Gjuha shqipe përtej teksteve shkollore: Kur udhëtimi imagjinar bëhet mjet mësimor

Në Seminarin Mbarëkombëtar të Mësuesve të Gjuhës Shqipe në Shkodër, mësueset Albana Hasku dhe Sofiela Ropi nga shkolla “Le Aquile di Seta” në Bari prezantuan një orë frymëzuese gjeografie, ku gjuha shqipe mësohet përmes udhëtimit kulturor me “Udhërrëfyesin”.

Në Seminarin e 18-të Mbarëkombëtar të Mësuesve të Gjuhës Shqipe, mbajtur në Shkodër, mësueset Albana Hasku dhe Sofiela Ropi nga shkolla e shoqatës “Le Aquile di Seta” në Bari sollën një shembull konkret dhe frymëzues se si gjuha shqipe mund të mësohet duke kapërcyer kufijtë e teksteve tradicionale.


Përmes orës së gjeografisë “Udhëtim imagjinar nëpër Shqipëri dhe Kosovë” me ndalesë të parë në Shkodër, ato treguan se fjalët, historia, kultura, legjendat, arkitektura dhe traditat e një qyteti mund të shndërrohen në një laborator të gjallë mësimor.


Duke u bazuar në “Udhërrëfyesin” e projektit “Jam Shqiptar”, nga Qendra e Botimeve për Diasporën, ato i ftuan nxënësit e diasporës të bëheshin “udhëtarë të së ardhmes”, të mësonin hartat, të njihnin trashëgiminë kulturore dhe të lidhnin gjuhën me kujtesën e vendlindjes së prindërve. Në këtë mënyrë, mësimi i shqipes shndërrohet në një udhëtim shpirtëror, ku fjalët bëhen ura që lidhin zemrat e fëmijëve të mërgatës me atdheun.


Kumtesa e plotë: 

SHKOLLA SHQIPE SHQIPONJAT E MËNDAFSHTA Bari.

Orë mësimi lënda GJEOGRAFI.


Tema:Udhëtim Imagjinar nëpër Shqipëri dhe Kosovë me UDHËRRËFYESIN,SHKODRA.



Nga Albana Hasku dhe Sofiela Ropi

Fjalët kyçe :Udhë, Udhëtoj, Udhëtarë, Udhëtim, Udhë – rrëfej, Udhërrëfyes.

Fjalënjohëse :Shkodra, Legjenda, Rozafati, Kalaja.


Qëllimi : – Rëndësia e përdorimit të teksteve shkollore didaktike, të cilët QBD përgatit për shkollat shqipe në Diasporë. Të gjithë tekstet shërbejnë dhe ndikojnë në mësimdhënie me bazë konstruktive. Nëpërmjet këtyre materialeve krijohen laboratorë edukative dhe didaktike që nxisin krijimtarinë e të nxënit.


-Gjeografia është shkenca ku ndër të tjera, njihemi me vendet, qytetet, rajonet dhe territore të ndryshme, pozitën gjeografike të tyre, relievin, kushtet klimatike, zhvillimin Ekonomik,  politik kulturor, shoqëror, zhvillimin e turizmit dhe mbi të gjitha mësojmë si të orientohemi, të udhëtojmë drejt një vendi, shteti, qyteti të caktuar.


Udhërrëfyesi është një libër guide turistike, i projektit JAM SHQIPTAR, me autore Milena Selimi. Ky projekt është një cikël me materiale didaktike për mësimdhënien në Diasporë, me udhërrëfyes të trashëgimisë kulturore për 10 qytete të Shqipërisë dhe Kosovës që do t’u shërbejë fëmijëve të diasporës për të krijuar një lidhje shpirtërore me vendet e origjinës. Ky cikël përmban qytetet :Shkodra Berati, Gjirokastra, Prizren, Gjakovë, Kruja, Tirana, Durrësi, Prishtinë dhe Vlora.


Ç’do tekst mësimor që u ofrohet nxënësve, ka shumë vlera,çdo libër është i dobishëm mjafton  të dimë ta interpretojmë (mësueset)  në ç’mënyrë t’ua sjellim sa më afër, sa më thjeshtë, duke bashkëbiseduar me nxënësit, duke komunikuar në gjuhën shqipe.


Udhërrëfyesi, vjen si dhuratë për nxënësit e shkollës shqipe në Diasporë dhe tregon si të udhëtojmë drejt Atdheut të prindërve të afërmve të tyre, aty “Ku n’a pret një derë e hapur, e dashur”, aty ku zemra e një gjyshi gëzon, ndërsa dëgjon kur flasim në gjuhën shqipe.


Ky libër është i pajisur me ilustrime të shumta, të thjeshta, të larmishme, ilustrime që komunikojnë drejtpërdrejtë me nxënësin aq sa ndonjëri nis e vizaton sipas ilustrimeve, pra miqësoret me librin.


