Të jesh një me artin

Jasmin Ejupi, maturantja me zërin e mrekullueshëm si të Janis Joplin

Artistja e re shqiptare që sapo i është bashkuar skenës muzikore, Jasmin Ejupi, ka rrëfyer për Portalin Shkollor Albas, planet e saj për të ardhmen. Talenti i maturantes në këngë e shumë fusha të tjera artistike spikat dhe është unik. Ajo në publik po krahasohet me këngëtaren e famshme botërore Janis Joplin.

Fare e vogël, në dhomën e saj, imitonte këngëtarë të ndryshëm. Më vonë nisi të këndojë vërtetë...dhe tani po dallon fare mirë me stilin e saj të të kënduarit...

Kjo është Jasmin Ejupi, vajza e talentuar e cila që në vogëli e ka dashuruar artin dhe asnjëherë nuk është shkëputur nga ai. Prej pasionit të madh që ajo ka për muzikën, së fundmi ka lançuar dhe këngën e saj të parë, "The Red Head". 

“The Red Head” titullohet debutimi i saj muzikor, i cili është krijuar nga ajo në bashkëpunim me “Bulza Entertainment”.

Pasi e dëgjon këtë këngë, fare lehtë mund ta kuptosh se Jasmin është artiste e re, por e plotësuar artistikisht për moshën që ka. Çdokush që do ta dëgjonte atë teksa këndon, do të befasohej për zërin unik që gëzon! 


Jasmin është artistja e re që ka zgjedhur të mbetet gjithmonë personale në stilin e këngës dhe e veçantë për muzikën shqiptare, pasi dihet që kjo e fundit ka pësuar transformimet e saj dhe si e tillë, stili i artistes së re ruan padyshim origjinalitetin e vet, të mbushur dhe shoqëruar me vijën bashkëkohore. 


E talentuara Jasmin rrëfen për Portalin Shkollor Albas, se pasioni për muzikën ka qenë gjithmonë me të, dhe se bota muzikore është vendi ku ajo gjen veten, ndaj është fokusuar pas saj.


Për Jasminën prezantimi i saj i parë në publik si këngëtare ishte i mbarë, pasi me pjesmarrjen në Tirana Artfest 2020 ajo rrëmbeu çmimin "Stili më i mirë". Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi talentet me stil unik në të kënduar, spikasin lehtë në skenë. 


Duket se gati-gati artistja e re është e plotësuar në tërësinë e saj jo vetëm sa i përket zërit, i cili mund të krahasohet me atë të artistes botërore Janis Joplin, por edhe në parimet personale që i mbështet fort. 


Jasmin rrëfen se për të asnjëherë nuk do të kalojë në plan të parë imazhi, bukuria fizike, por origjinaliteti dhe ndjenjat që ajo shpreh në këngë.


“Kohët e fundit e kam zbuluar këtë artiste sepse shume njerëz më kanë thënë që i ngjaj shumë si stil muzikor sepse është muzikë natyrale dhe këtë po aspiroj të jem”, na rrëfen Jasmin.


Ndër të tjera ajo rrëfen se artisti i saj i preferuar është NF. Më së shumti sepse ai i shpreh ndjenjat e veta në këngë, por edhe sepse realizon muzikë reale, gjë e cila është e vështirë të gjendet në ditët e sotme.


“Zhanri Indie i përafrohet më shumë por dua ta kem muzikën të palabelizuar nga zhanerat e përgjithshme, dua thjesht që muzika ime të më reflektojë mua”, thotë Jasmin.


Nuk është vetëm pasioni për muzikën ose dëshira për të kënduar, që e bën një këngëtare, por është gjetja e vetvetes dhe nxjerrja në pah e asaj që Jasmin di të bëjë më së miri. 


Aspak e limituar në fushën e arteve, Jasmin përveç muzikës vizaton, pikturon, shkruan, krijon poezi, aktron, luan në piano, i bie kitares dhe shumë të tjera si këto! Gjithashtu i pëlqen shumë të merret me sport, dhe të bëjë hiking.


Duke qenë se ka kërkuar gjithmonë shumë nga vetja, Jasmin nuk ka ngelur thjesht në prizmat që përmendëm më sipër, pra nuk është kërkuese vetëm në fushën e muzikë, por edhe në pjesën e recitimit dhe interpretimit. 


"Kam marrë pjesë tek Ethet e Poezisë, ka qenë eksperienca ime e parë në televizion, prej të cilës kam marrë kënaqësi për një kohë të gjatë, nga njerëz të cilët më vlerësonin", tregon ajo.


Ndonëse ka pasion të madh për muzikë, Jasmin di më së miri si të balancojë kohën që duhet t’i kushtojë muzikës dhe shkollës. Edhe pse është tejet e pasionuar pas muzikës, përgjegjësi e madhe për të janë edhe studimet. Ajo këtë vit është maturante në shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë dhe më pas në universitet dëshiron të ndjekë degën “Menaxhim biznesi”. Kjo na lë të kuptojmë se do të kemi të bëjmë me një artiste që do të zotërojë fort edhe anën e kundërt të të bërit art, menaxhimin dhe financat. 


Prezantimi i vazhdueshëm i botës artistike dhe shpirti i kësaj të reje të talentuar duket se do të ndodh me kohën...


A do të sjellë këngëtarja Jasmin Ejupi një album të sajin?


Ajo preferoi që këtë pjesë ta linte surprizë për të gjithë ne! 


Kjo ishte Jasmin, vajza ëndërrimtare që shpreh botën e saj të brendshme tek të tjerët nëpërmjet muzikës, artit etj.

Në fund të intervistës ajo ka ndarë me ne një mesazh: "Jini vetvetja"!

Intervistoi: Marina Kërçeli 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,089 Lexime
3 vjet më parë