Fituesi për shkrimin më të mirë

"Një Prill i thyer, shumë shpirtra të thyer", Mersi Kallmi

Duke i analizuar të gjitha punimet nën frymën më rikrijuese të një bote që e frymëzon libri, Juria shpalli fituese Mersi Kallmin, nxënëse e klasës XA në gjimnazin “Mustafa Qemal Ataturk”, Vlorë me esenë “Një prill i thyer, shumë shpirtra të thyer”.

Së pari dëshirojmë të falenderojmë të gjithë ata që në kuadër të projektit “Rikthim te klasikët” morën pjesë me esetë e tyre për librat e lexuar. Ka qenë kënaqësi të lexosh këndvështrime shumë interesante për autorë si: Hygoi, Xhojsi, Homeri, Kadare, Balzaku, e shumë autorë klasikë e modernë. Ka qenë e vështirë në përzgjedhjen e fituesit të kësaj gare, pasi të gjithë kanë origjinalitetin e tyre. Por duke i analizuar të gjitha punimet nën frymën më rikrijuese të një bote që e frymëzon libri, Juria shpalli si fituese Mersi Kallmin, nxënëse e klasës XA në gjimnazin “Mustafa Qemal Ataturk”, Vlorë me esenë “Një prill i thyer, shumë shpirtra të thyer- Hija ime e zezë”.


Më poshtë punimi fitues.


"Një Prill i thyer, shumë shpirtra të thyer." (HIJA IME E ZEZË…)


REVIEW


Ndoshta sot është hera e parë që nis të shkruaj për të t’u drejtuar ty, kushëri i dashur, që koha ta ka venitur kujtimin, për të treguar se kujtimet e tua janë gdhendur në një libër për t’u lexuar nga ҫdo cep i botës… apo mos duhet të kujtoj që bota është e rrumbullakët…? Në fakt s’doja ta bëja, sepse më mirë se ne të dy, askush nuk e di që bota, jeta dhe gjithҫka tjetër është diҫka që rrotullohet! Ҫdo gjë kthehet aty ku nisi, apo jo…? Po asnjëherë për të përfunduar, as për të njohur një fund apo fillim të ri… E di shumë mirë dhe unë i dashur, se ҫ’do të thotë të ecësh rrugëve të mjegullta, se ҫ’do të thotë të të merret fryma, sytë të të erren e kjo botë të të duket sikur s’të përket! Mjaft mirë e di dhe unë, se si është të të mohojnë lirinë, të të mohojnë se ke një jetë!


Koha jashtë ka filluar të zbutet, me thënë të drejtën, por ajri është po aq mbytës, sa dikur... Ta njoh dhimbjen e shpirtit, se vazhdimi i asaj dhimbjeje, jam UNË. Ndoshta trupi im nuk është i ngujuar, por shpirti im, po. Kam frikë të them se sytë e mi nuk e shohin qiellin, ashtu si të gjithë, kam frikë të tregoj se kjo jam UNË, një e ngujuar nga fati, që edhe pasi ka dalë në kundërshtim me të dhe vazhdon të marrë frymë, sërish nuk ndihet e gjallë…!

Jetoj në 2018 dhe e imagjinon dot sa vite kanë kaluar, por jetët tona ndajnë ende të njëjtën rrugë…?


Sa herë kthehem në shtëpi shoh zymtësi kudo dhe heshtja më shurdhon zemrën. Duart më ngrijnë e trupi më mpihet njësoj si ty… E di, e di... Bënte ftohtë atë kohë, por te ne ka kohë, që pranvera ka ardhur, edhe pse unë nuk mund ta ndjej...


Jam një qenie e rraskapitur, që përtoj të eci drejt jetës, por të nesërmen më duhet të zgjohem, edhe pse nuk dua, më duhet të vrapoj, pavarësisht vonesës që ndjej. Në botën time jam po aq ndryshe me njerëzit, sa dhe bluzat që veshim, por shumë njerëz nuk e kuptojnë këtë, ndoshta TI mundesh! Edhe nëse mundohem ta shpjegoj, asnjë shpjegim nuk do të ishte i mjaftueshëm. E vetmja gjë që mund të them është se ndoshta, unë po jetoj realitetin më të hidhur nga të dy! Shoh diell jashtë dritares sime, por e pamundur të depërtojë përtej mureve të kraharorit e të më falë ngrohtësi… Shoh kaltërsi, por nuk ndjej paqe… Shoh gjelbërim, por nuk ndjej qetësi… Shoh ngjyra, por nuk ndjej lumturi… Pjesa më e mundimshme gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë të kërkoja për një arsye, një shkak, por ajo që gjeja ishin pasojat e paarsyes, që më shkelmonin pamëshirshëm!


