opinion

Kosovë, a ushtrojnë prindërit dhunë ndaj fëmijëve?

“Çdo fëmijë është i shtrenjtë, secili është krijesë e Zotit. Nëse ju nuk e dëshironi atë, ma jepni mua”.

Ndëshkimi mund të themi se është një formë e dhunës i cili prek më pak probleme trupore dhe shumë probleme emocionale. Kjo e fundit shfaqet kudo në familje, në shkollë e në shoqëri dhe ndikon negativisht në individin ndaj të cilit ushtrohet. Ata të cilët preken më së shumti nga kjo janë fëmijët. Zakonisht shkaktarët janë prindërit. 


Siç e dimë dhuna në Kosovë është mjaft e përhapur. Edhe pse shteti ynë po tenton të shkojë kah europianizmi si dhe të marrë metodat e tyre, ende ekzistojnë disa familje me mentalitetin që dhuna të bën “njeri”. Sipas disa studimeve, mendohet se arsyeja që fëmijët dhunohen është se prindërit e tyre janë keqtrajtuar nga prindërit. Një arsye tjetër është se prindërit e tyre, edhe pse në moshë madhore keqtrajtohen nga dikush tjetër. Për këtë arsye ata e shprehin mllefin te fëmijët. 


Të drejtat e njeriut janë bërë bazë kryesore e secilit prej nesh, mirëpo edhe fëmijët si qenie njerëzore duhet t’i trajtojmë siç ju takon. Fëmijët janë ende të papjekur mirë, duhet të tregojmë kujdes të veçantë për ta, në të kundërtën  pasojat do të fillojnë të shfaqen pothuajse menjëherë dhe nuk do të mund të hiqen më.


Në shumë vende të botës fëmijët keqtrajtohen në mënyrën më mizore. Duke i ndëshkuar apo përdorur për të përfituar. Keqtrajtimi më jo njerëzor i fëmijëve bëhet në disa vende të Arabisë, të vegjlit punojnë punë të rënda që të sjellin të ardhura në shtëpi, gjithashtu shfrytëzohen seksualisht. Kurse në disa vende më të civilizuara, ndëshkimi përdoret si mënyrë e përmirësimit të sjelljes së fëmijës. Sipas disa psikologëve të njohur mendohet se ky ndëshkim nuk ka ndikim fare në sjelljen e tij, madje nëse ajo formë e ndëshkimit përdoret shpesh atëherë fëmija do ta marrë atë si shprehi dhe nuk do të ndikojë fare. 


Fëmijët janë dhuratë nga Zoti për prindërit e tyre. Disa familje i vlerësojnë fëmijët e tyre, disa familje të tjera nuk i vlerësojnë. “Çdo fëmijë është i shtrenjtë, secili është krijesë e Zotit. Nëse ju nuk e dëshironi atë, ma jepni mua”, ka thënë Nënë Tereza. Asnjë fëmije nuk duhet t’i mohohet vlera të cilin ai apo ajo e ka, secili prej tyre ka një vlerë dhe mbi të gjitha një shpirt të pastër. 


Por siç e ceka dhe më herët fëmija është ende i papjekur, me rritjen e tij fillon të formohet personaliteti i tij, edukata dhe e gjithë kjo varet nga familja dhe rrethi në të cilin ai ndodhet. Ndëshkimi më i madh dhe më i pafalshëm që mund t’i bëhet fëmijëve është të mos iu jepet edukata ideale për të.


Rekomandimet:

1. Fëmijët duhet të ndëshkohen, por jo gjithmonë në mënyra të njëjta, si dhe jo në mënyra të cilat mund të shkaktojnë pasoja të mëvonshme emocionalisht ose fizikisht.

2. Fëmijëve nuk duhet të iu jepet liri e tepërt, por me kufij të caktuar.

3. Duhet të bëhen organizime shtetërore nga organizata të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit të prindërve dhe mësuesve të cilët ndëshkojnë fëmijët, të iu tregohet roli i ndëshkimit dhe ndikimin që ka ai tek fëmijët.

4. Duhet të merren masa si dhe të sanksionohen njerëzit të cilët i ndëshkojnë fëmijët si dhe shkaktojnë lëndime të mëtutjeshme te ta.

5. Mësuesit/set duhet të pranojnë faktin se tani nuk duhet ushtruar më dhunë fizike, mirëpo ekzistojnë forma të tjera të dënimit, të cilat ato vetë duhet t’i dinë nga zbatimi i metodologjive të tyre të punës që ata kanë.


(Agnesa Rexhepi, Kosovë; Portali Shkollor)

6,025 Lexime
5 vjet më parë