LETËR VAJZËS TIME!

Po ti çfarë dreqin bëre në 8 mars?

"E bëra sepse dua që nesër, të të trajtojnë me respekt kudo që të shkelësh, pavarësisht faktit se je vajzë apo djalë..."

E bëra Nikol, e bëra e bukura ime. Ia dola edhe kësaj here ta ngre zërin e ta çoj jehonën e tij larg.

Me shumë lodhje por me shumë dashuri ama. Mbi 100 mijë njerëz e kanë parë video-mesazhin tim dhe dëgjuar shpresoj. Nuk është shumë, e di, por të paktën dhjetëra prej tyre do kenë reflektuar. E pas reflektimit zakonisht zemra ime, mund të vijë edhe ndryshimi.

Këtë kam dashur, veç kaq, që sot njerëzit të reflektojnë, e që nesër askush mos të të bëjë ty apo çdo vajzë tjetër të ndihesh keq kur të kalosh në rrugë, vetëm sepse je e bukur duke i dhënë të drejtën vetes që të të thërrasë “o seksi” apo “ta hëngsha këtë apo atë” e ti kokëulur të duhet të kalosh nga ana tjetër e rrugës.

E bëra sepse nuk dua që kur të rritesh, e të jesh duke u kthyer në shtëpi natën vonë se ndonjë çunak i babit me lekë me makinë të bukur të të vijë nga pas dhe të të frikësojë. Unë ndaj bleva makinë që 20 vjeç zemra ime, dhe këtë ndjesi e kam provuar rrallë, ama e urrej edhe ato pak herë që e kam provuar e s’dua kurrë ta përjetosh as ti e as ndonjë vajzë tjetër.

Sepse dua që të kesh gjithë lirinë që të vishesh si të duash, pa pasur ndrojtjen se nga tundimi prej bukurisë tënde, dikush mund ti japë vetes të drejtën të të bezdisë, apo edhe më e tmerrshmja të të dhunojë.

E doja me gjithë shpirt ta përçoja këtë mesazh, e vogla ime, që kur të rritesh e djemtë të të ngacmojnë, askush mos të guxojë të të ofendojë apo gjuajë ndonjë shpullë vetëm se do ti thuash JO. E kam provuar edhe këtë ndjesi dhe ende sot kam kaq shumë urrejtje, e s’dua kurrsesi ta mendoj (e as kam për ta lejuar sa të jem gjallë) që mund ta provosh ti. Në këtë Shqipërinë tonë të vogël, Nikol, ka vajza që edhe janë vrarë vetëm sepse thanë JO, ndërsa sot vrasësit e tyre po tentojnë ti nxjerrin si viktima.

E bëra me gjithë shpirt zemra ime, sepse dua që kurdo që të vijë koha (dhe këtë e di vetëm ti) të mund të zgjedhësh edhe vetë me kë dëshiron të dashurohesh. Dhe të mos kesh aspak frikën që të dashurosh me shpirt, me pasion, shpirtërisht dhe fizikisht pa të shkuar në mendje ideja se djemtë e këtij vendi i duan ende gratë të virgjëra. Se kushdo që do të zgjedhë ty, (apo ti atë) do ta bëjë duke zgjedhur partneren e zemrës dhe jetës, e jo se ka gjetur vajzën e duhur për ti bërë hyzmet dhe për të respektuar fisin.

E doja sepse dua të edukohesh, arsimohesh, të kesh uri pafund për të panjohurën, artin, librat dhe të bukurën, të duash të mësosh gjithë jetës e të mos reshtësh kurrë së ëndërruari, sepse asgjë nuk është e pamundur e vogla ime, mjafton ta duash me gjithë shpirt. Sepse dua, pavarësisht se në cilën fushë të jetës, ti të bëhesh më e mira por jo në krahasim me të tjerët, por më e mira e vetes. Gara e vetme që kemi Nikol është ajo me veten, për të dhënë e marrë më të mirën në këtë botë.

E bëra sepse dua që nesër, të të trajtojnë me respekt kudo që të shkelësh, pavarësisht faktit se je vajzë apo djalë.

E di, është vetëm një video zemra ime, s’kam mundur të ndryshoj jetët e njerëzve me këtë. Por të paktën, nesër kur ti të rritesh, e shumë gjëra mund të të duken të padrejta në mënyrën si shoqëria ende e konsideron gruan, nuk dua të më thuash: “Po ti çfarë dreqin bëre në 8 mars? Unë nuk dola shpirt as për drekë, as për darkë, e as nuk shkova të harbohem nëpër pub-e me striptistë (se këto gjëra nëse dua mund t'i bëj çdo ditë e s’kam nevojë për lejen e 8 marsit).

Unë desha thjesht që diçka e vogël në këtë vend të ndryshojë, për ty Nikol e për çdo vajzë tjetër.

Unë thjesht u përpoqa zemra ime.

1,503 Lexime
8 vjet më parë