In memoriam

Mbreti i fëmijëve dhe i zemrave të apasionuara

Mjeshtri i madh, i ndjeri Kujtim Alija u bë “mbreti i fëmijëve” dhe padyshim edhe i zemrave njerëzore, pasi ishte një burim i pashtershëm optimizmi për ta dashur pasionin, dhuntinë, profesionin, për ta dashur punën dhe jetën. Ky artikull është në përkujtim të figurës së tij, shkruar nga mësuesi Evans Drishti.

S’janë as 1, as 2 as 5, por plot 59 edicione… 


E kemi fjalën për Edicionin Mbarëkombëtar të Fëmijëve që tradicionalisht realizohet në qytetin e Shkodrës. Një festë madhështore që mbledh jo vetëm vogëlushët e kryeqendrës veriore, por të mbarë Shqipërisë dhe trevave shqiptare. 


E kemi fjalën për një event që padyshim ka shënuar një epokë të rëndësishme në historinë e kulturës dhe të artit shqiptar… 


E kemi fjalën për një epope, ku u zhvilluan dhe u edukuan breza me radhë, dekada të tërë, u arsimuan dhe u integruan sa e sa breza që hodhën shtatin për herë të parë në ato skena dhe që tashmë janë emra të dëgjuar që ndërtojnë jo thjesht dhe vetëm historinë e tyre, por të një vendi, të një kombi të tërë, pra ndërtojnë historinë tonë… 


Në qendër të kësaj historie dhe të kësaj kulture qëndron një emër i përmasave të mëdha, një figurë e diapazoneve të gjera dhe të pakufishme, qëndron një intelektual i vizioneve dhe idealeve të përjetësishme… 


Pak ditë më parë Shkodra humbi pikërisht mjeshtrin e këtyre dimensioneve, intelektualin që solli reforma të pashtershme me revolucionin kulturor dhe artistik që realizoi, humbi pikërisht Mjeshtrin e madh, të ndjerin Kujtim Alinë. 


Fusha e edukimit dhe e arsimimit është e lidhur ngushtësisht me artin dhe kulturën, pasi fëmija që në vegjëlinë e vet edukohet me të bukurën dhe artistiken, edukohet me shijen e këndshme, edukohet me fjalën e bukur, me fjalën e ëmbël, me fjalën që të ngjall shpresë dhe emocion, me fjalën që të rrezaton… 


I një të tillë atmosfere ka qenë përherë edhe eventi që Qendra Kulturore e Fëmijëve Shkodër ka realizuar prej dekadash, “Fjala Artistike” apo edhe “Bilbilat e Vegjël Këndojnë” ku protagonisti kryesor ka qenë dhe do të mbetet përherë Mjeshtri i madh, i ndjeri Kujtim Alija. 


Humbja e një mjeshtri është një humbje e madhe, madje një humbje e thershme, një humbje që s’lë thjesht një trishtim, përkundrazi një humbje që të përfshin në një meditim të thellë, që në të shumtën e rasteve e ka të vështirë të gjej një shtegdalje. E tillë ishte edhe humbja e Mjeshtrit të madh, të ndjerit Kujtim Alija. Kjo, jo se ne, si qenie njerëzore jemi të pavdekshëm, pasi natyrshëm vjen një ditë dhe ndahemi nga kjo jetë, por se të gjithë me plot të drejtë mendojmë për vijimësinë e një procesi, për rritjen e nivelit të artit dhe të kulturës në rastin konkret dhe për shtimin e sukseseve të cilat deri tani kanë qenë të padiskutueshme. 


Kur flasim për një “Mjeshtër” kemi para sysh karakteristikat pikësëpari njerëzore e më pas profesionale që mbart ai personalitet. Pasi në radhë të parë na vjen në mendje modeli i vlerave të larta njerëzore, pastaj modeli i vlerave të larta profesionale. 


