21 Marsi

Përgjigjet e fëmijëve kur i pyesin për Sindromën Down

Këto janë disa nga përgjigjet e disa fëmijëve dhe adoleshentëve të intervistuar me sindromën Down në Kanada nga Down Syndrome International (DSi). Se çfarë ata thonë, është reflektuese për të gjithë ne.

Në Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down, disa nga fëmijët dhe adoleshentët e intervistuar me sindromën Down në Kanada nga Down Syndrome International (DSi), u shprehën kështu:


Çfarë është sindroma Down?


“Sindroma Down është një çrregullim kromozomesh i natyrshëm në të cilin një person ka një kopje shtesë të kromozomit 21.”


A mundet një person me sindromën Down të përgatisë ushqimet e veta?


“Çdokush mund të gatuajë! Dhe ashtu si gjithë të tjerët, shumë njerëz me sindromën Down janë më shumë se në gjendje të përgatisin vaktet e tyre dhe të ushqehen vetë.”


A mundet një person me sindromën Down të mësojë e të lexojë?


“Shumë njerëz me sindromën Down kanë aftësinë të lexojnë dhe të mësojnë ashtu si çdo fëmijë tjetër, kur fillojnë shkollën. Të gjithë njerëzit me sindromën Down mësojnë, zhvillohen dhe arrijnë funksione e një jete normale. Njerëzit me sindromën Down kanë dallime zhvillimore që ndikojnë në stilin e tyre të të mësuarit.” (Është e rëndësishme të identifikohen metodat më të mira për të mësuar çdo fëmijë. Në mënyrë ideale, përmes programeve të ndërhyrjes së hershme, kjo fillon menjëherë pas lindjes. Kanadaja është një ndër këto shtete.) 


A është i aftë një person me sindromën Down të ngasë një biçikletë?


“Me praktikë dhe ndihmë, njerëzit me sindromën Down janë në gjendje të bëjnë shumë nga funksionet që të gjithë njerëzit janë në gjendje të bëjnë në komunitet. Kjo përfshin ngarjen e biçikletës. Ekzistojnë gjithashtu biçikleta të modifikuara për njerëzit me probleme lëvizshmërie, të cilat mund të përfshijnë njerëz me sindromën Down.”


Si ndikon në familje prania e një fëmijë me sindromën Down?


“Fëmijët me sindromën Down janë si çdo fëmijë tjetër dhe meritojnë mbështetjen e familjes së tyre.”


A ka trajtim për sindromën Down?


“Trajtimi nuk është fjala e duhur. Ka programe dhe terapi për fëmijët me sindromën Down për t'i ndihmuar ata me të folurit, të mësuarit dhe aftësitë motorike.”



Shënim: Këtu gjeni videot e plota të pyetjeve-përgjigjeve në anglisht


Si mund të ndërtojmë një kulturë gjithëpërfshirëse në mjediset arsimore?


Çdo fëmijë duhet të ketë të drejtën e arsimit cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të përmirësuar mundësitë dhe cilësinë e jetës së tij. Për fëmijët me sindromën Down, kjo mund të realizohet nëse:

  • ofrohet e drejtë e plotë në mjediset e arsimit, pa ndarje apo përjashtim;
  • çdo fëmijë mbështetet për të mësuar dhe i jepen të njëjtat mundësi mësimi sikurse bashkëmoshatarëve.

Në vendin tonë, politikat arsimore dhe organizatat joqeveritare vijojnë të hartojnë programe në ndihmesën dhe integrimin e nxënësve me sindromën Down. 


Për një kulturë gjithëpërfshirëse duhen zbatuar udhëzuesit e duhur edukues dhe arsimor. Në gjuhën shqipe kemi të përkthyer nga Down Syndrome International (DSi) “Udhëzues Ndërkombëtar për edukimin e personave me sindromën Down”. 


Qëllimi i këtij udhëzuesi është të përmirësojë edukimin e personave me sindromën Down në mbarë botën dhe të kontribuojë në përmbushjen e së drejtës së tyre për edukim gjithëpërfshirës dhe njësoj cilësor, duke promovuar edukimin e tyre gjatë gjithë jetës, në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. 


Burimi: ‘Udhëzuesi Ndërkombëtar për edukimin e personave me sindromën Down’ (https://workdrive.zohoexternal.com/external/50f5562cdd6bc6b9a047abc45c91d048cd994fcb7f7f32ffcaf7adc284b16202); https://cdss.ca/awareness/down-syndrome-answers/



Përgatiti: Xhoana Jaku

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

1,712 Lexime
2 vjet më parë