
Një fillim i ngrohtë e plot emocione në shkollën "Adem Haxhija", Postribë
Në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Adem Haxhija” Postribë, viti i ri shkollor nisi mes gëzimit, urimeve dhe emocioneve të veçanta. Drejtorja Edlira Alijaj uroi nxënësit, mësuesit e prindërit për një rrugëtim të mbarë, duke theksuar bashkëpunimin dhe përkushtimin si çelës për suksesin e përbashkët.
Në Shkollën e Mesme të Bashkuar “ADEM HAXJIJA” Postribë, Viti i Ri shkollor nisi me plot emocion. Oborri i shkollës gumëzhinte nga zërat plot gëzim dhe emocion të nxënësve. Atmosfera ishte e mbushur me energji pozitive, të qeshura, urime dhe përshëndetje. Një fillim i ngrohtë dhe i bukur për një rrugëtim të ri mësimor. Drejtorja e shkollës Edlira Alijaj uroi mirëseardhjen nxënësve, mësuesve dhe prindërve.

Nga fjala e hapjes:
Të dashur nxënës!
Sot, me shumë gëzim dhe emocion, ju uroj mirëseardhjen në këtë vit të ri shkollor! Dita e parë e shkollës është gjithmonë një fillim i ri, një mundësi për të mësuar, për të parë, për të rritur njohuritë.
Çdo vit shkollor është i veçantë, dhe unë besoj fort se me përkushtim, respekt dhe bashkëpunim, do të arrijmë suksesin së bashku.
Stafi mësimor dhe ne jemi këtu për t'ju shoqëruar në çdo hap të rrugës arsimore. Besoni në vetvete, synoni lart dhe mos harroni se shkolla është vendi ku mbillen ëndrrat e së ardhmes.
Të nderuar kolegë/e!
Me shumë respekt dhe mirënjohje, dua t'ju uroj një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor!
Secili prej jush ka një rol të pazëvendësueshëm në formimin dhe edukimin e brezave të rinj, dhe jam e bindur se me përkushtimin, përvojat dhe pasionin tuaj do të arrijmë rezultate të larta duke krijuar një mjedis pozitiv për nxënësit.
Le të jetë shërbejë ky vit drejt rritjes profesionale, bashkëpunimit të nxënësve dhe sukseseve të përbashkëta. Si drejtore, angazhimi im do të jetë që t'ju mbështes në çdo hap dhe të punojmë së bashku për të bërë shkollën tonë një shembull.
Të nderuar prindër!
Në këtë ditë të parë të shkollës, dua t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju shpreh mirënjohjen më të sinqertë për bashkëpunimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme.
Fillimi i një viti të ri shkollor është një moment emocionues, plot pritshmëri dëshira dhe qëllime të reja. Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi ndaj fëmijëve tuaj dhe ju sigurojmë se do të bëjmë maksimumin për t’u krijuar një mjedis të sigurt, të dashur dhe motivues për të mësuar.
Roli juaj si prindër është në rrugëtimin arsimor të nxënësve tanë. Ne besojmë se bashkëpunimi mes shkollës dhe familjes është çelësi për suksesin e fëmijëve. prandaj, dera jonë do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëbisedim dhe mirëkuptim.
Ju falënderoj për besimin që i jepni shkollës. Uroj që ky vit të jetë i mbarë për të gjithë!

Në fund të fjalimit drejtorja falënderoi nga zemra të gjithë nxënësit për buqetat e bukura që i dhuruan në këtë ditë të parë të shkollës. Buqeta më emocionuese ishte ajo e përgatitur nga nxënësi Demir Plangaj i cili kishte mbledhur me duar e veta një tufë të madhe lulesh për këtë ditë të parë të fillimit.


Ky gjest i thjeshtë, por plot dashuri dhe sinqeritet i emocionoi të pranishmit pafund dhe shtoi më shumë forcën për të nisur këtë vit me besim dhe përkushtim. Ky ishte një fillim i mrekullueshëm për të gjithë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Teknologjia në shërbim të mësimit të gjuhës shqipe" - Trajnimi nga mësuesi i diasporës, Durim Lika
"Regjistroni fëmijët në shkolla shqipe, sepse gjuha është atdheu që mbajmë me vete"- nga Esat Braçe
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...