Një pasuri e përbashkët shqiptare për brezat në Londër
Mungesa e librave në shqip në bibliotekat e Londrës mbetet një shqetësim për fëmijët shqiptarë. Mësuesja Anila Kadija nxit komunitetin të dhurojë libra në gjuhën amtare dhe ka krijuar një kënd leximi për nxënësit e saj. Një nismë që synon të ruajë gjuhën, kulturën dhe lidhjen me librin për brezat në diasporë.
Nga Anila Kadija
Mungesa e librave në gjuhën shqipe në bibliotekat e lagjeve të ndryshme të Londrës është një realitet i dhimbshëm, sidomos për fëmijët tanë. Ky fenomen nuk reflekton vetëm një mungesë sensibilizimi ndaj gjuhës shqipe, por edhe një indiferentizëm të lehtë komunitar.
Ne të gjithë mund të kontribuojmë duke dhuruar libra në shqip bibliotekave të zonës ku jetojmë. Në këtë mënyrë, pak nga pak, i japim jetë këtyre mjediseve me gjuhën tonë, me autorët tanë, me kulturën tonë.
Personalisht, kam vizituar bibliotekat në Richmond, Chiswick dhe Kilburn. Aty ekzistojnë sektorë me libra në gjuhë të ndryshme të huaja, por, fatkeqësisht, nuk gjendet asnjë libër në shqip, as për fëmijë.
Sensibilizimi është i nevojshëm: bibliotekat janë mjedise të frekuentuara, të bukura, ku kultura dhe informacioni bashkëjetojnë. Edukimi i fëmijëve me konceptin e bibliotekës është mënyra më e shëndetshme për të kaluar kohën e lirë dhe, njëkohësisht, mbështet shumë nxënësit që frekuentojnë shkollat shqipe në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.
Si alternativë, që prej tre vitesh kam krijuar një kënd me libra në shqip për nxënësit shkollave “Ardhmëria” ku jap mësim në Westminster dhe Chiswick. Librat mund të merren edhe në shtëpi, dhe çdo nxënës ka skedën e tij të leximeve. Në fund të vitit shkollor shpallim “Lexuesin e mirë”, të cilit i ofrohet një dhuratë simbolike: një biletë falas për Panairin e Librit në Londër.
Librat që përdorim janë blerë nga mësueset, dhuruar nga familjet, ose priten nga shtëpia botuese ALBAS. Gjithashtu kemi disa libra për fëmijë nga Qendra e Botimit për Diasporën.
Të gjithë këto pasuri gjuhësore dhe letrare i konsiderojmë të çmuara dhe i ruajmë si sytë e ballit.
Le të dhurojmë libra në shqip në bibliotekat e lagjeve ku jetojmë, kudo në botë. Në këtë mënyrë ndërtojmë një pasuri të përbashkët shqiptare për brezat e ardhshëm.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
"Kur shqipja flet vetë" – Nxënësit e "Arkea" krijojnë minifjalor dhe libër me përralla të aksesueshëm online
Gjuha e gjakut – midis shenjtërisë dhe rrezikut të harresës
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur