Opinion

Fjala mësues, utopizëm më vete

Shkollat tona, nxënësit tanë meritojnë të kenë mësues të zotë që e bëjnë me pasion punën e tyre, fëmijët tanë duhet të kenë mësues intelektualë që lexojnë, bëjnë kërkime shkencore rreth fushës së tyre, mësues që e përgatisin veten...

Pak ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri shkollor. Shumë shpejt shkollat do të fillojnë jetën e tyre, klasat do të mbushen, nëpër korridore do të dëgjohen zhurmat e fëmijëve dhe adoleshentëve. Mësuesit fatlumë do të nisin një tjetër vit me përkushim ndaj punës. Eh...Kur bie fjala te mësuesit duhet të ndalemi e të reflektojmë. 


Një pjesë e mirë e tyre sigurisht e kanë kuptuar që profesioni që mbartin është edhe mision, madje janë aq të ndërgjegjshëm për këtë saqë përkushtohen fort ndaj punës së tyre. Ata janë gjithmonë aty pranë nxënësve, pranë kolegëve dhe pse jo edhe  pranë drejtuesve që shpesh qëllon se nuk dinë të ndezin kompjuterin, sigurisht jo prej paditurisë së tyre por sepse kanë zgjedhur të qëndrojnë larg teknologjisë. Pastaj është pjesa tjetër e mësuesve janë ata që ankohen se pse fati ose sistemi ishte kaq mizor me ta dhe nuk i bëri mjekë, ekonomistë, inxhinierë por i bëri mësues. Fjala që dëgjon gjithmonë nga kjo kategori është se kanë qenë të shkëlqyer në shkollë dhe nuk meritonin kaq pak. Është edhe një kategori tjetër e “fajtorëve pa faj” ata që e pranojnë realitetin, e dinë profesionin dhe bëjnë thjeshtë detyrën. Ndërsa kategoria me “e dhimbsur është ajo që e dashuron këtë profesion, por 6000 euroshat janë tunduese për drejtuesit arsimor e për pasojë këta mësues në titull mbesin gjithmonë n’tentativë për të ushtruar profesionin. Kjo është dhimbje e madhe.


Gjykoj se sistemi arsimor ka nevojë të reformohet fillimisht këtu. Shteti duhet të kujdeset që mos t’iu ofrojë nxënësve mësues që punën e tyre e shohin me bezdi, me inferioritet, por ta duan e të ndihen krenar. Të jesh mësues nuk është pak, përkundrazi është nder e privilegj. Por duhet të jesh i shkolluar për ta kuptuar dhe të kesh reflektuar mbi ato që ke lexuar jo të mbetesh thjesht në kuadrin e “analfabetit funksional” e per fatkeqësi ky lloj i fundit popullon auditoret tona. Sistemet përzgjedhëse të profesioneve duhet të kenë kujdes dhe masin potencialet e gjithëkujt dhe t’iu japim hakun gjithësecilit në këtë mënyrë do të reduktojmë individët e lënduar shpirtërisht se nuk u bënë mjekë “të zotë”.


Shkollat tona, nxënësit tanë meritojnë të kenë mësues të zotë që e bëjnë me pasion punën e tyre, fëmijët tanë duhet të kenë mësues intelektualë që lexojnë, bëjnë kërkime shkencore rreth fushës së tyre, mësues që e përgatisin veten e janë në atë pozitë prej dëshirës së tyre, jo prej zorit e hallit se duhet të bëjnë një punë. Nëse duam të rrisim mirëqënien e të formojmë individë që ju interesojnë gjërat e buta. Pra jo vetëm egoizmi për të qenë lider, për t’u bërë debutet apo shpikës, por të ndjejnë se mbushja shpirtërore ka rëndësinë e vet. Nuk duhet të prodhojmë individë të ftohtë që kërkojnë profesione ku nxirren më shumë para, por të formojmë individë që dinë të duan e të kultivojnë pasion e zjarrmi dëshirash. Vetëm në këtë mënyrë përmirësohet shoqëria.


Por shkolla do të nisë sërish e zilja do bjerë, për disa do të tingullojë e zakonshme, për të tjerë kjo zile nuk është thjeshtë e tillë, por është jehonë që i kujton sesa larg është mundësia e tyre për të qenë mësues sidomos kur burokracia ka vënë “bllokada me gjëmba”. Mësimi do të fillojë e nxënësit do të vijnë. Ndërsa unë them me vete që jam mësuese, por sa utopike, sa utopike duket kjo fjalë.


(Erisa Sipri; Portali Shkollor)

3,591 Lexime
5 vjet më parë