Udhërrëfyesi, fillon me qytetin e Shkodrës, po pse? Nisja e këtij projekti me tre qytetet e Shqipërisë (Shkodra, Berati, Gjirokastra), në drejtimin veri-jug, sigurisht që Shkodra është e para. Shkodra është qendra e madhe, e rëndësishme administrative, ekonomike, kulturore, artistike e Shqipërisë së Veriut. Të nisë një projekt me Shkodrën është krenari, nder, si të marrësh një titull të lartë. Ndaj e nisëm këtë projekt, “Udhëtarët e vegjël rriten në Diasporë”, më një udhëtim drejt Shkodërloce.


Njohja e nxënësve me udhërrëfyesin, bëhet paralelisht duke komunikuar me hartën e Shqipërisë, një metodë mjaft e përdorur në shkollën tonë vite më parë, në orën e gjeografisë.


Gjeografia flet nëpërmjet hartave dhe në shpeshherë kemi përdorur hartat “memece”, duke i plotësuar I kemi bërë të flasim. Të udhëtosh me hartën nuk humb kurrë, Jo vetëm, kjo solli si rezultat të njohjes së të gjithë qyteteve të Shqipërisë. Shkodra zë një vend të veçantë në shkollën tonë, pasi dy vjet më parë krijuam një teatër të vogël, ku çdo vit vëmë në skenë një pjesë teatrale. Këtë vit shkollor e nisëm me legjendën e ROZAFATI.


Njohja me historinë e Shkodrës që në lashtësi, me bukuritë natyrore trashëgimisë kulturore, vlerat arkitektonike, pikat turistike për të kaluar pushimet. Shkodra mes maleve, liqenit detit e lumenjve….Drini, Buna edhe Kiri, buzë Rozafës bahen nji.

Udhërrëfyesi rrëfen Shkodërloce, këtë qytet të biçikletave, tabuja e thyer në më shumë se një shekull më parë. Me shëtit të lirë në këtë QYTET DASHNIE, me oborret e historive, në lagjet plot dritë kulture.


.. Atë botë mbi Shkodër

kur ma i bukur Dielli Ndritte, e larg nami ksajë

Mbi Tokë kumonte.

Përpara elterit t’and

shkodrani fielli Vite, e Ty

lavde me hare t’knonte….


At. Gjergj Fishta i drejtohet Zojes mbrojtëse të Qytetit.

… Sepse shkodranët flasin me dialektin Gegë.


Dëgjojeni me kujdes :Ruajtja e N-së në vend të R-së, në dialektin Tosk. Ruajtja e N-së mes zanoreve. Atyne-Atyre, Zani – Zëri, Shqipni-Shqipëri etj.


Për emrat që kanë K, G, H, u shtojnë mbaresen I  mik miki, zog – zogi, krah-krahi etj.

Koha e pakryer me SHNA – KJOSHA, MARRSHA.

ME KEN SHKODRAN T’TANA I BAN.


Nadja e mirë ju kjoftë….. Vazhdon udhëtimi nëpër Shkodërloce me UDHËRRËFYESIN. Këtë radhë me njerëzit e shquar të saj, që kanë lënë gjurmë të thella,në art e kulturë, letërsi, arkitekturë, arsim, etj. At Gjergj Fishta me Lahutën e Malcis, Koli Idromeno me Motër Tone(Mona Liza Shqiptare)e me Dasma Shkodrane…….. Shkodra nuk asht mendjemadhe, asht vajzë e llastueme prej dashnisë t’gjithkujt……


Shkodra n’a del para me arkitekturën e saj, nga Kafja e Madhe tek Katedralja e Shën Shtjefnit, Xhamija e Plumbit, lagjet e saj t’bukura mushun me Dugaja(dyqane). Rrugët e Shkodrës sjellin aromë karafilash, drandofila e Luleborë….


Muzetë e Shkodrës tregojnë historinë e saj ndër shekuj, të vetëm në Shqipëri. Muzeu Marubi shfaq artin e fotografisë shqiptare. Teatri MIGJENI, madhështori I skenës shqiptare, n’Shkoder janë shfaqur Opera e parë, filmi i parë. Muzika klasike, muzika qytetare e moderne, për herë të parë i gjejmë në Shkodër…..

Udhërrëfyesi me Shkodrën, nuk harron traditën e gatimeve Shkodrane. Nëse ndjejmë lodhje, ulena e shplodhena pak, duke shijuar gatimet….. Jahnia me mish e kumlla t’thata…. Tava e Krapit,,,, Çorba Shkodrane…. Këtu nxënësit kanë një detyrë shtëpie: Të shkruajnë një recetë gatimi (çfarëdo) shqiptare, të ndihmuar nga nënat e tyre. Rezultati? – mahnitës, mbresëlënës, sa të lënë të kuptosh, se janë në gjendje të arrijnë shumë më tej nga ç’mendon…. (Detyra e nxënësve foto).

 

Zhvillimi i Udhëtimit.


Udhëtarë të vegjël të së ardhmes, si thoni? Udhëtojmë drejt Shqipërisë me Udhërrëfyesin? Atëherë, pa humbur kohë nisei drejt Shqipërisë, nga aty drejt Shkodrës.


Klasa ndahet në dy grupe?!