I ndjeri Mjeshtri i madh Kujtim Alija ishte i tillë… Mjeshtër i vlerave të larta njerëzore dhe Mjeshtër i vlerave të larta profesionale… 


Personaliteti që:

  • Gatoi shpirtin e fëmijëve. 
  • Kuptoi aftësitë e tyre dhe dhuntitë përkatëse. 
  • Këmbënguli me forcë të nxjerrë në pah vlerat dhe bukuritë shpirtërore të fëmijëve dhe jo vetëm natyrisht. 
  • U bë prindi i dytë (me plot kuptimin e fjalës) për fëmijët në realizimin e ëndrrave dhe pasioneve të tyre. 
  • Rroku dhe përqafoi me plot dashuri shpirtin e bukur dhe fisnik të njeriut të dëshirave dhe pasioneve për t'i dhuruar artëdashësve emocione të pashtershme dhe të pavdekshme. 
  • Punoi pa reshtur, madje edhe në kushte aspak të lehta për të prezantuar modelet e reja të një shoqërie që aspiron për një emancipim të fortë dhe rrezatues. 
  • S’njohu lodhje dhe “orare pune”, përkundrazi çdo moment i “24 orëshit” ishte frytdhënës në inspirimin e tij profesional dhe njerëzor. 
  • Kuptoi mjaft mirë shpirtin e pastër dhe të kthjelltë të njeriut, i çfarëdo moshe të ishte, duke reflektuar vetëm pozitivitet dhe optimizëm, pasi mbarte përherë parimin “Pas çdo vështirësie vjen edhe lehtësimi”. 
  • Kërkoi më të mirën dhe më të bukurën, pasi i besonte shpirtit luftarak dhe aspirues… 
  • S’reshti asnjëherë të kërkonte “dijen e saktë” duke injektuar tek brezat e rinj dëshirën dhe pasionin për “leximin” e drejtë dhe “kuptimin” e duhur të pasionit dhe dhuntisë që mbarte njeriu që në vigjilje.



Secili prej nesh kujton me mall “mjeshtrin” apo “mjeshtren” që lënë gjurmë në jetën personale dhe shoqërore, që mund të jetë mësuesja apo mësuesi i klasës së parë, profesori i një lënde të caktuar, kapiteni i një skuadre, mjeshtri që e ka ndihmuar të ngjisë shkallët e një suksesi… Është pikërisht ky njeri që krijon një folezë në shpirtin tonë duke na shoqëruar përgjatë tërë rrugëtimit dhe duke na u bërë më shumë se një “prind” për ne… 


Mjeshtri i madh, i ndjeri Kujtim Alija u bë “mbreti i fëmijëve” dhe padyshim edhe i zemrave njerëzore, pasi ishte një burim i pashtershëm optimizmi për ta dashur pasionin dhe dhuntinë, për ta dashur profesionin, për ta dashur punën dhe jetën, për ta dashur njeriun… 


Çdo fëmijë mbart në memorien e jetës së tij një “mbret” dhe “mbretëreshë” që natyrshëm në radhë të parë vjen nëna dhe babai, gjyshi dhe gjyshja nga ana e nënës dhe e babait, e më pas mund të jenë personazhe të ndryshëm që ia kanë zbukuruar përditshmërinë dhe jetën, ashtu sikurse mund të jenë “mjeshtra të mëdhenj” që e kanë mbështetur për të arritur realizimin e ëndrrave dhe dëshirave. 


Jemi mëse të sigurt se i ndjeri Mjeshtri i Madh Kujtim Alija do të mbetet përherë “mbreti i fëmijëve” që skalitën mendjen dhe shpirtin e tyre në të tilla evente, ashtu sikurse do të mbetet edhe “frymëzuesi” dhe “modeli i dashurisë jetësore” për mbarë shoqërinë e trevave shqiptare me të gjitha projektet madhështore që realizoi gjatë tërë karrierës së tij artistike. 


Sot mbetet një detyrë e secilit prej nesh që të kultivojmë dita ditës të tilla vlera njerëzore po aq edhe edukative, kulturore dhe arsimore, pikësëpari tek vetja jonë, në familjet tona dhe në shoqërinë ku jetojmë dhe veprojmë. 


Mbetet një detyrë edhe e institucioneve të larta përkatëse të edukimit, kulturës dhe artit që të shkruajnë historinë e këtyre vlerave, që padyshim s’duhet të ngelen vetëm në kuadër të një “opinioni”, pasi të tilla personalitete përbëjnë një “enciklopedi” të historisë së edukimit, kulturës dhe të artit në vendin tonë. 

 

 

Nga Evans Drishti 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,424 Lexime
2 vjet më parë