Isha vetëm një fëmijë dhe sot vazhdoj të mbetem një fëmijë, të paktën më pëlqen të mendoj e të sillem kështu, sepse brenda meje di më shumë se ҫ’një fëmijë duhet të dijë dhe kjo më vret sa herë buzëqesh pa ndalur, derisa ajo buzëqeshje më bëhet një lëmsh në grykë, më i hidhur se lotët! Zgjohem ҫdo mëngjes, me shpresën se gjumi do ketë fshirë shumë kujtime nga jeta ime e mallkuar, por për dreq, të gjitha më presin aty, sa herë hap sytë, sa herë shoh veten e sa herë rri në heshtje! Bluaj në mendje gjëra e pyetje, për të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdoj të kërkoj një përgjigje: Pse?; Si?; Ҫfarë?... Frikësohem se përgjigjja është më e shkurtër, se ajo që kërkoj unë, por dreqi ta hajë; e kam shumë të nevojshme më shumë, se thjesht një përgjigje, ndoshta një shpjegim do të mjaftonte!

Shumë gjëra në jetë ndodhin rastësisht, ndonjëherë pa dashur, por unë s’dua të jem pjesë e një rastësie, në të cilën nuk bëj pjesë! U bëra UNË pjesë e rastësisë, apo rastësia u bë pjesë e imja…?


Nuk doja të mbërrija këtu, por nuk e di, nëse mund të shkruaj më shumë dhe ti e di, se sa e vështirë është të flasësh për gjëra, që të dhembin diku thellë dhe përpiqesh t’i fshehësh. Nëse kjo letër e imja të gjen mirë, lutem të kesh gjetur paqe diku aty lart, mes reve, qiellit, tokës e deteve… Lutem vërtet, që kjo torturë, që të ka shoqëruar në këtë botë mos të të ketë shoqëruar dhe në tjetrën, sepse këtë shpresoj dhe për veten!


Ndoshta do të ishte mirë, që dhe unë të jetoja "fatin tim të caktuar", ashtu si është për t’u jetuar, vetëm jo si një kujtim në mendje e zemër. Më duket se gjërat dhembin edhe më shumë, kur janë thjesht iluzione! A thua se dhembin…?


Jam UNË, ishe TI një fantazmë, që vërtitet ditëve e netëve pa e ditur se për ҫfarë…! Një re pluhuri, që era e fatit e ka vërdallisur, si t’i ketë dashur qejfi!

Jemi ne kaq të mëshirshëm para asaj që jetojmë, kaq të gjunjëzuar, të përulur. Duhet patjetër të jetojmë…? Pse nuk mund të largohemi e të gjejmë diҫka, në të cilën mund të ndryshojmë shumëҫka…? Por ndonjëherë s’ke ҫfarë bën, je i destinuar të rrish dhe të presësh... Sado të përpiqesh s’ke asnjë rrugë tjetër. Mund të marrësh rrugë të ndryshme, por do të përfundosh tek i njëjti vend. Është pikërisht ai vend, nga i cili ti do arratisesh, por thjesht nuk do mundesh sepse ai vend, ajo diҫka është fati yt… KJO ËSHTË E BUKURA E JETËS. Sado përpiqesh, ҫdo gjë është e shkruajtur, madje edhe ti që përpiqeshe ta ndryshoje thjesht ishte e shkruar që të përpiqeshe ta ndryshoje dhe do përfundosh gjithmonë në dorë të fatit, sepse disa gjëra nuk ndryshojnë… Sado përpiqesh, sado lutesh dhe përgjërohesh thjesht nuk e ke fuqinë e duhur për ta bërë këtë gjë…


P.S (Ndoshta ishin shumë pak fjalë për të përshkruar një libër, siҫ është "Prilli i Thyer" i Ismail Kadaresë, por jo për ta ndërthurur atë, me jetën time. Kam frymuar në ҫdo shkronjë, që kam shkruar, si dhe kam harruar të marr frymë, në ҫdo shkronjë, që kam lexuar. Ky libër më ka dhënë shumë përgjigje për të cilat kam kërkuar gjatë dhe kjo ndodhi vitin e shkuar, kur për herë të parë trajtuam këto ligje në shkollë dhe për herë të parë mësova se ekzistonte një libër...një libër kaq i ngjashëm me realitetin tim, por edhe kaq i ndryshëm, pasi kohët nuk janë të njëjta, ndërsa dhimbjet dhe pyetjet pa përgjigje po, por ndryshe nga personazhi i librit, UNË në jetën time ia dola t’i shpëtoj! Vetëm se kujtimet mbetën, ato nuk harrohen kurrë, gjithmonë me TY në ҫdo hap të jetës më premtuan duke u bërë e vetmja hije ime e zezë...)


Punoi: Mersi Kallmi 

Klasa: XA

Gjimnazi “Mustafa Qemal Ataturk”, Vlorë


(Portali Shkollor)

2,527 Lexime
6 vjet më parë