-Grupi i parë 1,udhëton me avion nga Bari-drejt aeroportit të Tiranës.

-Grupi i dytë 2, udhëton me traget nga Bari – drejt Portit të Durrësit.

Nisemi nga Bari (Itali), para nisjes nxënësit tregojnë për qytetin e tyre, ku janë lindur e rritur..

Çfarë na duhet? Gjërat e nevojshme për të udhëtuar, mos harroni hartat.

-Mirupafshim në Shkodër.


Me të arritur në Shqipëri, të dy grupet tregojnë përkatësisht vendndodhjen e tyre.

Qëllimi i këtij udhëtimi, është të kuptojmë se sa janë në gjendje nxënësit të përvetësojnë njohuritë e marra nga Udhërrëfyesi, për të udhëtuar të lirë, të pavarur, si Udhëtarë të së ardhmes.

Grupi i I parë – Sapo arrin në aeroport. (ndërkohë shihet një aeroplan i vogël mbi hartë). Po tani? Të nxitojmë të marrim autobus, shkojmë e shohim gjejmë atë në të cilin është shkruar dukshëm SHKODËR.


– Mirëdita, mund të vijmë për në Shkodër? – po patjetër.

Pa humbur kohë sistemohen e zënë vendet.


Grupi i II dytë – mëngjes herët, trageti ankoron në portin e Durrësit, sapo kalojnë Terminalin gjënden jashtë E ç’të shohin? Një dorë e ngrohtë I përshëndet duke i thënë:Mirëserdhët. – është Gjyshi I Ester, I cili i përqafon dhe përgëzon. – Ju lumtë, jeni të mirë por unë do ju shoqëroj për në Shkodër ndaj shpejt në makinë, mos humbim kohë. – Dëgjohet një URRAAA…. Atë mëngjes Shqipërie në autostradën Tiranë – Shkodër (e gjatë 100 km), një autobus dhe një makinë udhëtojnë drejt Shkodrës me tinguj e LULEBORË.


Me vështrim në hartë imagjinatën në sy lexojnë emrat e qyteteve, drejtimin ja Fushë – Kruja, Kruja, ahh po atje në mal Kruja është… Kalaja e Krujës qyteti i Skënderbeut Heroi Kombëtar.


Grupi i I parë me autobus drejt Shkodrës, fëmijët shohin natyrën e bukur, rruga përshkon qytete, fshatra, fusha, lumenj. Ja me radhë :Laç, Milot, larg Ura e Vjetër me Harqe, arrijmë në Lezhë, të gjithë duan të tregojnë diçka :Mami ime është nga Lezha dhe unë vij gjithmonë te gjyshi – Ndërsa unë isha vitin e kaluar me familjen time. Shoferi njofton për një ndalesë të shkurtër. Sa bukur në qytetin e Besëlidhjes. Alessandro thotë :-Kemi pak kohë të shohim Vendvarrimin e Skënderbeut? – Ejani të bëjmë një foto tek Mozaiku, këtë e ka punuar gjyshi im artisti Agim Nebiu, krenarë fëmijët për gjyshërit e tyre.


Grupi i Il dytë, ndërkohë I afrohet Shkodrës. Mattia bën kujdes të shohë ku ndodhet Kalaja e Rozafës. Ja ku është! – Ja dhe Lumi Buna…. Recitojnë si në teatrin e shkollës, kur vumë në skenë Legjendën e ROZAFATIT. Do të ngjitemi në Kala? – Patjetër. – Do shohim Murin e Gjallë? – Ja më në fund arritëm në Shkodër. Presim grupin tjetër, pastaj nisim të vizitojmë qytetin.

 

Grupi i l, mbërrin në Shkodër dhe të gjithë bashkë takohen të PJACA.


-Çfarë kemi në program sot për të vizituar?

-Fillojmë me Muzeun Kombëtar të fotografisë MARUBI. Muzeun Historik të Shkodrës.

-Kafja e Madhe (ideuar nga Koli Idromeno)

-Teatri MIGJENI (80-vjet)

-Katedralja e Shën. Shtjefni protetori i Shkodrës.

-Xhamija e Plumbit.

-Kalaja e Rozafës.

-Por, a mundemi të shohim Shkodrën në një orë mësimi? Sigurisht që jo.

-Ne përgatitemi të udhëtojmë, të imagjinosh, është si të ëndërrosh. Ëndrrat një ditë bëhen realitet.

Do të munden Shqiponjat e Mëndafshta të udhëtojnë nëpër Shqipëri?


Rezultati : Më UDHËRRËFYESIN, nga projekti “Jam Shqiptar”, nisim dhe ne një projekt për shkollat shqipe në Diasporë (Itali). Të udhëtosh nëpër Shqipëri dhe Kosovë me UDHËRRËFYESIN, jo vetëm mëson shumë, merr njohuri, shfrytëzon materiale (librat), komunikon në gjuhën shqipe, por krijohet një lidhje e fortë mes diasporës dhe atdheut të prindërve.

 


   

 



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

209 Lexime
2 ditë më parë