Halloween dhe festë

Halloween dhe aktiviteti i maskave, Entela Skora Abazi: Zgjedhja pse fëmijët e mi sot festojnë

Në kopshtin e fëmijëve të mi, prej 5 vitesh 31 Tetori është kthyer në një aktivitet argëtues. Dhe e dini pse? Prej Halloween-it kanë huazuar datën, kungullin e përdorin si simbol dhe këtë ditë e kanë kthyer në "Aktivitetin me maska" dhe kështu kopshti Nr.9 në Elbasan shndërrohet në një oaz përrallash.

Sa herë vjen 31 Tetori diskutimi i zjarrtë na pret mbi Halloween-in, të ndarë në dy kampe totalisht të kundërta.


Jetojmë në globalizëm dhe veç të tjerash shkëmbejmë edhe tradita, kultura apo festa. Halloween mbetet më i diskutuar për shkak të asaj që përfaqëson.


Personalisht si individ mendoj që është e fundit temë që duhet diskutuar. Le t'ia lëmë qejfit të gjithsecilit të zgjedhë në do apo nuk do të festojë.


Si prind pastaj ndryshon puna. Për vogëlushët duhet një mënyrë e duhur për t'ua shpjeguar gjithë këtë, maskat e frikshme, skelete, merimanga e çdo gjë tjetër të llahtarisur.


Në kopshtin e fëmijëve të mi, prej 5 vitesh 31 Tetori është kthyer në një aktivitet argëtues. 

Dhe e dini pse? 


Prej Halloween-it kanë huazuar datën, kungullin e përdorin si simbol dhe këtë ditë e kanë shndërruar në "Aktivitetin me maska". 


Fëmijëve të kopshtit nr-9 në Elbasan në këto 5 vite kjo datë u është kthyer në një festë të vërtetë, të cilën mezi e presin. 


Drejtoresha e këtij institucioni parashkollor Valbona Çerri Lala, së bashku me stafin e saj kanë zgjedhur t'ua shpjegojnë këtë ditë si një aktivitet argëtues, ku festohet stina e vjeshtës, mbyllja e muajit Tetor, pjekja e kungullit (me plot vitamina) dhe kënaqësia e çdo fëmije për të qënë një ditë si personazhi që pëlqen më shumë. 


Kaq e thjeshtë është. Vogëlushët mezi e presin këtë aktivitet. Çdo vit tek rriten ndryshojnë edhe përzgjedhjet e heronjve të tyre. 

Këtë ditë kopshti Nr.9 shndërrohet në një oaz përrallash me plot Elsa, Ana, Batman, Unicorn, Spiderman, Borëbardha, Princesha e lloj-lloj personazhesh të dashura. 

Drejtoresha e kopshtit Nr.9 në Elbasan, Valbona Çerri Lala

Një argëtimi të duhur për fëmijët nuk mund t'i mungojnë animatorët, veshur çdo vit ndryshe, me personazhet më të dashura të fëmijëve.

Detajet janë ato që e plotësojnë tablonë e gjithë këtij argëtimi. Për çdo vogëlush edukatoret e kopshtit përgatisin nga një kurorë me kungullin si simbol. Por këtë vit në vend të tij u vizuatuan maska, për të qenë në sinkron me situatën.

Dekori është një pikë e rëndësishme. Vogëlushët sjellin prej shtëpisë (kush ka deshirë) nga një kungull për ta zbukuruar me ngjyra. Kartona në formë kungulli, flamuj me ngjyra, kashtë,  kungull i stërmash prej bukëpeshku, tollumbaca etj. Janë elementet që plotësojnë dekorin në tërësi. Këtë vit edhe tollumbacet u vizatuan me maska, si për të qenë në koherencë me çka na ka ndodhur këto muaj.

Kopshti Nr.9 Elbasan 

Për ta ëmbëlsuar gjithë aktivitetin për vogëlushët e të katër grupeve, përgatiten biskota në formë kungulli. Veç t'i shihni sa i gëzohen kësaj dite ata...

Dhe ja... në këtë mënyrë, falë një feste shumë të diskutuar, me pak gjë e shumë dashuri  krijohet një aktivitet kaq i bukur, argëtues, edukativ dhe mbreslënës për vogëlushët.


Sigurisht, për të realizuar të tilla gjëra duhet një drejtuese me vizion siç është Zj. Valbona, një staf i përkushtuar dhe të funksionojë më së miri trinomi prind-fëmi-mësues, një trekëndësh me kulme të forta në këtë kopësht në fakt. Një bashkëpunim që ka dhënë e vazhdon të japë fryte në të gjitha aktivitetet e kryera...por për to do t'ju flasim një herë tjetër, sepse kopshti Nr.9 ka çfarë t'ju tregojë. 

Nga Entela Skora Abazi, prind i dy fëmijëve, gazetare 



Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë


2,526 Lexime
3 vjet më parë