që rritet, një nënë që imagjinon se çfarë burri do të bëhet i biri kur të rritet. Kjo ishte historia e “Ndalohet të vdesësh”. Një histori autobiografike, që merr shkas nga jeta e kantautorit...

Ermal Meta, kantautori me origjinë shqiptare, rrëmbeu tri çmime në edicionin e 67-të të Festivalit të Sanremos. Kënga e tij, “Ndalohet të vdesësh” u prezantua para spektatorit, si një himn për jetën, por edhe një këngë proteste kundrejt atyre, që kërkojnë ta asgjësojnë jetën në emër të dashurisë, që mund të jetë çdo gjë tjetër përveç saj. Ai fitoi çmimin e tretë, por edhe atë të kritikës, që mban emrin e Mia Martinit, qysh prej vitit 1982. Një këngë që flet për dhunën. “Të mësosh të mos bindesh është hapi i parë për t’iu larguar vetmisë, që lind nga një dhunë e tillë”, rrëfen Ermal Meta rreth tekstit të këngës së tij. Meta këtë çmim ja dedikon nënës së tij, e cila e mësoi të mos bindet.

Një baba i dhunshëm, një fëmijë që rritet, një nënë që imagjinon se çfarë burri do të bëhet i biri kur të rritet. Kjo ishte historia e “Ndalohet të vdesësh” (Vietato morire). Një histori autobiografike, që merr shkas nga jeta e kantautorit, i cili u prezantua për herë të katërt në Sanremo 2017. “Është një histori autobiografike, që kishte urgjencë të dilte jashtë. Është autobiografike, por kjo nuk është me rëndësi. E rëndësishme është që të bëhet historia e të gjithëve, të jap sinjalin e shpresës. Do të doja që të kishte një mënyrë për të përqafuar njerëzit, që ndodhen në situata të tilla, duke u thënë atyre, që mund të rebelohen ndaj diçkaje që mund të duket e pandryshueshme. Mesazhi është: Kundërshto për të mbijetuar. Mbi të gjitha muzika, do të ishte shumë e lehtë për të transformuar këtë tekst në një baladë.Jam përpjekur që të krijojë një kontrast me fjalët, për të përdorur muzikë të lehtë dhe ritmike”, shpjegon kantautori në “Rockol”. 

“Ndalohet të vdesësh” është një këngë që flet për mosbindjen. “Mosbindje do të thotë, që të krijosh një varkë për të arritur lumturinë. Koha në dispozicionin tonë është relativisht pak, sepse jeta është vetëm një. Prandaj nuk duhet që ta lëmë kurrë në dorë të dikujt, që nuk di ta vlerësojë apo të na vlerësojë. Prandaj të mos bindesh do të thotë që të kesh edhe një mendim tëndin, të kesh një kulturë tënden, është tamam koshienca shpirtërore. Prandaj, të mos bindesh do të thotë të mos vdesësh!”.

Biografia

Ermal Meta (1981) lindi në qytetin e Fierit, ku ka studiuar në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa”. Në vitin 1994 u transferua së bashku me familjen në Bari të Italisë, ku në vitin 2007 themeloi grupin “La fame di Camilla”, me të cilin realizon tre albume. Në albumin e tij të parë përveçse një këngë në gjuhën shqipe ai trajton edhe tematika të emigracionit. Në vitin 2012 Ermali nisi një karrierë të suksesshme si kantautor, që e çoi në bashkëpunime me këngëtarë italianë të njohur, si: Marco Mengoni, Francesco Renga, Emma Marrone, Annalisa Scarrone, Chiara Galiazzo, Patty Pravo (me të cilën edhe këndon “Non mi interessa”) etj. Talenti i tij, qoftë si kantautor, apo edhe këngëtar i ka hapur dyert e Sanremos për vite me radhë. Skenës së Sanremos ai i ka dhënë nga vetja edhe si kantautor, në bashkëpunime me këngëtarë të suksesshëm, si Annalisa me këngën “Non soballare”, dhe Chiara me “Straordinario”. Në 2006 merr pjesë për herë të parë me grupin Ameba4. Për t'u rikthyer në 2010 me grupin “La fame di Camilla”. Vjet ishte pjesë e “Sanremos së të rinjve”. Ndërsa, këtë vit (hera e katërt) konkurroi mes 22 këngëtarëve profesionistë në edicionin e 67-të Festivalit të Sanremos në Itali.

1,692 Lexime
7 vjet më parë