"Kur shqipja flet vetë" – Nxënësit e "Arkea" krijojnë minifjalor dhe libër me përralla të aksesueshëm online
Nxënësit e klasës së 9-të të shkollës jopublike "Arkea", nën udhëheqjen e mësueses Antuela Murataj, realizuan projektin "Kur shqipja flet vetë". Përmes një minifjalori me 150 fjalë dhe një libri me përralla të ilustruara, ata promovojnë përdorimin e saktë të shqipes dhe zëvendësimin e fjalëve të huaja.
Në një kohë kur fjalët e huaja shpesh zënë vend në komunikimin e përditshëm, nxënësit e klasës së 9-të të Shkollës Jopublike "Arkea" kanë realizuar projektin “Kur shqipja flet vetë”, nën udhëheqjen e mësueses Antuela Murataj.
Ky projekt synon ndërgjegjësimin e nxënësve për përdorimin e saktë të gjuhës shqipe dhe zëvendësimin e fjalëve të huaja të panevojshme me fjalët gjegjëse në shqip.
Rezultatet e të nxënit
Nxënësit, përmes këtij projekti:
- Mësuan të identifikojnë fjalët e huaja që përdoren pa nevojë dhe të gjejnë zëvendësimet e duhura shqipe;
- Zhvilluan aftësi krijuese për të shkruar përralla në gjuhën shqipe;
- Mësuan rëndësinë e punës bashkëpunuese dhe të komunikimit të saktë;
- Kuptuan se gjuhën e ruajnë ata që e përdorin me dashuri dhe kreativitet, jo vetëm duke e lexuar.
Përshkrimi i rezultatit të projektit
Rezultati përfundimtar i projektit “Kur shqipja flet vetë” përbëhet nga dy pjesë kryesore të ndërlidhura, të konceptuara si mjete edukative, ndërgjegjësuese dhe të përdorshme në mënyrë të vazhdueshme nga lexues të grupmoshave të ndryshme.
Pjesa e parë është minifjalori “Kur shqipja flet vetë”, i cili përfshin 150 fjalë të huaja të panevojshme që përdoren shpesh në gjuhën shqipe. Për secilën fjalë të përzgjedhur jepen gjegjëset përkatëse në gjuhën shqipe, të shoqëruara me shembuj konkretë të përdorimit të gabuar dhe të përdorimit të saktë, me qëllim që përdoruesi të kuptojë jo vetëm formën e drejtë të fjalës, por edhe mënyrën e përdorimit të saj në kontekst. Ky minifjalor shërben si një udhërrëfyes praktik për përdorimin e ndërgjegjshëm të shqipes dhe si një mjet referimi i përditshëm për nxënësit dhe lexuesit e interesuar.
Pjesa e dytë është libri me përralla dhe ilustrime “Kur shqipja flet vetë”, i cili synon edukimin gjuhësor që në moshat e hershme. Ideja e krijimit të këtij libri bazohet në nevojën për të ndërhyrë që në “gjenezë”, pra tek fëmijët e vegjël, duke filluar që herët me përdorimin e fjalëve të bukura të shqipes dhe duke shmangur përvetësimin e fjalëve të huaja të panevojshme. Përmes rrëfimit artistik dhe ilustrimeve, gjuha shqipe paraqitet si e pasur, e kuptueshme dhe e mjaftueshme për të shprehur çdo ide dhe ndjenjë.
Risia e projektit qëndron në faktin se ai nuk mbetet në nivel teorik, por konkretizohet në dy materiale funksionale, të ndërtuara për përdorim praktik dhe me ndikim afatgjatë. Minifjalori i drejtohet përdoruesve të rritur dhe nxënësve, ndërsa libri me përralla synon formimin gjuhësor të brezave të ardhshëm, duke krijuar një vazhdimësi edukative.
Një element thelbësor i projektit është fakti që të dy produktet finale do të jenë të disponueshme edhe në format online, në mënyrë që t’u vijnë në ndihmë lexuesve në çdo kohë dhe kudo. Kjo e zgjeron ndikimin e projektit përtej kufijve të klasës dhe shkollës, duke e kthyer atë në një burim të hapur dhe të aksesueshëm për komunitetin.
Libërthi online "Kur shqipja flet vet", linku : https://read.bookcreator.com/4eqgCBNNcwbsvcPfzc1MFTv24pA2/zGDjHgB9S5m8B4o4x_tHew
Minifjalori online linku : https://read.bookcreator.com/4eqgCBNNcwbsvcPfzc1MFTv24pA2/HTMcl47JRQ6ZRWvlLpsa2Q
Ky projekt ka rëndësi të veçantë sepse kontribuon në ruajtjen, pasurimin dhe përdorimin e vetëdijshëm të gjuhës shqipe, nxit përgjegjësinë gjuhësore dhe dëshmon se shqipja ka mjetet e veta për të “folur vetë”, pa pasur nevojë për huazime të panevojshme.
Përmes këtij projekti, gjuha shqipe trajtohet jo vetëm si lëndë mësimore, por si vlerë kulturore dhe identitare që duhet kultivuar me kujdes dhe dashuri.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Një pasuri e përbashkët shqiptare për brezat në Londër
Gjuha e gjakut – midis shenjtërisë dhe rrezikut të harresës
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur