![](https://www.portalishkollor.al/upload/media/entries/2019-01/10/3090-0-b44a47e4b009318f4edc11877b73e755.jpg)
Ne maturantët e ‘64-ës, Për ju të dashur shoqe dhe shokë pedagogjikas
Lejla Zylja me punën e saj si edukatore e shumë brezave ka dhënë shembullin më të mirë në vendin ku punoi e jeton, duke krijuar modelin si duhet të jetë mësuesja, arsimtarja dhe në përgjithësi intelektualja shqiptare.
LIBËR ME VLERA TË SHUMËANSHME
Lejla ZYLJA “Ne maturantët e ‘64-ës, Për ju të dashur shoqe dhe shokë pedagogjikas” Tiranë, 2018.
Kohët e fundit doli në qarkullim libri i autores shkodrane, arsimtares, Lejla Zylja. Një libër me kujtime kushtuar maturës 64, të shkollës pedagogjike “Shejnaze Juka” në qytetin e Shkodrës.
DY FJALË PËR AUTOREN
Lejla Zylja ka lindur më 20 gusht 1946, në Shkodër. Shkollën shtatëvjeçare e mbaroi në shkollën “Ali Laçej”, Perash. Në vitin 1960 filloi studimet në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”. Pas mbarimit të shkollës së mesme përfundoi studimet në Institutin e lartë trevjeçar të Shkodrës, dega matematikë. U emërua mësuese në Durrës ku punoi me përkushtim të madh për shumë vite.
Lejla pa prirje në letërsi, por me vullnet e këmbëngulje botoi librin me tregime “Mbresa te pashlyeshme”, në të cilin pasqyrohet puna e apasionuar për edukimin dhe kultivimin e vullnetit në mesime te fëmijët e moshave të ndryshme.
Pas këtij botimi Lejla sjell librin “Ne maturantët e ‘64-ës”. Dashuria për shokët, shoqet, mësuesit e shkollën pedagogjike u bë forcë e madhe që Lejla me shumë sforca të arrinte pas tre vjetësh botimin e këtij libri.
Periudha e shkollës së mesme është faza më e bukur e jetës rinore, e cila te secili njeri mbetet në kujtesë për gjithë jetën. Matura është nostalgji dhe dashuri për shokët dhe shoqet, për mësuesit dhe shkollën. Në këtë libër paraqitet rrugëtimi i maturantëve të ‘64-ës i cili mbetet i paharruar. Flitet për vitet më të bukura të jetës së tyre. Lojëra, humor, të qeshura, përpjekje, studim e ndonjëherë edhe lot. Rrugët pas maturës u ndanë dhe vitet u kthyen në kujtime. Këto kujtime përshkruhen me nostalgji nga dora e Lejlës.
Këtu paraqiten emocione të momenteve të ndryshme gjatë katër viteve shkollore dhe kryesisht marrëdhëniet e ngrohta me shokët, shoqet e mësuesit.
Maturantë të vitit 1964, të përfshirë në këtë libër janë figura të njohura të arsimit shqiptar, por edhe në fusha të tjera të shkencës si metodistët: Fatbardha Hoxha, Hasan Lekaj, Fatmira Sokoli etj. Drejtues të shkollave: Zef Fusha, Mirjam Shehu, Zef Marku, Fadil Bushaj, Ndue Deda, Liri Quku, Eljaz Bushaj, Zef Toma etj. Ndue Gjergji si inxhinier në peshkim e Paulin Pero në fushën e historisë. Si qytetar nderi: Skënder Berisha, Nezir Kraja, Myrvete Sokoli, Paulin Pero etj. Pjesa më e madhe e tyre kanë punuar në zonat më të thella dhe të vështira të Shqipërisë duke dhënë ndihmesën e tyre në fusha të ndryshme të shkencës dhe të dijes shqiptare.
Meritë për këto arritje kanë dhe mësuesit e tyre të nderuar, të cilët kujtohen me nderim, respekt e dashuri, sepse shumë herë kanë qenë për ta shembull referimi në profesionin e secilit.
Takimi i gjeneratës pas 51 vjetësh është një ndjenjë e veçantë. Takon pedagogun, shoqen, shokun. Periudha 51 vjeçare (nga mbarimi i maturës e deri sot) ka sjellë ndryshime të mëdha në jetën e secilit. Që nga vazhdimi i shkollës së lartë, puna me mësues, krijimi i familjes, e deri sot që janë gjyshër e gjyshe. Shumica prej tyre nuk janë parë që prej atyre viteve, prandaj dhe takimi është emocionues, entuziast dhe plot mallëngjim.
Libri “Ne maturantët e ’64” shoqërohet me shumë foto ilustruese nga jeta shkollore e asaj kohe, me maturantë e profesorë të nderuar. Ky botim i ri ka vlera të shumëanshme, si për masën e gjerë të lexuesve të interesuar, por sidomos për mësues e studentë të degëve të ndryshme, që përgatiten për mësuesinë.
![](https://www.portalishkollor.al/upload/media/entries/2019-01/10/3090-2-b44a47e4b009318f4edc11877b73e755.jpg)
“Matura ‘64”, paraleli B me mësuese Pina Haxhi
![](https://www.portalishkollor.al/upload/media/entries/2019-01/10/3090-4-b44a47e4b009318f4edc11877b73e755.jpg)
“Matura ‘64”, paraleli C me mësues Bahri Jubani.
![](https://www.portalishkollor.al/upload/media/entries/2019-01/10/3090-6-b44a47e4b009318f4edc11877b73e755.jpg)
“Matura ‘64”, paraleli A me mësues Tomor Osmanin.
- Pedagogjikasit kanë sakrifikuar gjatë vazhdimit të shkollës në largësi nga familja. Ata studiuan për katër vite dhe morën bazat e formimit profesional dhe intelektual. Respekti dhe dashuria për mësuesit si dhe përkujdesja e mësuesve ndaj nxënësve buronin natyrshëm.
- Ky libër ka vlera shkencore dhe historike. Në këtë libër përshkruhet kurrikula që zbatohej në shkollën pedagogjike dhe metodologjia e paraqitur nëpërmjet kujtimeve të ish-maturantëve të ‘64-ës. Pasuria me mjete dhe burime të kabineteve lëndore që kanë ndihmuar në formimin shkencor të nxënësve pedagogjikas. Mënyra e organizimit të mësimit dhe komunikimi mësues-nxënës paraqitet i vecantë (komunikim i ngrohtë dhe kërkues nga ana tjetër).
- Shkolla kishte një strukturë të tillë komplekse. Nxënësit me vendbanim larg shkollës sistemoheshin në konviktin “Safet Spahiu”. Konvikti vetvepronte nëpërmjet organizimit të brendshëm. Kishte Këshillin e konviktit, mbështetej e bashkëpunonte me këtë organ. Kishte tre kujdestarë, një infermiere e një infermier. Në lavanteri kishte dy punonjëse për larjen e rrobave të nxënësve.
- Siguria ishte parësore dhe disiplina ishte e fortë.
- Varfëria që i shoqëronte e vështirësitë që kanë kaluar, nuk i ndaluan këta nxënës për të fituar dije dhe formim profesional.
- Puna vetëmohuese dhe me shumë sakrifica e bërë nga mësuesit e atij brezi është një shembull i mirë për brezin e sótëm të arsimtarëve.
***
I urojmë jetë të gjatë autores. Lejla Zylja me punën e saj si edukatore e shumë brezave ka dhënë shembullin më të mirë në vendin ku punoi e jeton, duke krijuar modelin si duhet të jetë mësuesja, arsimtarja dhe në përgjithësi intelektualja shqiptare.
“Kështu shkuan gjërat me degradimin social të mësuesit...”
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Bullizmi nuk është shaka, bullizmi vret