Kërkuesi: Ky mund të jetë shekulli ynë i fundit!

Britaniku i famshëm pretendon njëanshmërisht se 85 për qind e parashikimeve të tij në lidhje me të ardhmen, janë përmbushur apo janë në përmbushje e sipër.

Modestia nuk është ndonjë tipar që i njihet futurologut Ian Pearson. Britaniku i famshëm pretendon njëanshmërisht se 85 për qind e parashikimeve të tij në lidhje me të ardhmen, janë përmbushur apo janë në përmbushje e sipër.

Tashmë 55-vjeçar, Pearson ka studiuar matematikë dhe fizikë. Pasi kreu studimet (përfshirë edhe doktoraturën) në Belfast, Irlandë e Veriut, ai punoi për katër vite në fushën e kërkimeve raketore. Në vitin 1991, u punësua në “Telekomin” britanik. Qysh prej 2007-s, ai drejton firmën e tij “Futurizon” në Ipswich, duke këshilluar sipërmarrje të famshme si “Google”, IBM, “Mercedes”, “Siemens” apo “Mini” në çështjet e së ardhmes.

Revista ekonomike gjermane “Bilanz”, ka botuar së fundmi një intervistë me të, ndërsa ka folur sigurisht mbi atë se si do të dukej bota në vitet në vijim, duke u përqendruar në terma afatshkurtër.

Kjo të kujton disi parashikimet e “profetes së verbër” bullgare, Baba Vanga, e cila sidomos kohët e fundit është lakuar shumë në mediat sociale. Ajo thuhet të ketë parashikuar ngjitjen në skenë të grupimit terrorist më të rrezikshëm në botë, Shtetit Islamik.

Profecitë e saj shkojnë larg në vite. Shumë prej tyre do të dukeshin të çuditshme dikur – por me syrin e sotëm, duhet t’i japim të drejtë.

Pearson, edhe pse e ka thënë herë të tjera, këmbëngul se në vitet e ardhshme, makinat automatike pa shofer, të prodhuara nga “Google” dhe “Apple”, do të pushtojnë rrugët e metropoleve tona dhe ekranet e kompjuterëve do të jenë tashmë diçka e tejkaluar në kohë.

Funksionin e tyre do ta marrin në të ardhmen lentet e kontaktit apo syzet me rreze lazer. Në tërësi, thotë ai, makinat do të bëhen gjithnjë e më inteligjente. Sa më shumë të jetë e mundur.

Makinat inteligjente, si mallkim dhe bekim

Por Pearson hedh në fushë edhe një paralajmërim jo pak të hidhur. I pyetur nëse makinat inteligjente si te filmi “Terminator”, mund të shkaktonin një luftë kundër vetë njerëzve që i kanë prodhuar, ai i përgjigjet:

Është realiste. Në teori kjo mund të ndodhte brenda pesë apo gjashtë viteve ndoshta. Ne vëzhgojmë kapërcime të mëdha në inteligjencën artificiale, rritja është thuajse tashmë eksponenciale. Dhe kjo është vetëm ajo që ne arrijmë të marrim vesh në mënyrë zyrtare. Edhe ushtria kryen kërkime në këtë fushë dhe ata prej kohësh nuk na i bëjnë të ditura të gjitha zhvillimet në këtë aspekt.

Por Pearson ka sigurisht edhe lajme të mira: pasi makinat do t’u vijnë në ndihmë edhe njerëzve (nëse nuk do të kryejnë luftë kundër nesh). Makinat, siç beson ai, do të mund të zgjidhin edhe problemet më të mëdha të njerëzimit.

“Nëse ne edhe më tej vijojmë të ecim përpara në këtë rrugë të inteligjencës artificiale, me makina që po bëhen gjithnjë e më inteligjente, ne me shumë gjasa, një ditë do të mundnim kancerin, do të shmangnim sëmundjet e zemrës, do të mund të zgjidhnim problemin e varfërisë dhe do të mund të furnizonim të gjithë njerëzit e kësaj bote me ujë dhe ushqim.”

Dronët janë një kërcënim qysh në ditët e sotme

Arsye për të qenë euforikë, sidoqoftë këto që përmendëm, nuk përbëjnë. Pasi Pearson flet në intervistën e tij edhe për një tjetër kërcënim: “Unë pretendoj se ky shekull do të jetë shumë i rrezikshëm. U bashkohem në këtë mendim shumë shkencëtarëve e kolegëve në botë, se nëse ne nuk do jemi të kujdesshëm, ky mund të shndërrohet në shekullin tonë të fundit të jetës në Tokë”.

Kërkuesi i së ardhmes paralajmëron se organizata e grupime terroriste si Shteti Islamik apo Al-Kaeda, do të viheshin kësisoj në posedim të makinave inteligjente që mbartin me vete një potencial të madh shkatërrimtar.

Një shembull për këtë pretendim, Pearson e sheh qysh sot te dronët. Gjithkush mund t’i përdorë ato edhe si armë. Për shembull, të mbushura me gazin nervin. Futurologu kërkon në këtë mënyrë që të krijohet një lloj policie ndaj dronëve, e cila mund t’i ndalonte objektet fluturuese të rrezikshme, qysh në ajër.

Në tërësi pra, janë parashikime të zymta ato për të ardhmen. Një ngushëllim i vogël, sidoqoftë: Pearson, sipas thënieve të veta, nuk ka pasur gjithnjë të drejtë. Le të shpresojmë se edhe në rastin e luftës së makinave ndaj njeriut, ai të ketë gabuar.

(Shqip)

1,808 Lexime
8 vjet më parë