25 vite panair

Panairi Kombëtar i Librit më 16-20 nëntor, Albas vjen me mbi 40 tituj të rinj

Ngjarja më e madhe për librin që përfshin gjithë shqiptarët, Panairi Kombëtar i Librit do të mbahet këtë vit jubilar më datat 16 dhe 20 nëntor, me moton “Të gjithë jemi lexues”. Shtëpia botuese ALBAS, këtë vit do të prezantojë mbi 40 tituj të rinj, mes të cilëve ka edhe surpriza.

Ditët e shumëpritura për të gjithë libërdashësit pothuajse kanë mbërritur! 


Nëntori tashmë prej 25 vitesh, njihet si muaji i Panairit Kombëtar të Librit, ngjarja më e madhe për librin që përfshin gjithë shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri. Nën moton “Të gjithë jemi lexues”, Panairi “Tirana 2022” këtë vit do të mbahet më datat 16 dhe 20, si gjithmonë në ambientet e Pallatit të Kongreseve, nga ora 9 e mëngjesit deri në 9-të të darkës. 


Botuesit prezent, librat e rinj, autorët, përkthyesit, prezantimet, konkurset, konferencat etj... dhe sidomos lexuesit do t’i japin këtij panairi gjithë rëndësinë që meriton të ketë. 


Shtëpia botuese Albas, si çdo vit, në panair do të prezantojë edhe titujt e rinj, të cilët këtë herë janë mbi 40 të tillë, mes të cilëve vijnë autorë surprizë. Në ditët në vijim ne do ju njohim më konkretisht me titujt e rinj për çdo grupmoshë dhe zhanër, nga autorë shqiptarë dhe të huaj. 

Shtëpia Botuese Albas është pjesë e këtij panairi prej 20 vitesh tashmë, një histori suksesi që bëhet padyshim e prekshme edhe këtë vit nëpërmjet stendës së saj, aq të veçantë.  

Ajo çka është e veçantë për lexuesit është fakti se gjatë panairit, ata përveçse njihen më nga afër me titujt e librave, takojnë drejtpërdrejtë autorë dhe përkthyes, kanë edhe mundësinë e shkëlqyer për të blerë libra me çmime të reduktuara.



Anëtarët e jurisë- Panairi i 25-të i Librit “Tirana 2022”



Panairi i Librit në Tiranë (pak historik) 


Panairi i Librit në Tiranë është një panair i përvitshëm kushtuar librit që mbahet në Tiranë, Shqipëri. Ky panair mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ndërsa organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Panairi i parë i librit në Tiranë ishte Panairi i librit "Tirana 1998" organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht. Botuesit shqiptarë marrin pjesë edhe në panaire tjera ndërkombëtare të librit mes të cilëve edhe në Panairin e Librit në Prishtinë si dhe në Panairin e Librit në Frankfurt.



Nanila Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,272 Lexime
1 vit më parë